Avokatet e qeverise Rama Ilir Meta mori ryshfet per tenderin e CEZ

Avokatet e qeverise Rama: Ilir Meta mori ryshfet per tenderin e CEZ

Avokatët që përfaqësojnë OSHEE-në në një gjyq arbitrazhi ndërkombëtar në Vjenë, pretendojnë se kanë prova që Ilir Meta ka marrë ryshfet nga biznesmeni i akuzuar për mashtrim dhe pastrim parash, Kastriot Ismailaj. Ish kryeministri dhe kreu aktual i parlamentit, Ilir Meta akuzohet se ka marrë ryshfet nga Debt International Advisory, DIA, një kompani mbledhje borxhi që ka hedhur në gjyq OSHEE-në në gjykatën e arbitrazhit në Vjenë.

Detajet e akuzave kanë rrjedhur pasi DIA hodhi në gjyq kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike për prishje kontrate, duke kërkuar 130 milionë euro në vitin 2013, kohë kur kjo e fundit quhej CEZ Shpërndarje dhe ishte nën pronësinë e gjigantit Çek të energjisë, CEZ Grup.

Sipas një kërkese për t’i hedhur poshtë akuzat e ngritura nga DIA, një kopje e së cilës është siguruar nga BIRN, zyra ligjore e OSHEE-së, Clifford Chance pretendon se Meta ka qenë një nga përfituesit e pagesave prej miliona eurosh, të përfituara nga kompania e mbledhjes së borxheve prej CEZ Shpërndarje gjatë viteve 2010 dhe 2011.

Pronari i DIA-s, Kastriot Ismailaj është në arrest, i akuzuar për pastrim parash dhe mashtrim, i dyshuar se ka orkestruar një skemë mashtruese të mbledhjes së borxheve të CEZ, në bashkëpunim me ish kreun e bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, Josef Hajsek.

Skema erdhi në jetë pasi CEZ grup bleu 76 për qind të aksioneve të shpërndarësit të energjisë elektrike OSSH në vitin 2009 dhe duket se kishte për qëllim të influenconte në mënyrë të paligjshme politikanët shqiptarë si dhe Entin Rregullator të Energjisë Elektrike, ERE.

Sipas dokumentit të hartuar nga Clifford Chance, DIA përfitoi 1.48 milionë euro në 2010 nga CEZ Shpërndarje për një raport të pavlerë për identifikimin e borxhit të kompanisë. Kjo pagesë besohet se u përfitua nga DIA për të influencuar një vendim të ERE për uljen e çmimit me të cilin KESH ia shiste energjinë elektrike CEZ Shpërndarje.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama