Klasiket 1 Euro te Nazarkos bejne xheloze botuesit

Klasikët 1 Euro  të Nazarkos bëjnë xhelozë botuesit

Paraditen e djeshme, në një konferencë të deklaruar me urgjencë dy ditë më parë, përfaqësues të shoqatës, si kryetari i saj, Fatmir Toçi, nënkryetari Petrit Ymeri, botuesit Arlinda Dudaj, Pirro Misha, Ardian Klosi apo edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari kanë denoncuar këto botime duke i cilësuar si pirate, pa të drejtën e autorit, apo përkthyesve. Nga ana tjetër, drejtori i shtëpisë botuese "ABC", Shpëtim Nazarko, komenton se botimi i serisë së klasikëve është një ndër botimet më luksoze dhe frytdhënëse, ndonëse 1 euro.

Botuesit: Klasikët pirat të ABC-së

Dëshirojmë të tërheqim vëmendjen e mediave të shkruara dhe atyre elektronike, të strukturave shtetërore që merren me librin dhe të opinionit publik shqiptar për përkeqësimin e zbatimit të ligjshmërisë - kombëtare dhe ndërkombëtare - në fushën e botimit dhe të përhapjes së librit. Në një kohë kur botimet në përgjithësi kanë njohur rritje cilësore, si në përmbajtjen e tyre ashtu edhe në paraqitje, në një kohë kur çmimet e librave po i afrohen normalitetit dhe dinjitetit që e kërkon libri i mirë, si një nga shenjat më të qarta të afrimit të Shqipërisë me Evropën, ushtrimi dhe përhapja e piraterisë në stil të gjerë po i rrezikon drejtpërsëdrejti këto arritje. Botime që nuk përfillin të drejtat e autorit, të përkthyesit etj., botues që nuk paguajnë as autorin e huaj, shpesh as edhe përkthyesin e tij, po shtohen në tregun tonë të librit në mënyrë shqetësuese, ndoshta me ritëm më të shpejtë sesa numri i atyre botuesve që i kanë njohur ndërkaq rregullat e lojës dhe po ecin në rrugën e ligjshmërisë, që do të thotë në radhë të parë respektimi i së drejtës të autorit.

Veçanërisht shqetësuese bëhet dukuria kur shfaqet pikërisht mbas miratimit të ligjeve "Për të Drejtën e Autorit dhe të Drejta të tjera të Lidhura me të në Republikën e Shqipërisë" (2004) dhe "Për Librin në Republikën e Shqipërisë" (2006): kuadër i rëndësishëm ligjor, ndonëse me të metat e tij. Në tregun e letërsisë artistike bie sidomos në sy për shkelje flagrante të copyright-it seria "1 euro" ose "Mjeshtrit e fjalës, klasikët, novelistët" e botuesit ABC.

Kemi verifikuar që për asnjërin nga autorët e shek. XX botuar prej tyre, as për T. Mann, as për H. Boell, as për G. Garcia Marquez, as për E. Hemingëay nuk janë blerë të drejtat e autorit. Në asnjërin prej botimeve ABC nuk thuhet se kush e zotëron copyright-in e origjinalit. Madje nuk shënohet as ai i përkthimit. Jepet vetëm një © i përgjithshëm ABC (!). Verifikuam se shpesh nuk përfillet as e drejta e përkthyesit. Aurel Plasarit, për shembull, i janë botuar/ribotuar përkthimet nga Marquez "Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar" dhe "Kolonelit nuk ka kush t'i shkruajë" pa kurrfarë marrëveshjeje kontraktuale, madje duke rishtypur tekstet e këtu e 20 vjetëve më parë të botimeve të cenuar prej censurimit. Zor se është pyetur edhe përkthyesi Gëzim Halilaj në SHBA për përkthimet e tij të tregimeve të Tomas Mannit. Në veprën e famshme të Balzakut "Kolonel Shaberi" emri i përkthyesit nuk është vënë fare. Në tregun e sotëm të Shqipërisë, kur tirazhet për librat artistikë vështirë t'i kalojnë 1.000 kopjet, është e pamundur të nxjerrësh në rrugë normale një libër të letërsisë së madhe me çmimin 1 euro. Rrugë normale do të thotë të paguash gjithë detyrimet ndaj autorëve dhe përkthyesve, në marrëveshje kontraktuale me ta, si dhe ta paraqesësh një klasik të letërsisë me cilësinë që meriton.

Botimet ABC, si shembull i piraterisë më të keqe deri tani në tregun shqiptar të letërsisë artistike, nuk ndjekin as të parën e as të dytën. Librat e kësaj serie paraqiten me një letër të hollë gati të tejdukshme, me prerje aty të drejtë këtu të shtrembër, me faqe të rrudhosura etj. Ngremë zërin me forcë kundër fenomenit "Klasikët 1 euro", sepse: vidhet dhe shpërdorohet prona intelektuale, qoftë origjinale qoftë e shqipërimit; i ofrohet publikut lexues, sidomos atij më të varfër, një cilësi libri nën dinjitetin e shkrimtarëve dhe të përkthyesve, por edhe të vetë lexuesve, që tani po i gjejnë këta libra edhe në dyqanin e bulmetit. Ky lexues mësohet me idenë që një libër mund të kushtojë sa një shishe birrë ose një pastë dhëmbësh; dëmtohet rëndë tregu normal i librit në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Kërkojmë të ndalohen komplet, me mjete shumë më të efektshme se deri më sot gjithë botimet që nuk respektojnë në Shqipëri të drejtën e autorit. Botuesit: Ardian Klosi,Fatmir Toçi, Piro Misha, Arlinda Dudaj, Aurel Plasari, Petrit Ymeri

Marre nga : Gazeta Panorama


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama