Shkrime drite magjia e Marubit ne keshtjellen e Leces

Shkrime drite, magjia e Marubit në kështjellën e Leçes

Dje, në sallat e kështjellës Karli V, në qytetin e Leçes, Itali, hapi dyert ekspozita fotografike nga Shqipëria “Portretet e një populli”. Kjo ekspozitë vjen nga Arkivat e Kulturës Popullore të Tiranës dhe Fototeka Marubi. Ky është njoftimi që jep për lexuesit e vet e përditshmja italiane “Il tacco di Salento”. Në një shkrim të gjatë të saj, kjo gazetë bën me dije se nga data 16 maj deri më 10 qershor ekspozohen për publikun italian riprodhimet e fotografive të restauruara nga fotografitë origjinale të së famshmes “Trashëgimia Marubi”. Interesi i këtyre kryeveprave qëndron jo vetëm në rëndësinë e tyre dokumentare, por edhe në magjinë që nxjerr në pah imazhet e një të kaluare, jo shumë të largët, që ndonjëherë duket se i përket të gjithë europianëve. “Trashëgimia Marubi” ekziston falë projektit “Shqipëria – Fisnikëria e Shqiponjave”, e financuar nga fondet europiane të Programit të Iniciativës Komunitare, Interreg III A Itali-Shqipëri. Më tej gazeta salentine vijon me të dhëna të tjera për historinë dhe vlerat e Fototekës Marubi.

E njohur ligjërisht nga UNESCO, në fondin Trashëgimia e Njerëzimit, ajo ka një arkiv të pasur fotografish, ku përfshihen rreth 150 mijë negativë origjinalë, një pjesë e madhe në lastra qelqi me bromur argjendi, të ruajtura në Shkodër dhe Tiranë, në Institutin e Kulturës Popullore. Pjesa më e madhe e tyre, e papublikuar ndonjëherë, i përkasin një periudhe midis viteve 1850 dhe 1940. Ato konsiderohen dokumente historikë të një rëndësie të veçantë për vetë faktin se mbartin në vetvete kujtesën vizive më të sinqertë të evolucionit kulturor dhe të identitetit kombëtar të popullit shqiptar. Projekti ka mundësuar rekuperimin e 500 negativëve të papublikuar dhe transferimin e metodologjisë dhe të çdo teknike inovative zhvillimi, restaurimi dhe riprodhimi, mbi copa poliesteri, me objektivin përfundimtar, transferimin e praktikave më të mira të riprodhimit, për të zgjeruar ndërhyrjen në të gjithë trashëgiminë fotografike. Fazat përgatitore të laboratorit fotografik në Tiranë dhe zhvillimi, restaurimi dhe stampimi, janë kryer nën përkujdesjen e fotografit Xhino Bleve.

Fotot e rigjeneruara paraqesin subjekte të ndryshme: portrete femërore dhe mashkullore, grupe dhe portrete familjare, peizazhe dhe skena të jetës shoqërore, kryesisht të pjesës veriore të Shqipërisë. Me një forcë shprehëse reale shfaqen traditat e një populli, të ankoruar në të shkuarën e tij, i cili ruan me xhelozi identitetin e tij. Në disa imazhe paraqiten burra dhe gra, që i përkasin klasave të ndryshme shoqërore, të veshur me kostumet e tyre tradicionale, që dëshmojnë se si në fund të viteve tetëqind, në jetesën e përditshme, vazhdonin të ruheshin traditat, në çdo aspekt dhe jo vetëm nëpër fshatra, por edhe në njërin prej qyteteve që po lulëzonte në ato kohë, siç ishte Shkodra, një qendër administrative me pozita sociale, ekonomike dhe kulturore të admirueshme. Nga fototeka “Marubi” janë marrë vepra, të cilat i përkasin dinastisë me të njëjtin emër dhe Kol Idromenos, piktorit dhe fotografit të famshëm. Pjetër Marubi, i cili ishte arratisur nga Italia gjatë okupacionit austro-hungarez, u strehua në Shkodër në vitin 1850, ku hapi studion e parë fotografike “Shkrime drite”.

Fotografitë e tij të para dokumentojnë ngjarjet më kryesore të historisë shqiptare, të cilat në atë kohë u përhapën gjerësisht në të gjithë botën nëpërmjet publikimeve në revistat franceze, britanike dhe italiane. Nxënësit e tij, vëllezërit Kodheli, u shquan për guximin e tyre në aplikimin e teknikave inovative, për përshtatjen me mjeshtëri të arkivit të familjes dhe së fundi për dhurimin e veprës shtetit shqiptar. Kol Idromeno, piktor dhe fotograf, filloi punën e tij si ndihmës në studion e Pietro Marubit, ishte një figurë artistike poliedrike: instrumentist, arkitekt, skulptor, dekorues dhe piktor me vlera të larta. Në fushën e fotografisë u bë i famshëm për peizazhet natyrale të Veriut të Shqipërisë, me portretet e malësorëve dhe rrugicat, që kanë përjetësuar momentet e jetës shoqërore dhe politike të kohës, dëshmi për të cilat etnologët shqiptarë do t’i jenë mirënjohës për gjithë jetën. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun për afro një muaj dhe do të udhëtojë dhe në dy qytete të tjera të Italisë, në Otranto dhe në Bari.

E.Malo - Gazeta Albania


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama