Andi Bushati Doreheqja e Nacos nje shantazh per Ramen

Andi Bushati: Doreheqja e Nacos, nje shantazh per Ramen

Andi Bushati shkruan se dorëheqja e Nasip Naços është një shantazh i Metës për Ramën.

Sipas Bushatit, me këtë lëvizje Meta kërkon largimin e tre ministrave të tjerë.

Bushati shkruan se ata janë Sajmir Tahiri, Damian Gjiknuri dhe Ditmir Bushati.

“Nuk ka dyshime se dorëheqja e papritur e ministrit të Drejtësisë ka qenë një akt i konsultuar mirë mes tij dhe shefit të vet, Ilir Meta. Nuk ka dyshime se argument i arsyeve personale të Nasip Naços është i pabesueshëm.

Dilemë në këtë histori është nëse ajo është një lëvizje e planifikuar vetëm brenda mureve të LSI-së, apo një rakordim për ti dhënë mundësi kryeministrit të tërhiqet edhe njëherë nga një betim i tij se: “nuk ka ndryshime në qeveri”.

Por cilado nga këto pandehma të jetë e vërtetë ato së bashku e vënë kryeministrin përpara një dileme të madhe. A do pranojë ai të qeverisë me brekë nëpër këmbë duke i’u bindur shantazhit të Metës? Edhe nëse rasti Naço ka qenë marëveshje edhe nëse ai ka qenë i papritur, a do të pranojë Rama të dorëzojë ato minisri që kanë qenë targeti real i vëllait të tij armik?

Që kur kriza mes dy bashkëdrejtuesve të koalicionit është bërë publike në syrin e ciklonit janë vënë tre ministra socialistë.

I pari është Sajmir Tahiri kokën e të cilit kreu i kuvendit e ka kërkuar mëse një herë, madje edhe me anë të mediave që e mbështesin.

I dyti është Damian Gjinknuri për të cilin Meta ka fakte se me urdhër të Ramës ka hapur kunder tij aferën skandaloze të CEZ.

I treti është Ditmir Bushati, jo për ndonjë arsye personale, por për faktin e thjeshtë sepse Meta duke akaparuar këtë institucion, kërkon të ndalë ofensivën diplomatike kundër tij. Ai e di mirë që aparati diplomatik i Ramës i justifikon me të huajt dështimet e kësaj qeverie me makutërinë dhe lidhjet kriminale dhe korruptive që pretendon se ka aleati i vogël i koalicionit të madh”, shkruan Bushati.

Sipas tij, tani shtrohet pyetja nëse Rama do e pranojë këtë shantazh.

“Prandaj pyetja është a do ta pranojë Rama këtë shantazh?

Deri më tani kryeministri ka lënë të kuptohet se ai është i kapur. Ai i ka hapur dritën jeshile shkeljeve të ligjit për ish biznesmenët e Berishës dhe për miqtë e tij. Ai prej kohësh ka dëshmuar se është fraxhil dhe i shantazhueshëm.

A do të tregohet edhe në rastin e dorheqjes së Naços i tillë?

Kjo është një provë e re para të cilës e vuri Ilir Meta. Ai mund të kërkojë ose një zëvendësim kokë për kokë, me ndonjë figurë LSI-e e cila është në gjende të cmendë Ramën, ose një riformatim të gjerë kabineti. Nga mënyra se si do të sillet në këtë rast kryeministri do të japë edhe një përgjigje që e tejkalon rastin Naço. Ai do të demostrojë nëse është peng apo sovran në vendimet e veta”, e mbyll Bushati komentin e tij tek Lapsi.al.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama