Mendimi i baltes se pjekur

Mendimi i baltës së pjekur

Në pamje të parë duket sikur ke hyrë në një dyqan qeramike. Ka aq shumë punë njëra pranë tjetrës saqë të merren sytë nga larmia e formave dhe ngjyrave. Disa të vendosura në tokë, të tjera nëpër pode, disa në mure. Disa të mëdha, me forma obelisqesh, që rreken drejt qiellit, të tjera në forma më të rrumbullakuara, më paqësore, skulptura të vogla prej balte të pjekur… Janë rreth 200 punime në qeramikë dhe pak në grafikë të artistëve Vasillaq Kolevica dhe Llazi Tili, të ekspozuara prej disa ditësh në një prej sallave të Galerisë Kombëtare. Të dy vijnë nga Korça si për t'iu treguar kryeqytetasve se edhe në qytetin e tyre bëhet art, me shumicë madje. Artistët sjellin në ekspozitën e përbashkët relieve në qeramikë, vazo dekorative, skulpturë, etj. Është e përditshmja e derdhur në baltë, por ka edhe nga ato që Kolevica i quan astronomike, apo apokaliptike, edhe të tjera abstrakte. Janë punë të realizuara gjatë dy viteve të fundit, edhe pse vizatimet dhe skicat janë hedhur kohë më parë në letër. Vasillaq Kolevica ka 35 vjet që punon në qeramikë dhe fati i tij është mundësia që gjithçka që lë mbresë tek ai, qoftë kjo edhe abstrakte ta materializojë në lëndë. "Është një art që perceptohet lehtë nga publiku, është i prekshëm, krijon efekte dhe shijohet", - thotë Kolevica, i cili duket si më i dhënë pas poçarisë. Në punët e tij gjen pak nga artizanati i hershëm i poçarisë, pak nga arkitektura dhe kolonat e antikitetit, për të vazhduar me forma abstrakte, magmatike e forma flakësh, perceptime të vetë artistit, apo të tjera ku në qendër është njeriu, femra me format e plota e flokët e derdhur.

Llazi Tili preferon më së shumti skulpturën. "Të jep mundësi të shprehësh mendime", - thotë ai. Krahas 37 skulpturave Tili ka edhe 16 grafika që sipas tij shërbejnë për t'i dhënë pak larmi ekspozitës. Ai nuk preferon ta quajë "tematikë" fillin që lidh punët me njëra- tjetrën. Është më shumë përshtypje, frymëzim, që vjen prej ditëve të sotme. "Është shqetësimi që përjetojmë çdo ditë që më shtyn të punoj",- thotë ai. Dhe në të vërtetë, teksa kalon nga njëra punë në tjetrën nuk mund të mos të të bjerë në sy mendimi që rëndon mbi shpatullat e njeriut. Sheh njeriun me gjymtyrë të stërgjata të lidhura me njëra-tjetrën, me shpinë të kruspullosur, me kokë ndër duar, me një zgavër që formon brenda vetes. Është një njeri i shformuar, grua, apo burrë nuk ka rëndësi. Lakohet brenda vetes për të gjetur përgjigje. Ndryshon nën trysninë e viteve të tranzicionit, përpiqet të dalë nga vetja burg… Tili thotë se kemi nevojë të ndryshojmë, por ja që gjërat nuk ecin dhe aq shpejt sa do të donim dhe shqetësimi për të ardhmen rritet, por në rastin e tij kthehet në lëndë artistike.

Të dy artistët korçarë kanë vite që punojnë me qeramikën dhe pavarësisht periudhave të vështira që kalon arti, kanë mundur të mbijetojnë me punën e tyre. "Është e pamundur që të bëhesh i pasur me punën e artistit, por ai që punon jeton, dhe mirë madje", - thotë Vasillaq Kolevica. Menaxhimi vazhdon të mbetet një problem kyç. "Menaxhimi nga ana jonë lë për të dëshiruar. Ende nuk e kemi atë luks që edhe ne të kemi një menaxher tonin, që të mund të marketonte punët tona", - thotë ai. Përpara se të vinte në kryeqytet, ekspozita e qeramikës u përball me publikun korçar, i cili sipas artistëve e mirëpriti, çka ishtyu drejt Tiranës. Ajo do të qëndrojë e hapur edhe sot në Galerinë Kombëtare të Arteve.


Alma Mile - Gazeta Shekulli



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama