Ekipi kosovar triumfon ne garen e NASA-s

Ekipi kosovar triumfon ne garen e NASA-s

Ekipi “NatEv Explorer” nga Kosova ka fituar çmimin “People’s Choice Award” të NASA-s për inovacion. “NatEv Explorer” u rendit i pari, me 68 mijë e 803 vota, duke lënë pas tyre me 14 mijë vota më pak ekipin bullgar “RoboFabric”, në një garë virtuale që mobilizoi shqiptarët kudo ndodhen.

“NatEv Explorer” është një platformë e bazuar në një faqe interneti, ku sinkronizohen të dhënat në kohë reale të satelitëve të NASA-s, i cili bën klasifikimin e dukurive gjeologjike duke përdorur inteligjencën artificiale.

Ekipi kosovar prej 7 të rinjsh, që udhëhiqej nga Taulant Mehmeti, ka arritur që ta përfundojë për tri ditë sfidën, që ka të bëjë me zbulimin e dukurive natyrore nga shpërthimet vullkanike, vërshimet, tornadot, shkrirjet e akullnajave dhe zjarret në pyje.

“Kjo ide që ne kemi pasur dhe realizuar, kjo sfidë i ndihmon shkencëtarët në gjithë botën, për shkak se ata e dinë se çfarë është duke ndodhur rreth botës në bazë të informacionit, mirëpo nuk kanë potencial për t’i zbuluar të gjitha. Prandaj kërkojnë ndihmën e njerëzve rreth botës, që t’i ndihmojnë t’i zbulojnë ato ngjarje, për t’u ndihmuar për shkaqe të studimeve të tyre, por edhe për t’i lajmëruar nëse ndodh diçka. Kjo, për të mundur të thërrasin urgjencën, për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve, për të evituar edhe humbjet e jetëve të njerëzve”, tha Taulant Mehmeti, “NatEv Explorer”.

Projekti i të rinjve kosovarë ishte nismë e Qendrës Inovative të Kosovës, ndërsa drejtori i saj, Uranik Begu, për gjithë këtë sukses tha se meritën e kanë të gjithë shqiptarët.

“Ajo që është me rëndësi dhe vlen të përmendet është angazhimi dhe mobilizimi i të gjithë kombit shqiptar. Në veçanti, një falënderim i shkon edhe ministres së Inovacionit, zonjës Milena Harito, e cila na ka përkrahur dhe na ka ndërmjetësuar lidhjet me kryeministrin e Shqipërisë. Të njëjtën përkrahje e kemi pasur edhe në Kosovë nga Presidentja, kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, sigurisht nga shumë figura publike. Ishte një vullnet dhe dëshirë shumë e madhe, që me gjithë këtë angazhim dhe gjithë këtë përkrahje, mos të dështonim në fund”, tha Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i ICK-së.

Begu tha se ekipi fitues nga Kosova, tani do të ftohet në qendrën kryesore të NASA-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të thelluar bashkëpunimin. Në këtë garë të NASA-s, ku ekipi nga Kosova doli i pari, kanë marrë pjesë 133 shtete me 950 projekte./ Top Channel


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama