Shtepia e Gjetheve hyrje ne boten e erret te sigurimit

Shtepia e Gjetheve, hyrje ne boten e erret te sigurimit

Intervistë me studiuesin dhe shkrimtarin Bashkim Shehu, rreth projektit të muzeut të përgjimeve të Sigurimit të Shtetit. Ata që më kritikojnë në emër “të njollave në biografi” janë bij shpirtërorë të sistemit të shkuar, thotë Shehu

 

Zoti Shehu, me hapjen e Bunkart dhe Shtëpisë së Gjetheve, Shqipëria nis të zbulojë të shkuarën e saj komuniste, në formën e një retrospektive të dokumentuar. Çfarë paraqet ky fenomen, sipas jush, për shoqërië shqiptare?

Zbulimi i dokumentuar i së shkuarës komuniste ka filluar prej kohësh, sidomos nëpërmjet librash të botuar, por këtyre botimeve nuk u është kushtuar vëmendja e duhur. Mendoj se kjo vjen për dy arsye. Së pari, vjen ngaqë libri në shoqërinë shqiptare nuk ka shumë impakt. Ashtu si edhe në vende të tjera, kultura po bëhet gjithnjë e më tepër kulturë vizuale. Së dyti, vjen nga një mosdëshirë për t’u përballur me të kaluarën nga ana e atyre që e kanë jetuar, ndërsa për më të rinjtë mund të thuhet se nuk u intereson. Dhe më duket kuptimplotë fakti që, ndërkohë, dokumente të së kaluarës botohen mjaft shpesh në gazeta, dhe mënyra se si botohen: ato shfaqen pikërisht në vendin e papërshtatshëm, sepse paraqiten të shkëputura nga çdo lloj konteksti, ndërsa njohja e historisë, për nga vetë thelbi i saj, kërkon pikërisht vënie në kontekst. Përndryshe, historia shpërfytyrohet, sepse copëzohet në trajtën e kureshtive me më pak ose më shumë karakter sensacional. Dhe kjo mënyrë përçudnuese e paraqitjes së historisë i përgjigjet funksionalisht mosdëshirës së lexuesve për ta njohur atë histori. Dhe, kur them “për ta njohur”, kam parasysh jo ndjekjen e diçkaje si reality show, porse atë lloj njohjeje që shpie në pyetje që njeriu i bën vetes, në një pozicionim aktiv të mendjes kundrejt objektit që njeh, çka në fund të fundit ndihmon për të njohur veten. Duket sikur kjo nuk ka lidhje me gjendjen e tanishme të shoqërisë shqiptare, po unë mendoj se një vetënjohje e tillë mund të vlejë për ta ulur atë agresivitet që kemi në shoqëri, agresivitet që vjen nga nënshtrimi ndaj një dhune shumëformëshe dhe poshtëruese në të kaluarën dhe, rrjedhimisht, nga një prirje e pavetëdijshme, po shumë e fortë, për të imituar sadopak poshtëruesit në një mënyrë apo në një tjetër, sepse vetëm ashtu ndihesh “zot”. Është një fenomen i studiuar më së miri nga psikologjia moderne. Dhe aq më i theksuar bëhet kur njeriu nuk ia pohon vetes gjendjen e tij të dikurshme poshtëruese. Kjo lloj klime agresiviteti, që vërehet edhe në politikë, po edhe në media, ka qenë mbizotëruese në këtë çerek shekulli të post-diktaturës dhe në të ka jetuar edhe brezi i ri, që nuk e ka njohur diktaturën. Pra, zbulimi i së shkuarës komuniste është një proces shumë i ndërlikuar, për të cilin sigurisht nuk mjafton hapja e disa muzeumeve. Gjithsesi, hapja e muzeumeve mund të ndihmojë në këtë drejtim, ndoshta më shumë se librat në shoqërinë e sotme, ngase muzuemi shprehet me një gjuhë kryesisht vizuale. Mund të ndihmojë duke u dhënë shkas refleksioneve për të kaluarën. Por kjo varet edhe nga shmangia e mediatizimit sensacionalist.

 

Ka pasur në media dhe opinionin publik ndonjë reagim rreth faktit që djali i ish-kryeministrit Shehu, merret me kurimin e muzeut të përgjimeve. Si i përgjigjeni këtij kriticizmi? Pse ju tërhoqi idea e realizimit të një projekti të tillë?

Ajo që ju quani “kriticizëm”, çka do të thotë gjykim i arsyetuar, në rastin më të mirë është paragjykim. Javët e fundit thuajse nuk e kam lexuar shtypin e Tiranës dhe nuk di çfarë është thënë për këtë që përmendët. Por nuk çuditem, kur kam parasysh sistemin nga vijmë. Sepse diskriminimi i bijve për shkak të prindërve, ose për shkak të “njollave në biografi”, siç thuhej atëherë, ishte një praktikë diskriminimi karakteristike për atë sistem. Kështu, së paku në këtë aspekt, ata që kanë pasur të tilla reagime si ato që përmendët janë trashëgimtarë shpirtërorë të atij sistemi, janë bij shpirtërorë të sistemit që përfaqëson ish-kryeministri Shehu, ndonëse mund të mos e njohin këtë atësi të tyren. Nga ana tjetër, kjo më kujton burgun. Atje, ne kishim vetëm një kriter për të bërë dallimin mes njerëzve të burgosur: i ndanim në bashkëvuajtës të ndershëm dhe në spiunë. Dallim tjetër nuk njihnim.

 

Ndërsa gardianët, ose më mirë komanda e burgut, nëpërmjet gadianëve ose drejtpërdrejt, përpiqej të na ndante edhe sipas prejardhjes familjare. Për shembull, mua më thoshin “pse je bërë mik me djemtë e ballistëve e të zogistëve”, të cilëve, na ana tjetër, u kujtonin çfarë u kishte bërë im atë ose pushteti i tij familjeve të tyre, a thua ata oficerë të Ministrisë së Brendshme nuk qenë pjesë e atij pushteti. Nëse ka ende njerëz që shprehen si gardianët dhe oficerët e burgjeve të dikurshme, keq më vjen për ta. Për më tepër – dhe kjo është diçka që mendja e këtyre gardianëve të vonuar nuk e kap dot: pikërisht fakti se njëri prej krerëve të atij regjimi dhe të terrorit të atij regjimi ka qenë njëkohësisht babai im, pikërisht kjo lidhje shumë e afërt jetësore, me dikë që më ka dhënë jetën mua dhe njëkohësisht u ka marrë ose u ka shkatërruar jetën sa e sa të tjerëve, më bën të ndjej detyrimin që në krijimtarinë time të përpiqem të hedh sadopak dritë mbi atë çfarë ka ndodhur në të kaluarën, dhe si ka ndodhur, dhe pse. Ky është edhe një nga shkaqet pse më tërhoqi ideja e këtij projekti. Një shkak tjetër ka një natyrë artistike, që ka të bëjë me origjinalitetin e tij.

 

Në vende të tjera ish-komuniste ka jo pak muzeume për diktaturën, por ky është i vetmi që synon t’i qaset së kaluarës totalitare nëpërmjet praktikave të atëhershme të përgjimit. Fillimisht, menduam që tema e përgjimeve të përbënte vetëm një fazë të parë të muzeumit, i cili në fazën përfundimtare do të përfshinte tërë ciklin e terrorit, që fillon me përgjimet dhe, pasi kalon përmes hetuesisë dhe gjyqit, ka si përfundim të pashmangshëm burgun. Por, gjatë kërkimeve përgatitore, pamë që tema e përgjimit kishte një lëndë aq të pasur sa që s’ishte nevoja të zgjeroheshim në tema të tjera. Natyrisht, muzeumi do t’i prekë edhe aspektet e tjera tematike të procesit të terrorit, sikurse rrjeti i bashkëpunëtorëve të Sigurimit, torturat, dhe rezultati përfundimtar, domethënë burgjet dhe internimet. Pa u trajtuar edhe këto aspekte, pa u vënë përgjimi në kontekstin e tij si një nga instrumentet e kontrollit totalitar, muzeumi nuk do kishte kurrfarë vlere. Po sidoqoftë në qendër të tij është përgjimi, si realitet dhe si metaforë e kontrollit totalitar. Gjithashtu, po përpiqemi që të mos jetë një muzeum në kuptimin konvencional të fjalës, të ketë një mënyrë kumtimi origjinale.

 

Një ndër akuzat, kësaj rradhe të politikës, është se nëpërmjet këtyre objekteve që sot kthehen në muze, po transmetohet në mënyrë të kamufluar një lloj publiciteti, një lloj nostalgjie për diktaturën. Cili është komenti juaj?

Për Bunkartin vetëm kam lexuar disa shkrime, të cilat nuk i kam kuptuar, përveç një artikulli nga Carlo Bollino, që m’u duk interesant, por nuk më krijoi përshtypjen e ndonjë nostalgjie për diktaturën, madje përkundrazi. Po Bunkartin s’e kam parë dot, kështu që nuk mund të gjykoj. Ndërsa për Shtëpinë e Gjetheve nuk jam njohur me akuza të tilla, sepse, siç thashë, javët e fundit e kam lexuar fare pak shtypin e Tiranës. Ndërkaq, do ishte e çuditshme të bëheshin akuza për Shtëpinë e Gjetheve, domethënë për një muzeum që ende nuk e kanë parë atë, çka është njëlloj si të hysh në një muzeum dhe të rrish me sytë mbyllur gjithë duke folur për muzeumin. Apo mos ndoshta ka dalë ndonjë metodë ose rrymë e veçantë kritike që bën të mundur vlerësime pa e parë atë gjë për të cilën flet? Nga ana tjetër, jam i bindur se, me shkrimet e mia, libra ose artikuj, si dhe me prononcime të ndryshme, nuk kam lënë vend për t’u konsideruar nostalgjik. Madje, nëse jam akuzuar, kanë qenë akuza në kah të kundërt. Të njëjtën gjë mund të them edhe në lidhje me qëndrimet e pjesëtarëve të tjerë të ekipit të punës.

 

Cilat kanë qenë tre elementet që ju kanë befasuar, kur keni zbuluar në detaje Shtëpinë e Gjetheve?

Në të vërtetë, asgjë nuk më ka befasuar, sepse e dija në çfarë bote po hyja. Sidoqoftë po përpiqem t’ju them disa nga elementet që më janë dukur më interesantë, ose më domethënës. Elementi i parë që po vë në dukje ka dalë gjatë kërkimeve përgatitore. Ndryshe nga të gjitha shërbimet sekrete të vendeve të tjera, Sigurimi nuk i ruante të dhënat e përgjimeve elektronike. Nuk i arkivonte, i asgjësonte ato. Kanë shpëtuar fare pak shirita me përgjime dhe nuk ka mbetur asnjë nga regjistrat ku bisedat e përgjuara zbardheshin me shkrim. Elementi i dytë ka dalë gjithashtu nga kërkimet përgatirore. Lidhet me numrin e bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Një numër shumë i madh, ndërsa njëkohësisht bashkëpunëtorët ndërroheshin pareshtur. Por gjëja më domethënëse qëndron në faktin se, krahasuar me STASI-n për shembull, me policinë sekrete të ish-Gjermanisë Lindore, Sigurimi, në vitet kulmore si të thuash, pra në vitet me më shumë bashkëpunëtorë, ka pasur afërsisht gjysmën e bashkëpunëtorëve të STASI-it po në vite të tilla – proporcionalisht me popullsitë përkatëse të dy vendeve. Dhe jo se diktatura në Shqipëri ka qenë më e butë se në ish-Gjermaninë Lindore. Përkundrazi. Në ish-Gjermaninë Lindore, të burgosurit politikë dënoheshin me nga një vit burg, me nga pesëmbëdhjetë muaj, ose edhe me nga pesë muaj, dhe pastaj dilnin nga burgu dhe rifillonin pak a shumë atë jetë që kishin pasur. Ndërsa në Shqipëri, po të dënoheshe për politikë, mund të mbeteshe në burg dhjetë vjet ose njëzet ose më tepër. Me një fjalë, nuk dihej kur do dilje dhe a do dilje. Edhe po të dilje, shpesh do veje në internim, pa gjyq dhe praktikisht pa afat, dhe ndoshta përfundoje prapë në burg. Dhe familja gjithashtu e pësonte, me internime ose edhe me burgime. Frika e të gjitha këtyre pasojave ishte një instrument shumë efikas i kontrollit totalitar dhe e pakësonte gjer diku nevojën e kontrollit nëpërmjet informatorëve. Dallimi ndërmjet Shqipërisë dhe vendit tjetër që mora si shembull krahasues, ish-Gjermanisë Lindore, pra, është dallimi ndërmjet një shteti më policor, që është ky i fundit, dhe i një shteti më totalitar, që është Shqipëria e asaj periudhe. Për elementin e tretë, nuk ju a plotësoj dot kërkesën, sepse përbëhet nga një sërë objektesh dhe të dhënash që kemi gjetur dhe që më mirë t’i shihni kur të hapet muzeumi.

 

Bunkart, Shtëpia e Gjetheve, hapja e dosjeve. Pse po ndodhin kaq vonë këto akte simbolike, në lidhje me ekspozimin dhe dënimin e të shkuarës komuniste në Shqipëri?

Për Bunkartin dhe Shtëpinë e Gjetheve, të cilat synojnë t’i qasen historisë nëpërmjet gjuhës artistike, kjo vonesë ndoshta mund të shpjegohet me atë se trajtimi artistik i historisë bëhet më i lehtë kur kemi një distancë kohore. Nuk po them se është e pamundur që kjo të bëhet qysh në fillim, dua të them se është më e vështirë. Ndërkaq, dënimi i së shkuarës komuniste është shprehur qartë me forma të tjera, simbolike ose të drejtpërdrejta, qysh me rënien e diktaturës. Ndërsa hapja e dosjeve përbën një çështje të një natyre tjetër. Simbolike është bërë tani, me kalimin me viteve dhe të dekadave. Po të kishte ndodhur qysh në fillimi, nuk do ishte thjesht simbolike. Vonesa mund të ketë ndodhur edhe për shkak të interesave të pushtetarëve, po unë mendoj se aty ka edhe diçka jo aq racionale sa interesi, madje diçka krejt irracionale: mbajtja sekret e një gjëje nënkupton, në vetvete, pushtet. Pavarësisht nëse është e rëndësishme apo e parëndësishme përmbajtja e një sekreti, e rëndësishme është mbajtja tij, fshehtësia në vetvete. Dhe aq më tepër nëse është një sekret i vjetër.

 

A ka muze të tjerë që i mungojnë “katalogut” të epokës komuniste dhe që sipas jush duhen hapur në të ardhmen?

Sigurisht që ka. Vetëm se, për të bërë muzeume të tilla, nuk mjafton ekspozimi i objekteve. Duhen ide. Pra, nuk duhet shtruar vetëm pyetja “çfarë”, po edhe pyetja “si”. Dhe për këtë pyetje unë kam përgjigje vetëm në lidhje muzeumin për të cilin po punoj dhe po përpiqem bashkë me të tjerë që të bëjmë diçka të mirë. Nuk marr dot përsipër më shumë në këtë moment.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama