Globalizimi Koncepti dhe sfidat

Globalizimi: Koncepti dhe sfidat

Nëse jemi bërë pjesë me apo pa dashje dhe i jemi nënshtruar në një farë mënyre në shumë plane fenomenit të globalizimit, duket se shumëkush mbi të ka një koncept të ndryshëm. Vështirësitë nisin pikërisht këtu, në përcaktimin e konceptit bazë. As në debatin shkencor dhe as në atë të gjerë publik nuk ka një përkufizim të vetëm e të unifikuar, të njohur si të tillë nga të gjithë. Le të shohim në një mënyrë të përmbledhur disa nga përpjekjet për të përkufizuar konceptin e globalizimit, përkatësisht nga Elmar Altvater, Anthony Giddens dhe Ulrich Menzel, kontributeve të së cilëve u referohet "D@dalos", platforma e edukimit politik online e UNESCO-s:

"Globalizimi është një proces i kapërcimit të kufijve të lindur historikisht. Ai nënkupton të njëjtin fenomen si erozioni (pra nuk është zhdukje) e sovranitetit kombëtaro-shtetëror dhe prezantohet si shkëputje e ekonomisë së tregut nga ‘shtrati‘ i rregullave morale dhe detyrimeve të institucionalizuara të shoqërive". "Globalizimi është intensifikimi i marrëdhënieve sociale mbarëbotërore, përmes të cilave vende të largëta mbajnë lidhje me njëra-tjetrën, në mënyrë të tillë që ngjarjet në një vend karakterizohen nga të njëjtat procese, sikurse edhe në një vend tjetër shumë kilometra larg dhe anasjelltas". "Globalizimi është intensifikim sasior dhe cilësor i transaksioneve ndërkufitare gjatë procesit të njëkohshëm të zgjerimit të tyre lokal". Por kemi edhe përqasje të tjera, si ajo e sjellë në një kontribut të përbashkët nga dy autorë që janë marrë me këtë fenomen, Dirk Messner dhe Franz Nuscheler: "Globalizimi është kthesa më e madhe ekonomike dhe shoqërore që prej revolucionit industrial", thonë ata. Apo dhe "globalizimi është varësi dhe integrim në rritje e ekonomive të ndryshme përreth globit", siç thotë nga ana tjetër Meghnad Desai, profesori indiano-britanik i ekonomisë.

Ndërkohë, duket se një përcaktim më mbresëlënës do të kishte qenë ai i bërë nga Dr. Johannes Varwick, profesori gjerman i sociologjisë në Universitetin e Kiel-it, kur thotë se "globalizimi është proces i lidhjeve në rritje mes shoqërive dhe problematikave". Gjithsesi, ashtu sikurse e theksuam dhe më lart, hasen me qindra përcaktime konceptuale mbi globalizimin dhe përkufizimi i tij në kornizat e lartpërmendura vetëm sa e cek lehtë këtë temë. Por, një nga ato që konsiderohen si "vlera të globalizimit", janë dhe dimensionet shumëplanëshe të tij. Për të parë më konkretisht e në mënyrë më të kuptueshme se cilat janë ato, le t‘i hedhim një sy grafikut që shoqëron këtë artikull dhe më pas le të sqarojmë secilin nga dimensionet e globalizimit më vete: Nëse vërejmë me vëmendje, do të shohim se dimensionet janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Në dallimin mes dimensioneve është e rëndësishme të vihet re se këto nuk ndahen qartë nga njëra-tjetra.

Kështu- vetëm për të përmendur disa shembuj -problemet e mjedisit nuk mund të trajtohen si të izoluara as nga dimensioni i "ekonomisë" dhe as nga ai i "politikës". Kjo ndërthurje ndërkombëtare, jo vetëm e aktorëve, por edhe e fushave tematike, bën pjesë te veçantitë e globalizimit. Dimensionet e ndryshme formojnë fushëprerjet e tyre ndryshueshmërisht të mëdha me "globalizimin", sepse, në fakt, është e rëndësishme të theksohet se çfarë bën pjesë në globalizim dhe se ai nuk ezaurohet aspak në procese thjesht ekonomike, edhe pse duhet thënë që globalizimi ekonomik paraqet fillesën e një force të rëndësishme lëvizëse. Por, po aq e rëndësishme është të kuptojmë se jo gjithçka bën pjesë apriori në globalizim, apo përcaktohet prej tij në mënyrë vendimtare. Edhe globalizimi ka kufijtë e tij. Ky aspekt duhet mbajtur parasysh si një hap më tej për një trajtim të diferencuar. Shembuj për të gjitha dimensionet mund të gjenden pa problem në shtypin e ditës, ku dimensioni ekonomik është në plan të parë (rritja tejet e madhe e tregtisë dhe investimet direkte, globalizimi i tregjeve financiare si shembull pararojë, prodhimi i integruar mbinacional, sipërmarrjet ndërkombëtare, konkurrenca lokale e shteteve dhe rajoneve, fundi i ekonomive kombëtare).

Këtu theksohet shpesh fakti që këto procese janë mbiquajtur gabimisht me etiketimin e "Globalizimit", meqenëse ato përqendrohen kryesisht në Amerikën e Veriut, Evropë dhe në Azinë Juglindore (Japoni). Për këtë arsye, më i përshtatshëm duket se është në këtë rast termi i "triadizimit". Probleme globale, si ngrohja e atmosferës së tokës, vrima e ozonit, apo shpyllëzimi i pyjeve tropikale, e bëjnë të qartë globalizimin në mënyrën më mbresëlënëse, pasi këtu bëhet fjalë pa diskutim për probleme globale, të cilat kanë nevojë për një trajtim gjithashtu po global. E megjithatë, në aspektin e mjedisit, natyrisht ka edhe probleme lokale dhe rajonale edhe atëherë kur ato dëshmojnë të kenë karakter ndërkufitar, si për shembull ndotja e lumenjve.

Më tej bëhen të qarta varësitë e "çkufizuara" në kohë dhe hapësirë, kur mbajmë parasysh faktin se mbijetesa e shteteve të vogla ishull, të cilat janë grupuar në organizatën AOSIS dhe që janë të kërcënuara në ekzistencën e tyre nga ngritja e mëtejshme e nivelit të detit, varet nga sjellja e shkuar dhe e ardhme e të gjithëve, veçanërisht e njerëzve që banojnë në shtetet me industri shumë të zhvilluar. Një aspekt tjetër është dimensioni shoqëror: Bota po shndërrohet në një "global village". Përveç komuniteteve tradicionale si familja apo fqinjësia, po dalin në skenë komunitete të reja komunikimi (chat, e-mail), por ato nuk zëvendësojnë dot këto hapësira tradicionale komunikimi, sa për të përmendur një shembull nga dimensioni shoqëror. Nëse do kalonim pastaj në dimensionin kulturor të globalizimit, mund të përmendnim shembullin e prodhimeve të Hollywood-it, të cilat mund të shihen në të gjithë botën e kësisoj nuk duhet mohuar një lloj "amerikanizimi" i kulturës, por, kjo nuk do të thotë se kulturat rajonale apo lokale po zhduken.

Krejt e kundërta: ndërgjegjësimi për këto kultura bën pjesë pikërisht në dukuritë shoqëruese të globalizimit, arsye kjo për të cilën në debat është shfaqur edhe termi "Glokalizim". Por duket se një nga dimensionet më të rëndësishme të globalizimit është dhe ai i politikës: politika duhet të luftojë probleme masive. Globalizimi dhe konkurrenca lokale kufizojnë hapësirën e veprimit për politikën kombëtare dhe shumë probleme mund të trajtohen në mënyrë të përshtatshme vetëm në nivel ndërkombëtar apo më mirë, le të themi, në rrafsh global. Duhen gjetur forma dhe arena të reja të politikës. Kështu, integrimi evropian përcaktohet si një përgjigje sukses-premtuese ndaj sfidave të globalizimit. Politika e organizuar, sikurse edhe më parë, kryesisht në nivel territorial dhe në kuadrin e shteteve kombëtare, ka mbetur prapa në krahasim me ekonominë e organizuar gjithnjë e më tepër në mënyrë ndërkombëtare apo globale, e çliruar nga kufijtë dhe materia. Vendosja e kapitalizmit në "shtratin" e një shteti social, kërcënon të dështojë në këtë çbalancim raportesh bazë.

Por jo për gjithçka, për çfarë qortohet globalizimi, është vërtetë ai përgjegjës. Shpesh ai shërben për politikanët si kokë turku dhe armë argumentimi për të justifikuar qëllimet apo gabimet e tyre madhore.

John Naisbitt, babai i globalizimit?

Në fakt, ekziston një njeri që mund të quhet si "babai i globalizimit". Ai është John Naisbitt, që më së shumti personifikon nocionin "Globalizim". Në vitin 1982, specialisti i ekonomisë amerikane shkroi një libër që justifikoi në një farë mase famën e tij në rrethet e VIP-ave të ekonomisë e sociologjisë, "Megatrends". Atje ai "u betua" për rritjen e shpejtë të Azisë dhe për fillimin e epokës së informacionit. Qysh prej asaj kohe, ish-politikani amerikan këshillon shefa qeverish në shumë vende për strategjitë e së ardhmes që ata duhet të përfshijnë në programet e tyre. Shumë kontribute nacionale janë "borë e shkelur" tashmë, sipas Naisbitt. Ekonomia botërore në fund të fundit do të bëhet një e vetme. Kështu theksonte ai në një intervistë të kohëve të fundit për mediat perëndimore.


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama