Kompjuteri nje kazme e fshehte per shtyllen kurrizore

Kompjuteri, nje kazme e fshehte per shtyllen kurrizore
“Hë tani, mjaft bëre sikur ke punuar me kazmë. Ulur ke qenë gjithë ditën!” Janë fjalë të dëgjuara shpesh prej personave që zakonisht punojnë përpara kompjuterit. Ankesa për ndonjë dhimbje koke, mesi apo shpine, merr zakonisht një përgjigje jo të këndshme dhe të shpjegosh se qëndrimi ulur nuk është shumë i rehatshëm, nuk merr ndonjë reagim të këndshëm. “E megjithatë kompjuteri është si një kazmë e fshehur”, thotë fizioterapisti Leonard Xhillari, ndërsa e pyet lidhur me dëmet që mund të shkaktojë ky qëndrim tek personat.

Sipas tij, në përgjithëse shqiptarët nuk kanë një edukatë të të qëndruarit në mënyrë korrekte në karrige apo qoftë edhe në ecje. Apo për të qenë më të qartë, kanë një mungesë të madhe kulture në këtë drejtim. Dhe një gjë e tillë nuk është thjesht problem estetike, por sjell pasoja të rënda mbi shëndetin e gjithsecilit.

Për mënyrën e të qëndruarit fizioterapisti Leonard Xhillari e nis kritikën që nga momenti kur i afrohesh për intervistë. “Ju si fillim dua t’ju them se nuk po mbani një qëndrim të trupit në mënyrë korrekte. Në çdo moment duhet të kemi kujdes të madh për shtyllën kurrizore, pra që disqet intervebrale të rrinë sa më mirë”, thekson ai.

Më tej ai shpjegon mbi kulturën e vendit tonë për mënyrën se si qëndrojnë, pasojat dhe se si duhet të kemi një qëndrim sa më të rregullt.

Doktor, flitet shpesh për një qëndrim jo të rregullt, sidomos para kompjuterit…

Mund të them se ky problem është sidomos për ata që rrinë me orë të tëra para kompjuterit. Sepse njerëzit humbasin aty dhe më pas krijojnë një qëndrim jo të rregullt, duke kërrusur shtyllën kurrizore dhe duke i futur shpatullat brenda. Një gjë e tillë sjell shqetësim. Pasojat fillojnë me mpirjen trupit, që është e dëmshme dhe e rrezikshme. Është mirë që herë pas here të bësh ndonjë ecje rreth e qark, në mënyrë që trupi të qetësohet.

A vihet re ndonjë mënyrë të edukuari në popullatë se si duhet të qëndrojmë?

Vihet re një mungesë totale informacioni dhe këtë e shoh edhe tek pacientët që vijnë këtu. Kjo gjë vihet re tek të gjitha moshat. Le të marrim si shembull vajzat, duke qenë se përbëjnë shumicën që kanë probleme. Gjithçka fillon që në adoleshencë, në moshën 14-15 vjeç, kur ato nisin të kenë një zhvillim të gjoksit. Në këtë rast, duke u ndjerë keq përpara babait apo vëllait, ato fillojnë të kërrusen në mënyrë që ky zhvillim i tyre të mos vihet re. Por kjo sjell pasoja për shtyllën kurrizore. Ajo çka vihet re është fakti se prindërit nuk iu shpjegojnë vajzave se ky qëndrim nuk është estetik dhe i shëndetshëm. Nënat, por edhe baballarët, duhet t’u thonë se është mrië të qëndrojnë drejt.

A ka lidhje mënyra e të qëndruarit kërrusur me mentalitetin në përgjithësi?

Padyshim që po. Edhe në punë apo diku tjetër po të shohësh dikë që rri drejt, mban shpatullat drejt, njerëzit janë të prirur të thonë: “Shiko si po bën ky ose ajo, si kapërdiset”. Në fakt, personi që rri ashtu e ndien veten shumë mirë dhe një trup sa më drejt që rrijë në një kënd 90 gradë, aq më mirë është. Një mënyrë e gabuar vihet re edhe në shtëpi, kur njerëzit rrinë mbi kulltuqe apo divanë. Qëndrojnë të varur e të kërrusur në një mënyrë aspak të shëndetshme dhe problemet janë në këto raste edhe për pjesën e qafës. Kështu, mënyra e të qëndruarit është diktuar disi edhe nga vetë shoqëria. Unë mendoj se duhet edukimi i të gjitha brezave.

A mendoni se mund të përfshihet në kurrikulat mësimore se si duhet të qëndrohet në bankë, tavolinë dhe kudo?

Mesa di unë këto, kurrikula nuk ekzistojnë. Por do të ishte shumë mirë të ishin. Edukimi duhet të fillojë që në shkollë. Kjo është shumë e rëndësishme.

Pasojat e të qëndruarit në mënyrë të vazhdueshme jo në mënyrë korrekte cilat janë?

Janë të shumta. Fillon me dhimbje të shtyllës kurrizore, dhimbje koke, marramendje, përzierje. Një gjë e tillë bën që njerëzit të mos ndihen mirë as psikologjikisht, të kenë shqetësime, të nxehen shpejt, ndërkohë që mund të kalohet edhe në spoliartrozë.

Po sa i takon kushteve e të fjeturit, a janë të rëndësishme?

Sigurisht, krevati, dysheku dhe jastëku duhet të jenë në harmoni dhe të plotësojnë kushtet për një qëndrim sa më të rregullt.

Cilat janë profesionet që vuajnë më shumë nga qëndrimi jo i rregullt i trupit?

Mendoj se janë të gjithë ata persona që qëndrojnë me orë të tëra në karrige para kompjuterit. Madje, kompjuteri është quajtur si një kazmë e fshehtë që ndikon negativisht mbi shëndet, sepse para kompjuterit harrohesh për orë të tëra.

Është vënë re një ndërgjegjësim i njerëzve që duhet të fillojnë aktivitete fizike? Është mirë që këto ushtrime të kenë një udhëheqës apo mund të bëhen vetë?

Jo, është më mirë që të ketë një instruktor. Pasi në rast se bëhen ushtrime të gabuara, kjo mund të sjellë probleme në shtyllën kurrizore të personit të sëmurë. Mund të vihen ndoshta pesha që nuk janë të përshtatshme ose janë më të rënda seç duhet dhe kjo mund të çojë në një rëndim të situatës. Kështu që çdo gjë duhet të jetë mirë e kontrolluar dhe para se të nisen ushtrimet, është mirë që të ketë një instruktor për atë që duhet bërë.

Cila është mosha mesatare e personave që kanë probleme?

Le të themi 30-35 vjeç. Dhe shumica e pacientëve janë femra. Ka nga probleme të lehta që janë dhimbjet e mesit apo të shpinës, deri në ato të vështirat që nënkuptojnë spoliartrozën

Qëndrimi ulur, vithe më të gjera 

Qëndrimi ulur ju bën të keni të ndenjura më të mëdha. Ky lajm mund të bëjë të rrahë zemra e çdo punonjësi zyre. Por shkencëtarët janë shprehur se qëndrimi ulur për një periudhë të gjatë kohe ju bën që të keni një shtim shëndeti në vithe. Zbulimi shokues erdhi pasi u verifikua se trysnia që ushtrohet nga trupi në pozicionin ulur prodhon 50 përqind më shumë shëndet në vithe se në pjesë të tjera.

Kërkimet tregojnë se përse personat që qëndrojnë ulur për një kohë të gjatë dhe që kanë një jetë jo shumë aktive shtojnë shumë në peshë, sidomos kur ky lloj qëndrimi kombinohet me një dietë jo të shëndetshme dhe mungesë ushtrimesh. Më e bezdisshme për më tepër, është fakti se kërkimet tregojnë për të parën herë që edhe personat që ushqehen shëndetshëm dhe janë aktivë, do të kenë probleme në rastet e qëndrimit për një kohë të gjatë pas një tavoline.

Duke studiuar muskujt e pacientëve të paralizuar pas dëmtimeve të shtyllës kurrizore, u pa se me kohën qelizat yndyrore kishin filluar të pushtonin shumicën e muskujve në organe. Kjo bëri që të nisnin kërkimet lidhur me funksionimin e këtij mekanizmi dhe fusha e kërkimeve u zgjerua. U vu re se qelizat që qëndronin për një kohë të gjatë të tërhequra kishin rreth 50 përqind më tepër mundësi për të krijuar dhjamë.

Profesori Amit Gefen, i Universitetit të Tel Avivit tha se “obeziteti është më shumë se një disbalancim i kalorive. Qelizat në vetvete janë gjithashtu përgjegjëse për lëvizjen. Qelizat yndyrore prodhojnë më shumë trigliceride dhe me një ritëm më të lartë kur i nënshtrohen një tërheqjeje statike.

“Ka shumë mënyra se si qelizat mund të kuptojnë ngarkesën mekanike. Duket se qëndrimi mekanik statik për një kohë të gjatë, përfshirë peshën e trupit kur rrimë ulur apo shtrirë, ka një impakt në rritjen e prodhimit të yndyrës”.

Këto zbulime tregojnë se duhet t’i kushtojmë vëmendje edhe lëvizjes mekanike të qelizave tona, ndërsa marrim parasysh kaloritë që konsumojmë dhe djegim”, u shpreh profesori Gefen. Ai paralajmëroi se ndërsa ka raste ekstreme kur njerëzit janë lidhur pas një karrigeje për shkak të kushteve shëndetësore, njëkohësisht ka edhe të tjerë që bëjnë një jetë sedentare duke e kaluar shumicën e ditës pas një tavoline. Edhe një person me dietë të shëndetshme dhe që bën ushtrime do të ketë ndikime negative për shkak të periudhave të gjata të pasivitetit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama