Nolit sa i detyrohemi?!

Nolit, sa i detyrohemi?!

Me rastin e 13 Marsit 1965, gjysmëshekullin e vdekjes së Fan Nolit, figurës poliedrike shqiptare, do kishte nevojë për një konferencë shkencore të një rrafshi ndërkombëtar. Por, Shqipëria e tulatur prej krizës ekonomike, presionit të pashterë politik, jo vetëm nuk arriti ta bëjë dot, por ka të ngjarë që edhe përkujtimin e tij ta bëjë shumë të cunguar...

Tregojnë se në momentet e fundit, kur i thanë se tashmë forcat që do ta hidhnin nga pushteti nuk ishin fare larg dritares, ku ai vazhdonte të luante në flaut, ai thjesht vazhdoi. Është disi patetike kjo kujtesë dhe nuk mund të besojmë se Fan Noli ka qenë aq trim, por nga ana tjetër nga gjërat që kundrojmë në vite për të, mund të kuptojmë se një shpirt i tillë do mund ta bënte këtë akt në çfarëdo rrethane.

 


Fan Noli do ta mbyllte jetën e tij tokësore më 13 Mars të vitit 1965, në një shtëpi që e bleu pas ndihmës së komunitetit të përkushtuar shqiptar në Amerikë. Ndërkohë, që kur e kish nisur jetën më 6 Janar të vitit 1882, ai do të përshkojë një histori, të cilën mund ta ketë zili çdo regjisor i Hollivudit për subjektet e veta. Filloi si sufler, bëri punëtori të ndryshme, ishte konduktor etj., etj., ndërsa jetën e mbylli si prift, përkthyes, shtetar, diplomat, poet e historian shqiptar. Ndonëse kontributi në fushat ku ai është shprehur, tani mund të shihet me rezerva dhe me një optikë tjetër, qenësia e tij pozitive është e pakundërshtueshme. Studiuesit e tij më të ngushtë, ku veçojmë punën e madhe që ka bërë profesor Nasho Jorgaqi për njohjen e tij, mund të radhisin një sërë arritjesh syresh. Për ne, siç do të theksonte në të gjallë Ernest Koliqi, mbetet i shquar për krijimin e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse, drejtimin e fletores “Dielli” dhe futjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Në këtë të fundit, bota diplomatike do të njihte një personazh që do t’i turpëronte homologët e dërgatave diplomatike ballkanike për nivelin e lartë të kulturës dhe sintezat e mrekullueshme që bënte duke iu përgjigjur stadeve më të larta intelektuale të asaj kohe. Por se mos vetëm kjo. Duke marrë shkas nga refuzimi që autoritetet klerikale greke në Amerikë i bënë ritualeve funebre të një shqiptari të vdekur, ai do të fillonte dhe do t’ia dilte të fuste në hullinë e vet Kishën ortodokse shqiptare. Dhe, “Dielli”? Çfarë arritje dhe koncepti!


Gazeta “The Manchester Guardian”, në një koment më 23 korrik 1924, e përshkruante Nolin si një burrë që do të kishte qenë i shquar në çdo vend. “Diplomat i përkryer, ekspert i politikës ndërkombëtare, mjeshtër i debatit, që prej fillimit ai la mbresa të thella në Gjenevë. Me shumë mjeshtëri, por gjithmonë me buzë në gaz, ai i vuri me shpatulla pas murit të gjithë kundërshtarët e tij ballkanas. Ai është një njeri me kulturë të pamasë, që ka lexuar çdo gjë që ia vlen të lexohet në anglishte dhe frëngjishte”.  Regjimi zogist i rikthyer me të ashtuquajturën Fitoren e Legalitetit më 24 dhjetor, e dënon me vdekje në mungesë. Në fakt, e ka vetë fajin, pasi programi i tij me njëzetë pika për modernizimin e Shqipërisë duket se është një ngut i pashpresë dhe tejet i nxituar e idealist për një vend të prapambetur dhe pa tradita parlamentare. Burri që ka përkthyer Don Kishotin, e di se ai është vërtetë dhe i ngjan personazhit të tij të dashur. I shkruan një mikut, ku tragjedinë e vet jo vetëm e kupton por edhe e shpotit: “Duke këmbëngulur tek reformat agrare, zgjova zemërimin e aristokracisë çifligare; duke mos i zbatuar reformat, humba mbështetjen e masave fshatare”. Ndërsa pjesa më e madhe e intelektualëve i ruhet është dikush që “e masakron” pareshtur. Ai quhet Faik Konica dhe nuk gjen prehje madje edhe me shpirtin e vet.

 

Teksa Noli ikën i trishtuar me një koloni të tërë prej dhjetëra shqiptarësh nga vendi për të mos u kthyer më, Konica ia përvesh ashpër në kohën më të papërshtatshme: “qeveria juaj ka refuzuar këshillat e saj [Vatrës – N.J.] dhe ka kundërshtuar programin e saj direkt ose indirekt”. Ai i kujton  se “ju mungon një bazë legale, përderisa ju nuk bëtë zgjedhjet në qershor”, prandaj, propozon “një kompromis me bashibozukët, me qëllim që të shpëtojmë vendin nga një luftë civile”. Noli do e bëjë kompromisin por shumë vonë. Tani, i duhet të gjejë një vend ku do të mbështesë kokën. Nuk është se është i vjetër në moshë, por nuk është më as i ri. Bota vërtetë po prosperon pas Luftës së Parë Botërore, por Shqipëria është si mos o Zot! Vite më vonë, në Mea Culpën e tij shkaqet e dështimit i etiketon “mëkate mortale” që nuk mund të lahen as në Ferr e as në Purgator. Dhe, me humorin e vet e ka të qartë që të thotë se nuk bëri dot një “shtab tim qentral” dhe “shtabe lokale”. Mbeta rob i politikës dhe rob i “të metat e virtuteve të mia”, ku këtu se lë më modestinë të flasë, por shton i llastuar se shkak ishte pazotësia për intriga, luajaliteti absurd me njerëz të pabesë, të korruptuarit, parazitët, pa përjashtuar natyrën e tij që ishte “tepër mistike në një vend pa fe, tepër letrar në një vend që s’këndon, tepër i ndikuar nga vegjëlia korçare” dhe, së fundi, me gjithë vërejtjet shoqërore nga shokët, nuk i merrte parasysh, “bërja pas kokës, pa pyetur shokët”. Profesor Jorgaqi, që i hulumton të gjitha, shton edhe një gjë që i ka besuar dikur në intimitet Eqrem bej Vlorës: “Ky vend i çuditshëm nuk ka shok në botë. Këtu shpesh beu mund të jetë një fshatar, fshatari një patric, të gjithëve nën ato gunat e lypësit iu duket vetja kalorës i barabartë dhe madhështor sa tjetri. Këtu ndryshimi midis të pasurit dhe të varfrit, midis të fortit dhe të dobëtit fshihet nga ndjesia e dinjitetit të barabartë apo të përshtatjes. Këtu është sinori midis mënyrës europiane dhe asaj aziatike të jetës, midis koncepteve sociale gjermanike dhe latine, midis etikës së krishterë dhe asaj myslimane, këtu është paleta ku ngërthehen të gjitha ngjyrat dhe dritëhijet, të gjitha refleksionet e së kaluarës dhe të tashmes.”


Ndërkohë, Zogu, edhe pse e ka dënuar me vdekje nuk e ndjek deri në fund. Në botimet zyrtare të kohës së tij, “Shqipënija më 1937”, me rastin e 25 Vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, në një kapitull për kulturën shkruhet se: “me të janë lidhur emnat më të bukur e më të mallëngjyer të shkrimtarëve t’onë të kaluar. Çdo alfabet pati një serë të gjatë asi shkrimtarësh, po mbi të gjithë vetëm katër shkëlqejnë si yje të pa shoqë, Naimi, Fishta, Konica e Noli”. Vite më vonë, Zogu do ta ndihë dhe për mjekimin, ndërsa të dy janë të regjistruar në analet e dokumenteve të Zogut, sesi punojnë për një bashkëpunim në emigracion. 
...


Noli do t’i rezistojë dhe komunizmit, por në Shqipëri nuk vjen më. Do mbajë një komunikim interesant me Hoxhën dhe me diplomatët e tij. Do e përshëndesë Shqipërinë e Re, por era që andej nuk është se do t’i pëlqejë shumë. E ledhaton kujtimi i Shqipërisë, por edhe i ruhet të papriturave të saj. 1924 nuk është aq larg në kujtesë. Në fakt, s’ka dhe shumë kohë. Po dëgjohet troku i marsit të vitit 1965 dhe amshimi e thërret priftin politikan, që në jetë ka bërë atë që pak bashkëkohës të tij e kanë bërë: Nga një fshatar i panjohur arriti të bëhej një shtetar dhe personalitet, që do linte mbresë në kohërat e popujve të Ballkanit. Ishte shqiptar, për fat.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama