Drejtori i ri Partizani prezanton sot Genc Tomorin

Drejtori i ri, Partizani prezanton sot Genc Tomorin

Rrugëtimi i Partizanit të sezonit 2016-2017 do të marrë jetë nga mesdita e sotme, ku klubi sërish do të prezantohet me një strukturë të re drejtuese.

Untitled-4Është thënë se Dritan Dervishi nuk do të jetë më drejtor i përgjithshëm, por do të ketë detyrën e menaxherit sportiv të klubit. Mbetet për t'u parë nëse Dervishi do ta pranojë këtë detyrë.

Emërimi i drejtorit të ri e përmban përbrenda misterin, pasi asnjë strukturë nuk ka preferuar që të prononcohet se kush do të jetë zëvendësuesi i Dervishit.

Sipas tyre, nëse jepet emri i drejtorit të ri të përgjithshëm, bie interesi i konferencës për shtyp, që do të organizohet sot në mesditë në ambientet e klubit.

Në njoftimin e shpërndarë nga klubi për mediat, thuhet se të hënën, në orën 12:00 do të prezantohet drejtori i përgjithshëm i Partizanit dhe në këtë ceremoni do të jetë i pranishëm edhe presidenti Gaz Demi.

Pas rikthimit në Superiore, Partizani nuk ka treguar stabilitet në struktura organizative, pasi i ndërron në çdo fillim sezoni, madje ka pasur raste edhe dy herë brenda një edicioni.

Të gjitha lëvizjet e kryera gjatë këtyre viteve kanë pasur një lajtmotiv: "Në kuadrin e riorganizimit të klubit". Por "Panorama Sport" nga burime të saja ka arritur të zbulojë se kush do të jetë drejtori i ri i përgjithshëm i Partizanit.

Pikërisht bëhet fjalë për një nga figurat drejtuese më jetëgjatë në klub, Genc Tomori, i cili, falë suksesit të arritur me Akademinë ndër vite dhe me të rinjtë, si dhe Partizanin B, ka bërë të mundur që të përmbushë besimin e presidentit Gaz Demi për këtë post drejtues. Edmond Haxhija pritet të marrë detyrën e drejtorit sportiv.

Drejtori i përgjithshëm do të zbulojë edhe se kush do të jenë bashkëpunëtorët e tij, stafi teknik dhe piketat që ka klubi për pjesëmarrjen në Europë dhe objektivin e Partizanit në kampionat dhe Kupën e Shqipërisë. Kohë më parë është folur se Sulejman Starova do të jetë numri 2 i klubit (pas presidentit Demi). Lëvizje pritet të ketë edhe në hallkat e tjera të klubit.

ILIR CARA


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama