Maks Velo Nga djegia e pikturave te tij te dhurimi

Maks Velo: Nga djegia e pikturave te tij, te dhurimi

Maks Velo i ka dhuruar fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve 54 vepra të tij. Ky gjest e bën Velon të parin artist që dhuron një koleksion të tillë.

Ashtu siç edhe e kishte lajmëruar në mbyllje të ekspozitës së tij vetjake “Retrospektivë”, në shenjë falënderimi Maks Velo i ka dhuruar fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve 54 vepra të tij. Ka qenë dëshira e Velos që të kontribuojë për pasurimin e fondit të këtij institucioni, duke dhënë një pjesë të veprave të realizuara prej tij ndër vite. Përzgjedhja e veprave është bërë nga studiues të galerisë. Ky gjest e bën Velon të parin artist që dhuron një koleksion të tillë për GKA –në . “Hitleri konfiskoi plot 1463 vepra dhe të gjitha u konsideruan si të zhdukura, kurse shteti shqiptar i dogji ato të miat. Ky akt është e kundërta e asaj që bëri shteti atëherë” – është shprehur Maks Velo gjatë konferencës për shtyp ,ditën e djeshme, duke shtuar se 10 prej veprave të dhuruara janë piktura nga ekspozita e tij e para pak ditëve, ndërsa 44 të tjerat janë vizatime arkitekturore, pjesë e fondit privat. Megjithëse nuk është bërë e ditur vlera monetare e këtij koleksioni, ai mbetet më i madhi dhuruar këtij institucioni.

Drejtori i GKA-së, Artan Shabani, e vlerësoi këtë dhuratë me vlerë për të gjithë brezat.

“Një javë më parë, artisti i dhuroi vepra të tij edhe Institutit të Monumenteve të Kulturës”, – tha gjatë ceremonisë së dhurimit ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, duke e vlerësuar këtë veprim si një akt qytetar të artistit ndaj trashëgimisë kulturore.

Kumbaro foli gjithashtu rreth mungesës së fondit të Galerisë për ta pasuruar me vepra të reja.

“Këtë koncept të krijimit të fondit për të pasuruar galerinë nuk e kemi gjetur dhe nuk ka qenë i parashikuar për vite të tëra”, – është shprehur ministrja.

Ky fond, thuhet se mungon prej tri vitesh, ndërsa deri më 2011-n ekzistonte një zë i veçantë në buxhetin e shtetit për blerjen e veprave të artit.

Më 10 shtator, Maks Velo hapi në mjediset e kësaj galerie ekspozitën “Retrospektivë”, nën kurimin e Suzana Varvaricës. Ekspozitë vetjake kjo pas dhjetë vitesh mungesë.

Ekspozitën me 99 punime, Velo e ka quajtur shumë të rëndësishme, ku ai solli rrugëtimin e një jete në art, prej viteve ’60 deri në ditët e sotme, e cila paraqiti një larushësi ngjyrash e teknikash, nga vaj e akrilik, grafikë, lavi e bojë kine për pikturën, për të kaluar te vizatimi në laps e pastel dhe te skulptura në bronz e allçi. Si një zbulim i shumë dimensioneve të vetë artistit, i cili u shpreh se edhe përdorimi i teknikave të ndryshme ka qenë diçka e brendshme, dhe ka mbërritur te Velo jo nëpër periudha të përcaktuara. Ajo çka piktori, skulptori dhe arkitekti ofroi për publikun në afro një muaj, sa zgjati edhe kjo ekspozitë, ishte një pjesë e vogël e koleksionit të një jete prej afro katër mijë punimesh të teknikave të ndryshme që ai i kishte në shtëpinë e tij.

Pritet që Velo të rikthehet në Galerinë Kombëtare të Arteve me një tjetër ekspozitë, të titulluar “I gjeni një qytet Migjenit”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama