Gazeta serbe ‘Kurir’e cilëson ‘Shotën’ si njërën nga vallet më të popullarizuar dasmore të serbëve, ndonëse, sipas gazetës, ajo i kushtohet Shote Galicës, bashkëshortes së urrejtësit të serbëve dhe kriminelit Azem Galica, e cila madje, sërish sipas gazetës, ka djegur gjashtë fëmijë (çobanë serbë) nga Mokra Gora! Një email me këto informaione me sa duket për muaj të tërë po qarkullon nëpër web adresat serbe, duke theksuar se derisa fëmijët po digjeshin, Shota me ‘kaçakë’ përreth zjarrit po vallëzonte, ulërinte dhe po këndonte “Shote mori Shote, Shote mashalla, kaherë mori Shote doja të të luaja!”
E-maili, veç tjerash, apelon edhe që ‘Shota’ të mos luhet nëpër dasmat serbe dhe se gjithkush menjëherë pas takteve të para do të duhej të ulej, sepse s’ka asnjë arsye që serbët të kremtojnë përmes një kënge që glorifikon djegien e fëmijëve të tyre. Në tekstin e Radovan Tomasevic, “Azem Bejta për herë të dytë mes serbëve”, të publikuar në magazinën historike ‘Trashëgimia Serbe’, përmendet se Shota, gjegjësisht bashkëshortja e parë dhe bashkëluftëtarja e Azem Bejtës, Qerime Halil Galica, ishte një ‘amazone arnaute’ që vishej si mashkull dhe luftonte me emër mashkulli - Qerim ose Kerim.
Po në atë tekst thuhet se më 14 korrik 1924, pak para Bajramit, Bejta ishte plagosur gjatë një beteje serbët, por që nga rrethimi e shpëtoi pikërisht Shota. Azem Bejta, ose ‘Mbreti i Vogël’ i Drenicës, siç thuhet në tekst, vdiq në arrati, ndërkaq Shota vazhdoi t’i udhëhiqte kriminelët tjerë. Historiani, Cedomir Antic, ndërkaq pohoi se ai nuk ka pranuar një e-mail të tillë, megjithëse e di se Azem Bejta dhe bashkëshortja e tij Shota ishin prijës të lëvizjes shqiptare, ‘Kaçakët’, dhe se organizuan kryengritjen në Kosovë dhe Metohi që zgjati tri vjet. “Ndonëse në luftën kundër Austro-Hungarisë ishte i shpërblyer, Bejta pas vitit 1918 në Kosovë dhe Metohi organizoi kryengritje kundër Mbretërisë së Jugosllavisë, kur edhe u vra. Sipas historisë Shota vazhdoi ta udhëhiqte kryengritjen”, pohonte Antic, derisa shtonte se opera më e njohur shqiptare quhet pikërisht ‘Shote Galica’.
Sipas Antic, është shumë keq të flitet për ngjarje që ndodhën para 80 vjetësh me po atë urrejtje sikur të kishin ndodhur para disa ditësh. “Mendoj se një retorikë e tillë paraqet shprehjen e frustrimit dhe se është pikëpyetje e madhe nëse e-mail’i është shkruar nga një person, apo nëse kjo paraqet një mënyrë për nxitjen e emocioneve negative”, përfundoi Antic.
Marre nga : Gazeta Shqiptare











