Idrizi con Flamurtarin ne Prokurori Ndaj Skenderbeut dyshoj te futbollistet

Idrizi çon Flamurtarin në Prokurori: Ndaj Skënderbeut dyshoj te futbollistët

Sinan Idrizi i rikthehet ndeshjes me Skënderbeun, por këtë herë për të ngritur dyshime ndaj futbollistëve të Flamurtarit.

Sinan IdriziAdministratori i vlonjatëve, për të argumentuar dyshimet e tij, preferon që t'i kthehet retrospektivës, duke kujtuar dy ndeshjet që ai vetë i ka dërguar në Prokurori.

"Unë për etikë nuk dua të kujtoj thashethemet, por mjafton që të rifreskojmë pak memorien për ngjarjet e para një viti. Janë dy ndeshje që unë e kam çuar Flamurtarin në Prokurori, vetëm e vetëm për t'u ndalur hovin këtyre fjalëve që thuhen lart e poshtë.

Përgjigjja nga Prokuroria ka qenë shumë e thatë. Ata i vëzhguan ekipet, morën nën hetim lojtarët e Flamurtarit dhe dolën në konkluzionin që nuk ka shitje ndeshjesh.

Nga ana tjetër, Komisioni i Etikës ka dënuar dy nga lojtarët e Flamurtarit për këto ndeshje, të cilësuara si të shitura. Pra, çudia më e madhe në Shqipëri është pikërisht kjo, që nga njëra anë Prokuroria vulos se ndeshjet nuk janë të trukuara dhe nga ana tjetër Komisioni i Etikës në FSHF merr masa.

Këtu nuk ke kujt t'i drejtohesh dhe nuk ke kë të besosh. Para ndeshjes me Skënderbeun u thashë lojtarëve: 'Qyteti ka nevojë për një ringjallje të kësaj fanelle. Sot është dita për ta treguar. Ju lutem, luani për ne dhe për qytetin'.

Këtu ndodhi e kundërta. U luajt një ndeshje që vetëm ndeshje sportive nuk mund të quhet. Aludimet se çfarë ka ndodhur nuk arrij që t'i pikëzoj dot.

Por, shfaqja është shumë e shëmtuar dhe aktorët e shfaqjes nuk kanë shanse që të mbeten më pjesë e strukturave të Flamurtarit.

E përsëris, Flamurtari mund të dështojë në aktivitetin sportiv, por nuk dështon dot në anën morale të tij", u shpreh fillimisht administratori, duke i cilësuar futbollistët "aktorë të shëmtuar".

E ardhmja

Sinan Idrizi tha për "Panorama Sport" se ndërtimi i Flamurtarit të ri do të nisë tashmë nga pika zero, pasi ekipi i sezonit që sapo u mbyll turpëroi Vlorën.

Ai e thotë hapur që skuadra do të ribëhet dhe pjesë e kontingjentit do të jenë vetëm ata që do ta ndiejnë peshën e fanellës. "Qyteti u turpërua nga ai ekip. Përballë Skënderbeut, ishte shfaqje e shëmtuar që turpëroi stafin, klubin, ne si drejtues, tifozët dhe Vlorën.

Një ekip që nuk është në vijë paralele me atë që kërkon qyteti, stafi, atëherë nuk ka më kuptim të jetë pjesë e vazhdimësisë sonë. Ne nuk prisnim asnjë gjë, por më të thjeshtën e mundshme. Ne jemi Flamurtari, vetëm kaq. Do ta nisim nga pika zero tani.

Më mirë kështu, sesa me ata që nuk e ndiejnë peshën e kësaj fanelle të rëndë", u shpreh ndër të tjera numri një i kuqezinjve. Largimet Joao Da Silva, Ingacio Nikolini dhe Pablo Lakoste janë tre lojtarët e parë të larguar zyrtarisht nga Flamurtari.

Pas këtij vendimi, administratori zbulon se kontrata është zgjidhur me marrëveshje me këta lojtarë. Kreu i klubit vlonjat siguron se kështu do të veprohet edhe me futbollistët e tjerë, që tashmë mund të quhen të larguar, ndërsa thekson se është i gatshëm që të paguajë financiarisht të gjitha detyrimet ndaj tyre.

Për administratorin, dëmi financiar edhe mund të shpërblehet, ndërsa ai moral është i pafalshëm. "Kontrata me këta lojtarë që janë tashmë të larguar, por edhe me të tjerët që nuk janë më në planet e klubit është zgjidhur dhe do të zgjidhet me konsensus. Jam i gatshëm që të paguaj çdo detyrim që kam ndaj tyre.

Pra, edhe këta do të marrim një dorë lekësh si të gjithë të tjerët dhe do të largohen. Por për një gjë unë nuk toleroj. Duhet të ndajmë dëmin financiar nga dëmi moral.

Dëmi financiar shpërblehet, ndërsa dëmi moral nuk falet. Ndaj tyre do të ketë edhe gjoba, nuk do të kalohet kështu kjo situatë", përfundoi administratori.

ERMAL SIKA


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama