Rama-Serbise Te behemi si Gjermania dhe Franca

Rama-Serbise: Te behemi si Gjermania dhe Franca

Vetëm një ditë larg vizitës së parë zyrtare të kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç në Tiranë, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, dha një intervistë për gazetën serbe “Danas”. Në deklaratat e tij kryeministri Rama përmes një shembulli, kërkon të japë një këshillë, si mënyrë për të zbutur marrëdhëniet mes dy vendeve.

 

Duke iu referuar Francës dhe Gjermanisë, Rama shprehet se Shqipëria dhe Serbia mund të bëjnë për Ballkanin atë që dy shtetet e BE-së bënë për Evropën pas Luftës së Dytë Botërore.

 

“Vizita e Vuçiç në Tiranë ka një rëndësi të veçantë, pasi është një tregues i vendosmërisë sonë për vazhdimin e rrugës që nisi në Berlin, të udhëhequr nga kancelaria gjermane Angela Merkel”, u shpreh Rama, duke theksuar se ka besim në vizionin dhe vullnetin e kancelares gjermane sa i përket të ardhmes së Ballkanit.

 

“Ne presim thellim të bashkëpunimit me Serbinë dhe që së bashku të ecim në rrugën e paqes dhe të integrimit evropian, me besimin se Shqipëria dhe Serbia, populli shqiptar e ai serb, të mund të bëjnë për Ballkanin sot atë që Franca dhe Gjermania, francezët dhe gjermanët bënë për Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore”, tha Rama.

 

Kryeministri thekson se, nëse nuk do të punojnë së bashku për të ardhmen, janë të kërcënuar nga kthimi i së kaluarës.

 

Sipas tij, suksesi i bashkëpunimit përcakton jo vetëm fatin e shqiptarëve dhe të serbëve por edhe fatin e një projekti për Evropën e Bashkuar. “Evropa e Bashkuar është projekti më i madh i njerëzimit për paqe që mund të jetë imagjinuar ndonjëherë”, është shprehur Rama. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama