Onhezmi muzeu memec ne qender te qytetit

Onhezmi, muzeu memec në qendër të qytetit

Me gjithë pasurinë e vlerave arkeologjike të qytetit antik të Onhezmit (Saranda antike e shek. IV–VI para Krishtit), pjesa më e madhe e vizitorëve vendas apo të huaj nuk kanë mundësi të hyjnë dhe t’i shikojnë ato në një muze. Begatia e fondit arkeologjik, zbuluar nga disa gjenerata arkeologësh shqiptarë e të huaj në qytetin e emërtuar në antikitet me emrin e një ere, onhezmos, e cila i ndihmonte detarët t’i afroheshin gjirit të Sarandës, vetëm mund të merret me mend. Muzeu – objekt ekziston si pjesë e trashëgimisë kulturore të para ’90-s, por muzeu – institucion është i kyçur. Nga vitet ’90 e deri më sot, maj 2007, nuk ka funksionuar asnjëherë, qëndron mbyllur me dryn mbi një portë të ndryshkur. Herë pas here dera është hapur për t’u futur karrocat e dorës e ca lopata të ekspeditave arkeologjike. Ky farë menaxhimi i kësaj pasurie të trashëgimisë kulturore kombëtare të kujton ato magazinat e braktisura të ish-kooperativave bujqësore socialiste. Dhe ku? Bash në qytetin port, perlën e bregdetit, 30 minuta larg nga Korfuzi grek, prej nga vijnë mijëra turistë, kryesisht për pasuritë arkeologjike të zonës...

Vlera që “heshtin”
Një turist nuk ka sesi të mësojë gjetiu për Sarandën antike dhe sitin arkeologjik të Onhezmit, përveçse në stendat dhe mjediset e këtij muzeu. Fillimet e këtij qytetërimi nisin në shek. III para Krishtit, kur Onhezmi shërbente njëherësh edhe si një port i Foinikës, kryeqendrës së Kaonisë, mbretërisë së Pirros së Epirit. Gjatë shekullit IV qyteti u rrethua me mure fortifikuese me lartësi deri në 8,5 m. Nga qytetërimi antik mbetën të paktën 7 mozaikë dhe një varg kullash, bazilikash paleoleokristiane dhe një sinagogë hebreje. Sipas Hieroklitit në shekullit VI, midis Foinikës dhe Butrintit ndodhet Anhiasmos (Onhezmi), një nga 12 qytetet e Epirit. Në vitin 551, rreth 50 anije dhe forca barbare ostrogote e shkatërruan Onhezmin dhe Butrintin. Zbulimi i një shtrese karboni pranë mozaikut origjinal të dyshemesë së Muzeut Arkeologjik të Onhezmit flet për hirin e mbetur nga djegiet e qytetit të lashtë... Mozaikë, skulptura, monedha, vazo, stoli, dëshmi.... Këto dhe zbulime të tjera të mëvonshme turistët do të mund t’i shihnin në këtë muze, por ai ka 17 vjet që mbahet peng.

Ping-pong institucionesh

Gjatë një konsulte për çeljen e sezonit turistik, kryebashkiaku i Sarandës, Edmond Gjoka, i ishte drejtuar përgjegjësit të arkeologjisë, Dhimitër Çondi: “Në qoftë se nuk e hapni, do ta shqyejmë portën vetë si bashki, për të hyrë turistët!”. Kush duhet ta çburgosë Muzeun e Onheizmit? Instituti Arkeologjik? Instituti i Monumenteve? Dikasteri i linjës, që është edhe Ministri e Turizmit, edhe e Kulturës, edhe e Rinisë, edhe e Sporteve? Bashkia? Apo qeveria? Se turizmin kulturor e kemi prioritet numër një! Të gjithë këto emra të bukur e tingëllues që përmendëm më sipër ia hedhin topin njëri – tjetrit. Le t’i gjejnë pra një zot muzeut mu në qendër të qytetit. Le të jetë menaxher, administrator, shef, drejtor a brigadier! Mjaft që të bëjë punën e ta bëjë “të flasë” muzeun memec. Ndryshe turistët e huaj do të vijojnë të ngjeshin hundën pas xhamave të palarë, për të parë ndonjë krah statuje a ndonjë vesh amfore, që pritën 2000 e kusur vjet të dalin në dritë, për t’u burgosur në... muzeun e kyçur.


Shkëlqim Hajno  - Gazeta Albania


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama