Ndoci Do kendojme sa me mire per Shqiperine

Ndoci: Do këndojmë sa më mirë për Shqipërinë

I gjithë grupi shqiptar ishte duke konsumuar drekën në një restorant, në qendër të qytetit, përpara provës së dytë gjenerale të orës 21:00. Surpriza më e këndshme që ndeshëm ishte se për të mbështetur Frederikun, kishin ardhur nga Gjermania edhe dy motrat e tij, e mirënjohura Rita Ndoci dhe motra e vogël Juli.

Përshëndetje Frederik dhe Aida! Si ndiheni një ditë përpara konkurrimit?

Ndihemi sa të qetë, aq edhe të emocionuar. Sipas mendimit tim, nata gjysmëfinale kërkon impenjimin më të madh, pasi ka një konkurrencë të jashtëzakonshme. Nga 28 këngë vetëm 10 do të dalin në finale, pra thuajse një në çdo tri këngë. Është vërtet një betejë e madhe.

Është vërtet një betejë e madhe dhe kjo duhet t‘ju bëjë të keni shumë emocione...

Po, sigurisht që kemi emocione, sepse duam të dalim në finale. Megjithatë, fakti që këndojmë prej kaq vitesh, na bën të ndihemi mirë dhe na jep siguri. Në çdo rast ne humbim diçka që nuk e kemi, që ndryshe mund të thosha: nuk kemi se çfarë të humbim, por vetëm të fitojmë. Kjo na bën të qetë.

Është hera e parë që ju konkurroni në "Eurovizion". Duhet të jetë një ndjenjë e veçantë që të përfaqësosh vendin tënd në një kompeticion të këtyre përmasave?

Nuk kam fjetur dje gjithë natën, sepse mendoja se sa e rëndësishme është që ta përfaqësosh në mënyrën më të mirë vendin tënd. Mbaj mend kur kam parë për herë të parë "Eurovizionin" në vitin 1982, kam ëndërruar që Shqipëria të ishte aty. Sot pas kaq vitesh, kjo ëndërr është e vërtetë. Shqipëria është pjesëmarrëse në "Eurovizion" dhe për më tepër ne të dy përfaqësojmë vendin tonë të vogël në këtë garë kaq të madhe të muzikës.

A mendoni se do të kualifikohemi?

Besojmë në kualifikim. Deri tani kënga është pritur mirë në shumë shtete. Në konferencën për shtyp që patëm para pak ditësh, shumë nga gazetarët e pranishëm na folën për këtë gjë. Megjithatë, gjëja më e rëndësishme nuk është çmimi, fitorja etj. Rëndësi ka që ne të përfaqësojmë Shqipërinë, kulturën, muzikën dhe vlerat tona sa më mirë.

Si do të visheni gjatë performancës suaj?

Pak a shumë siç ishim veshur në provën gjenerale. Kostumi blu i Frederikut është "Armani", ndërsa fustani im është stiluar nga Rezarta Skifteri. Po ashtu na shoqërojnë në skenë edhe Joana (violinistja) dhe Erti, Denisi dhe Olti, që janë vokali. Mendoj se kemi një grup shumë kompakt. Nëse kalojmë në finale (thotë Aida), unë do të mbaj një veshje tipike të Shqipërisë së Veriut, xhubletën.

 

Histori e shkurtër e "Eurovizionit"

I bazuar thuajse tërësisht në formatin e Festivalit të Sanremos, Festivali Evropian i Këngës mund të konsiderohet si fëmija i Marcel Baison, që në atë kohë punonte për Unionin Evropian të Mediave Elektronike (EBU). Ideja ishte gjithashtu që të testoheshin limitet e teknologjisë së transmetimit live të asaj kohe. Festivali i parë u organizua më 25 maj 1956 dhe vetëm shtatë shtete morën pjesë. Me kalimin e viteve, festivali u zhvillua në mënyrë progresive dhe tashmë përfaqëson një formë komplekse konkurrimi të muzikës midis shteteve dhe për këtë qëllim që prej katër vjetësh festivali organizohet gjatë dy netëve, atë gjysmëfinale dhe finale. Fundi i Luftës së Ftohtë në fillim të viteve ‘90 çoi në një rritje të menjëhershme të numrit të pjesëmarrësve, sidomos nga Blloku i Lindjes. Ky proces vazhdoi me hyrjen e Shqipërisë dhe një vit më vonë të Bullgarisë dhe Moldavisë. Lihteshtajni është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka marrë pjesë asnjëherë në "Eurovizion", ndërsa këtë vit marrin pjesë për herë të parë Gjeorgjia dhe Çekia.


Favoritët për të kaluar në natën finale

Serbia

Qipro

Islanda

Zvicra

Suedia

Moldavia

Turqia

Sllovenia

Maqedonia

Holanda


Shtetet dhe radha e konkurrimit në gjysmëfinale

Bullgaria

Izraeli

Qipro

Bjellorusia

Islanda

Gjeorgjia

Mali i Zi

Zvicra

Moldavia

Holanda

Shqipëria

Danimarka

Kroacia

Polonia

Serbia

Republika Çeke

Maqedonia

Portugalia

Norvegjia

Malta

Andora

Hungaria

Estonia

Belgjika

Sllovenia

Turqia

Austria

Letoni

 

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama