Jemi popull qe kemi tradite te pasur te gjithe kineastet do te na kishin zili

'Jemi popull qe kemi tradite te pasur, te gjithe kineastet do te na kishin zili'

Roli i nënës në filmin “Burrnesha” me regji të Laura Bispurit interpretohet nga aktroja Ilire Vinca Çelaj. Ajo e cilëson këtë rol në vetvete, si një nënë shumë moderne për mentalitetin, jo krejt të vetëdijshme, por ashtu të heshtur që gjen momentin, edhe vetëm nëpërmjet një fjalie të pozicionohet, si e tillë. Ajo si nënë nuk pajtohet me zgjedhjen e Hanës për t’u bërë burrneshë, sepse e di që do t’i duhet që të shndërrohet në një copë shkëmbi, edhe që s’do të jetë asnjëherë e lumtur. “Kjo pikëpamje e saj e bën një nënë shumë të ndjeshme dhe me gjithë ashpërsinë e maleve, “të jetës”, ajo arrin të mbajë diçka subtile në shpirtin e saj”, shprehet ndër të tjera aktorja nga Kosova. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Ilire Vinca tregon më tepër për premierën e filmit “Burrnesha”, që do të prezantohet në 12 shkurt në Festivalin e Filmit në Berlin. Aktorja Ilire Vinca Çelaj, rikthehet sërish pas katër vjetësh në Berlinale, pas pjesëmarrjes së saj te filmi “Falja e Gjakut”. Filmi “Burrnesha” është një histori e bazuar mbi romanin “Hana”, të shkrimtares Elvira Dones.

Zonja Ilire, ju jeni pjesë e filmit “Burrnesha”, që në 12 shkurt prezantohet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin "Berlinale", në Gjermani. Si ndiheni?

Natyrisht që ky lajm do t’a gëzonte çdo aktor, edhe madje kjo arritje i gëzon të gjithë shqiptarët, sepse përtej gëzimit si arritje individuale është arritja e përgjithshme, si shqiptare me gjuhën tonë, me temat tona dhe me ato vlera të traditës, që na dallojnë prej të tjerëve. Unë ndihem jashtëzakonisht e lumtur që pata fat që të paraqitem dy herë në Berlinale, herën e parë para katër vitesh dhe tani që e bën edhe më të veçantë ngjarjen në këtë film, sepse futet edhe emri Shqipëri e Kosovë për herë të parë në programin zyrtar, si bashkëprodhues të filmit.

Roli juaj te “Burrnesha” është ai i Katrinës (nënës së burrneshës). Çfarë mund të na thoni më tepër rreth tij?

Roli i Katrinës, nënës së burrneshës është një rol që më ka pëlqyer shumë, sepse në vetvete kjo nënë ka diçka moderne për nga mentaliteti, jo krejt të vetëdijshme, por ashtu e heshtur e gjen momentin që me vetëm një fjali të pozicionohet si e tillë. As unë nuk e kam parë filmin, sepse premiera është më 12 shkurt në Berlin dhe ndonjëherë edhe ne aktorët nuk e dimë, se si ka dalë puna jonë pas të gjitha fazave të post-produksionit, por vërtetë do të isha e lumtur nëse kjo linjë e personazhit të vihej re dhe të kuptohej. Katrina nuk pajtohet me zgjedhjen e Hanës për t’u bërë burrneshë, ajo e di që si e tillë, ajo do të shndërrohet në një copë shkëmbi, edhe s’do të jetë asnjëherë e lumtur. Kjo pikëpamje e saj e bën një nënë shumë të ndjeshme dhe me gjithë ashpërsinë e maleve, të jetës ajo arrin të mbajë diçka subtile në shpirtin e saj.

Nëse ndalim pak te burrneshat. A ju kishte ndodhur më parë që të takonit një burrneshë?

Ky fenomen është shumë i njohur në të gjithë Veriun, pra është i pranishëm edhe në Veriun e Kosovës. Mua me ka zgjuar shumë kureshtje ky fenomen. Kam hulumtuar edhe para se të bëhej filmi. Së bashku, me një ekip aktorësh nga New Yorku, patëm punuar edhe një shfaqje pikërisht për “Burrneshat”, para dy vitesh dhe kemi patur shumë diskutime lidhur me këtë. Është një temë që nuk të lë indiferente, është mahnitëse e tmerrshme, por dhe universale. Por ajo që e bën të bukur këtë traditë tonën është pikërisht motivi i lirisë dhe nderit. Këto gra që bëjnë këtë sakrificë, në këmbim të lirisë nderohen dhe pranohen, si të barabarta me burrat. Përderisa në botë këto zgjedhje bëhen për motive të ndryshme dhe gjykohen e paragjykohen, edhe ikja nga gjinia natyrale ka motive të lirisë dhe shprehjes seksuale. Nga ana tjetër këtë motiv e kemi të ndaluar te “Burrneshat”, gjë që e bën të nderohet dhe të arrijë një kult të nderit në shoqëri. Është një burim i pashtershëm trajtimi i kësaj teme dhe unë besoj që ky film do të ngacmojë edhe publikun e huaj, si dhe regjisorët e skenaristët.

Sikurse përmendët është hera e dytë që prezantoheni në "Berlinale" të Gjermanisë?

E përmenda edhe më herët që ndihem e bekuar që unë pata fatin, si shqiptarja e parë që tapetin e kuq të Berlinales t’a kaloja së bashku me yjet me të spikatur të kinematografisë. Është ndjenjë fantastike që emri i shqiptarëve të jetë i pranishëm në ngjarje të rëndësishme të artit dhe kulturës. Ne kështu mund të ndërrojmë imazhin, jo gjithmonë të mirë që kanë patur shqiptarët. Akoma më mirë u ndjeva kur në ekranin gjigant folëm shqip me traditën tonë të vjetër me skenar të shkëlqyer të Andamion Murataj, e me trajtimin modern që ju bë gjakmarrjes nga një regjisor fantastik, Joshua Marston. Atëherë Shqipëria humbi shansin që institucionalisht të përkrahte këtë film, që si i tillë pastaj do të ishte kandidat edhe në çmimet Oscar. Këtë herë jam edhe më e lumtur, që Shqipëria e Kosova bashkë janë konkurrente për të marrë Ariun e Artë .

Përpos filmit, ju kemi parë edhe në teatër, me shfaqjet nga Kosova që janë prezantuar në Teatrin Kombëtar të Tiranës. Nëse na bën një krahasim të emocioneve që të jep kinemaja, edha atyre që të jep teatri. Cilat janë më mbresëlënëset për ju?

Unë kam përvojë të gjatë në teatër, i takoj gjeneratës së parë të aktorëve, atëherë kur edhe u hap dega e Arteve Dramatike në Fakultetin e Arteve, viti 1989. Kam luajtur shumë role të bukura dhe të rëndësishme të dramaturgjisë botërore. Kam udhëtuar shumë herë me shfaqje edhe në skenën ndërkombëtare, si New York me shfaqjen “Doruntina”, sipas romanit të I.Kadaresë “Kush e solli Doruntinën”, një bashkëprodhim me trupën teatrore “Blessed Unrest”. Kemi shkuar edhe në Festivalin e Bogotes me shfaqjen “Rock”N”Roll” të autorit Tom Stoppard, në regji të Dino Mustafic, një prej regjisorëve më të angazhuar në Evropë. Ende vazhdoj me kënaqësi t’a shijoj punën në teatër. Viteve të fundit kam qenë më shumë e pranishme në filma, madje edhe në zhanrin e horrorit dhe prapë ndihem shumë mirë. Ajo që më bën ta dua filmin dhe teatrin janë projektet e mira të suksesshme. Emocionet në teatër i ndjen aty për aty dhe bashkë me publikun, ndërsa në film varesh më shumë nga kamera, dhe regjisori. Ne nuk e dimë derisa e shohim filmin se si ka marrë formë ngjarja dhe roli ynë.

Jepni mësim si pedagoge në Universitetin e Arteve ne Prishtinë, por sa të motivuar i shihni të rinjtë për artin?

Puna ime si pedagoge është një prej përgjegjësive më të mëdha dhe të bukura gjithashtu. Të rinjtë që zgjedhim janë shumë të talentuar dhe të motivuar, por mundësitë janë të vogla që të punojnë aq sa duhet. Unë mundohem të punoj me ta ashtu që ata të kuptojnë ku jetojmë, cilat janë mundësitë, si të luftojnë e të punojnë e të mosdorëzohen. Në fund është zgjedhja e tyre, por kam dëshirë që t’a definojnë ëndrrën e vet dhe të punojnë në atë drejtim. Unë besoj që do të kenë sukses, por duhet mund, punë dhe shumë pak fat.

Karriera

Si të ka lindur dëshira për t’u marrë me art?

Unë e kam ndjerë që duhet të merrem me art. Këtë prirje e kanë vrenjtur natyrisht prindërit dhe familja ime e gjerë e më vonë edhe shoqëria. Babai im është poet dhe studiues, xhaxhai im gjithashtu, hallën dhe talentin e kam kultivuar në familje. E vetmja dilemë e imja ka qenë a duhet të bëhem këngëtare apo aktore? Vendosa të bëhem aktore që këndon. Pra këtë dëshirë e kam kombinuar shumë bukur në disa prej shfaqjeve që kam luajtur.

A ka patur një moment në të cilin keni dashur që t’i thoni stop këtij profesioni?

Kam pasur momente të vështira natyrisht, në kohën kur unë studioja Kosova po kalonte vitet më të vështira të mbijetesës. Lufta po afrohej dhe lufta jonë e përditshme për të krijuar diçka që të mos ndjeheshim të nënshtruar, ishte shumë e fortë dhe na mbante si të thuash gjallë shpirtin. Në vitet ‘90 ne arritëm të krijonim shumë shfaqje. Publiku vinte të shijonte këto shfaqje dhe dilnin prej aty të frymëzuar të lehtësuar. Me gjithë këto vështirësi dhe historinë e luftës e shumë përplasjeve shpirtërore nëpër të cilën kalova prapë nuk më ka shkuar ndërmend të them stop. Jam krenare për gjithë atë forcë dhe kurajo që kam patur, edhe që vazhdoj ta kem në jetë, asgjë s’më ndal.

Cilin bashkëpunim do të veçonit si më mbresëlënësit gjatë gjithë karrierës suaj?

Secili bashkëpunim e ka bukurinë e vet. Është kënaqësi e madhe kur ekipi bëhet bashkë për herë të parë dhe ti futesh në një cikël të ri të punës. Natyrisht që disa prej tyre dallojnë prej të tjerave për nga vlera, rezultati, apo dhe arritjet ndërkombëtare. Tri momente “Falja e gjakut” , “Burrnesha” dhe “Bogota me Rock’N’Roll”.

Dhe së fundmi, a mendoni se për artistët shqiptarë bëhet mjaftueshëm, apo ka ende edhe shumë për të përmirësuar?

Më tepër parapëlqej të them a bëjmë ne vetë diçka për veten? Pse duhet të presim nga të tjerët, kush janë të tjerët?! Mendoj se ka ardhur koha të jemi më largpamës të jemi vizionar, të ndjekim hapat e kohës. Ka mjaft hapësira të bëjmë gjëra të bukura secili me punën e vet, e nëse duhet ndihmë t’a kërkojmë dhe do t’a gjejmë, pra hapësirën vetes mund t’ja krijojmë vetë nëse dimë, s’mund të presim të na e bëjnë të tjerët. Jemi popull që kemi histori, traditë të pasur dhe ngjarje që gjithë kineastët do të na kishin zili. Dy herë po shkojmë në Berlanale, pikërisht me këtë dhe kjo dëshmon mjaftueshëm se çfarë na bën neve të suksesshëm, njohja e vetvetes dhe e së vërtetës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama