Kalaja e Shkupit zbulohet shtepia 3 mije vjecare

Kalaja e Shkupit, zbulohet shtepia 3 mije vjecare

Gërmimet arkeologjike që filluan në muajin mars në Kalanë e Shkupit, nxorën në dritë rrënojat e banesës më të lashtë të gjetur deri tani në Maqedoni. Sipas arkeologëve maqedonas që bëjnë pjesë në ekspeditë, banesa i takon periudhës së bronzit të vonshëm, konkretisht, nga shek-XII-VI para erës sonë.

Nga vrojtimet e para arkeologët kanë vënë re se në objekt gjenden disa vrima të bëra me hunj të mëdhenj, shtyllat që kanë mbajtur kulmin, një furrë për pjekje, që sipas arkeologëve ka qenë rinovuar së pakti dy herë, etj. Por arkeologët njoftojnë se ky nuk është një zbulim mirëfilli, por një rizbulim. Kjo banesë është zbuluar për herë të parë gjatë gërmimeve të vitit 1953. Këtë ekspeditë e drejtonte Petra Goceva. Arkeologët bëjnë të ditur, se megjithëse u zbuluan rrënojat, s'dihet për çarsye shtëpia u rimbulua sërish me disa metra kub dhe. Specialistët hedhin dyshimin se gërmimet e asaj kohe e kanë dëmtuar shumë banesën, e cila mendohet se në atë kohë duhej të ishte e ruajtur më mirë.

Sipas arkeologëve maqedonas që marrin pjesë në këto gërmime, objekti rreth 3 000-vjeçar, është "një ndërtim i bërë nga fise të egra dhe të papërcaktuara etnikisht", ndërsa pjesëmarrësit shqiptarë në gërmime nuk kanë dhënë vlerësimet e tyre rreth këtij objekti.

Drejtori i Entit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Maqedoni dhe udhëheqësi i projektit të gërmimeve në Kalanë e Shkupit, Pasko Kuzman, thotë se banesa e gjetur i takon periudhës së bronzit dhe se në atë kohë nuk ka pasur fise të përcaktuara etnikisht. "Është e vërtetë se janë zbuluar themelet apo konstrukti i një banese të vjetër në pjesën e epërme të Kalasë së Shkupit, dhe sipas të dhënave ajo i takon kohës së bronzit. Së bashku me shtëpinë janë gjetur edhe qeramika dhe sende të tjera", ka thënë Kuzman për të përditshmen "Fakti". Historianët shqiptarë thonë se rrënojat në Kalanë e Shkupit "vërtetojnë edhe një herë praninë e elementit shqiptar në Shkup". Sipas Skënder Hasanit, "periudha e bronzit është koha e formësimit të etnosit dardan". Më tej, duke I mëshuar tezës së dardanëve ai shton se historiografia "nuk njeh popuj të tjerë në Shkup përveç dardanëve.


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama