Anastacia ne Tirane nje mesazh per grate shqiptare

Anastacia ne Tirane, nje mesazh per grate shqiptare

Këngëtarja amerikane me famë botërore, Anastacia, do të performojë nesër në një koncert live, në Tiranë. Në faqen zyrtare të këngëtares, është njoftuar se koncerti i saj në Tiranë do të jetë më 25 gusht, ora 20:00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ku Anastacia do të ndalet pas koncertit të Austrisë, në vijim të turit të saj “Resurrection”, të shtrirë thuajse në të gjithë Europën.  Është hera e parë që Shqipëria bëhet pjesë e turit ndërkombëtar promovues të një artisteje të përmasave të tilla.

Anastacia ka përgatitur një sërë performancash koreografike për të shoqëruar këngët e albumit që do të prezantojë. Dikur ajo ka qenë një balerinë e suksesshme, gjë që i jep mundësinë të ofrojë në skenë një shfaqje të mrekullueshme baleti dhe energjie. Një artiste e skenave live, një këngëtare e hiteve botërore, e cilësuar nga kritika si “zonja e vogël me zërin e madh” apo “këngëtarja e bardhë me zërin e zi”.

Në faqen e saj zyrtare, gjenden materialet e saj promocionale, të cilat do të jenë në shitje në stendat në hyrje të stadiumit, ashtu si në të gjitha qytetet europiane, edhe në Tiranë. Bëhet fjalë për bluzat me imazhin e këngëtares, varëset me gërmën A, veshjet e telefonit apo çantat. Sipas organizatorëve, qëllimi i eventeve të tilla nuk është thjesht dhe vetëm organizimi i tyre si të tilla, por përmes organizimit të këtij koncerti dhe të tjerëve që do të pasojnë, synohet që publiku shqiptar të edukohet me ritmin e koncerteve live, të cilat thuajse mungojnë.

Ky koncert, i mbështetur nga vetë Kryeministri i vendit, Edi Rama, sjell edhe një mesazh të fortë sensibilizimi për gratë, nisur nga historia personale e këngëtares, e cila pas një lufte gati 10-vjeçare kundër kancerit të gjirit, ka arritur të mposhtë çdo paragjykim lidhur me sëmundjen. Anastacia u diagnostikua për herë të parë me kancer në vitin 2002, kur ishte 34 vjeç, ndërsa në tetor të vitit 2013 iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, që çoi në heqjen e të dy gjinjve. Vitin e shkuar, ajo deklaroi se kishte dalë triumfuese në betejën e saj me vdekjen, ndaj dhe ajo sjell albumin “Resurrection”, (Ringjallja), kushtuar jetës.

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama