Arsimi i larte pese argumentet e studenteve

Arsimi i larte, pese argumentet e studenteve

Qysh në kohën kur u projektua, e deri kur mori formën përfundimtare, projektligji i Arsimit të Lartë ka hasur në kundërshtinë e  rretheve akademike  e studentore. Këta të fundit, në mënyrë periodike, kanë ngritur zërin në fakultete, sheshe apo para kryeministrisë, duke kërkuar që  ligji i arsimit të lartë të mos shkojë në Parlament, në formën e propozuar.

Vitori Çipi, studente në  Fakultetin e Shkencave të Natyrës, tregon për “Shekulli”-n arsyet  se pse ligji i Arsimit cenon studentët e universiteteve shtetërorë, duke favorizuar një grupim të vogël të tyre. Ajo thekson se një peticion i dorëzuar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, me 7000 firma, nuk ka marrë vëmendjen e duhur, duke pohuar se Lëvizja për Universitetin do të luftojë për kauzën që ka nisur kundrejt reformës që po ndërmerret në arsim.

Duket se prej vitesh, zëri i studentëve kishte humbur në vendimmarrjen në universitete dhe shoqëri civile. Ju jeni një ndër përfaqësueset më aktive të një lëvizjeje, e cila duket se po e përfaqëson veprimtarinë e vet në oponencë me reformën e ndërmarrë për arsimin e lartë. Pyetja që shtrohet vjen në dy aspekte; së pari, a është rritur besimi dhe aktivizimi i të rinjve për të kërkuar të drejtat në universitete, dhe së dyti pse mendoni që ligji i arsimit nuk duhet të shkojë në Parlament për miratim?

Së pari, prej vitesh studenti trajtohet thjesht si një numër matrikullimi. Kjo vihet re që në vendimet e Ministrisë së Arsimit në fillim të vitit akademik kur përcaktohen tarifat dhe kuotat, asgjë më tepër. Në gjithë këto vite nuk ka pasur asnjë vizion politik që rrok studentin në gjithë dimensionin e tij, si përcjellës i dijes dhe sendërtues i universitetit, i cili duhet konceptuar si një hapësirë në shërbim të së mirës publike, emancipimit shoqëror dhe progresit të shkencës.

Sot vihet re një lloj transformimi rrënjësor i raportit të studentit me universitetin dhe burokracinë shtetërore. Edhe pse gjendet në një hapësirë ku i mohohet pjesëmarrja në vendimmarrje dhe ka një mungesë të theksuar informacioni mbi vendimet që merren për të, sot studenti nuk është më indiferent dhe i pavendosur për të kërkuar të drejtën e tij.

Prej më se një viti, Lëvizja Për Universitetin nëpërmjet veprimtarive të saj informuese, ndërgjegjësuese, emancipuese dhe kontestuese, si tryeza diskutimi në universitetet, zaptime e protesta, ka rritur të depërtojë te mijëra studentë. Me ta kemi kuvenduar dhe prekur plagët e sistemit arsimor e shoqëror shqiptar dhe, më specifikisht, pasojat edhe më shkatërrimtare të reformës aktuale në arsimin e lartë; mungesën e cilësisë së kushteve të studimit dhe të jetesës, rritjen e tarifave, problemet me burokracinë universitare dhe korrupsionin.

Së dyti, projektligji i arsimit nuk duhet të shkojë në Parlament për miratim, pasi është rezultat i një procesi antidemokratik dhe përjashtues, sidomos për studentët. Ky projektligj është kundërshtuar publikisht nga një numër i konsiderueshëm universitarësh, studentësh dhe pedagogësh, nga Senati i Universitetit të Tiranës, si dhe nga sa e sa këshilla fakultetesh. Të vetmit që e përkrahin janë përfaqësuesit e universiteteve private, dhe “mirë” bëjnë, përderisa prej tij do të fitojnë privilegje.

Cilat janë pikat themelore të këtij ligji, për të cilat ju protestoni?

Së pari, ne si Lëvizje jemi kundër këtij projektligji në tërësi. Komisioni është jo legjitim nga pikëpamja e universitarëve. Ai është emëruar nga kryeministri dhe i përgjigjet atij dhe jo universitarëve. Së dyti, ky projektligj rrit privilegjet e universiteteve private, duke u dhënë fonde shtetërore. Rrjedhimisht diçka e tillë do t’i shtyjë universitetet publike që, për të mbijetuar financiarisht, të rrisin edhe më papërballueshëm tarifat studimore.

Së treti, duke i trajtuar universitetet publike si ndërmarrje tregtare, ky projektligj synon tregtarizimin e dijes dhe shndërrimin e studentit në klient apo, siç e kemi thënë gjatë protestave, në bankomat. Së katërti, duke e trajtuar studentin si klient, qeveria kërkon ta përjashtojë atë si pjesëmarrës dhe vendimmarrës në jetën universitare duke e parë vetëm si qenie pasive. Së pesti, ndërhyrjet qeveritare në administrimin e universiteteve përbëjnë një sulm të papranueshëm ndaj parimit të autonomisë universitare.

Keni kërkuar dialog me Ministrinë e Arsimit për të shpalosur kërkesat tuaja?

Sa i përket kontakteve me Ministrinë e Arsimit këtë vit i kemi pasur vetëm në largësinë mediatike, në të cilën ministrja është tallur me shqetësimet studentore dhe ne e kemi shpallur person të padëshirueshëm në hapësirën universitare. Gjithsesi, më herët, më 4 nëntor të vitit 2014, i kemi dërguar një peticion Këshillit të Ministrave, me nr. protokolli 7969, që  përmbante mbi 7000 firma, ku mes një sërë kërkesash ishte edhe ajo e anulimit të reformës në Arsimin e Lartë.

Sigurisht që nuk kemi marrë asnjë përgjigje. E vetmja përgjigje e tërthortë ka qenë një letër e hapur e ministres së Arsimit drejtuar studentëve, e mbushur me gënjeshtra dhe keqinterpretime, në të cilën studentët trajtoheshin sikur nuk kishin ditur të lexonin një tekst të rëndomtë si projektligji në fjalë.

E parë në këndvështrimin e të rinjve, pse studentët duhet të besojnë kauzën tuaj? Si cenohen ata me zbatimin e ligjit që tashmë ka marrë formën përfundimtare?

Kauza është mbarëuniversitare, kësisoj prek sistemin arsimor në tërësi. Studentët do të reshtin së qeni të tillë, pasi në thelb të së gjithës nuk do të qëndrojë meritokracia studimore, por parimi “kap ç’të mundësh, kush ka më shumë, ble më shumë”. Në këtë mënyrë privilegjohen në arsimim të privilegjuarit ekonomikë në kurriz të masës së madhe studentore të të pamundurve. Konceptualisht një ligj duhet të jetë jodiskriminues, ndërkohë që ligji për arsimin e lartë diskriminon shumë studentë dhe e cenon dukshëm publiken për hir të privatizimit dhe tregtarizimit të sistemit, ashtu sikundër është bërë  tanimë në çdo sektor të jetës ekonomike e shoqërore.

Kjo reformë e cenon studentin nga ana financiare duke rritur ndjeshëm tarifat; nga ana e përfaqësimit duke e trajtuar si instrument të burokracisë universitare dhe bordeve drejtuese, si dhe ul pjesëmarrjen në vendimmarrje; si edhe nga ana e dinjitetit duke e trajtuar studentin si klient që blen kartonët e quajtur diploma dhe dijen si mall pazari. Këto janë arsyet përmbajtjesore se pse studentët duhet të na besojnë dhe të na bashkohen edhe më shumë. Përveç këtyre është edhe fakti se kemi më se një vit që përkushtohemi me ndershmëri, seriozitet dhe frymëzim në një kauzë me rëndësi jetike dhe kemi dhënë prova të panumërta që do të linin pa gojë çdo skeptik.

Ja pikat që u ndryshuan pas debateve në fakultete

Fillimisht, ishin Këshillat e Fakulteteve, ata të cilët në morën në dorë projektligjin e Arsimit të Lartë dhe në një hapësirë kohore prej një jave bënë sugjerimet përkatëse për  ndryshim. Jo vetëm ne medie, por edhe në mbledhjet e Këshillit, u evidentuan një sërë problematikash, ndër të cilat cenimi i autonomisë universitare, krijimi i agjencive burokratike, devijim nga procesi i Bolonjës etj. Pas marrjes së sugjerimeve nga Universitetet, hartuesit  e projektligjin bënë ndërhyrjet përkatëse, një pjesë e të cilave morën formë si më poshtë.

Neni 3, 2.  Liria akademike garantohet nëpërmjet të drejtës: a) për të organizuar veprimtaritë e mësimdhënies, ato kërkimore-shkencore, të inovacionit si dhe veprimtaritë krijuese; b) për të hartuar dhe zhvilluar programet e studimit dhe për të përcaktuar fushat e veprimtarisë kërkimore-shkencore; c) për të organizuar procesin e promovimit të personelit akademik.

Neni 8, 3.  Organizimi, funksionimi dhe kohëzgjatja e qëndrimit në detyrë e anëtarëve të KALKSh-it rregullohen me vendim të Ministrit përgjegjës për arsimin.

Neni 14, 2.  Bordi merr vendimin përfundimtar mbi akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve që ato ofrojnë.

Neni 15, 3.  Konferenca e Rektorëve jep rekomandime lidhur me çështje të arsimit të lartë me interes kombëtar.

Neni 17, 6.  Në variantin fillestar ishte “Organizimi dhe funksionimi i Bordit të  Akreditimit rregullohet  me vendim të Këshillit të Ministrave”. Në variantin e ri është hequr.

Neni 18, 3.  Akademia realizon kërkim shkencor bazë dhe të zbatuar, shërbime, si dhe ushtron veprimtari të tjera, bazuar në këtë ligj dhe në statutin e saj.

Neni 20, 3. Kolegji profesional ofron veprimtari mësimore dhe trajnuese, që zgjasin një deri në dy vite akademike me ngarkesë përkatësisht 60 ose 120 kredite ECTS dhe që finalizohen me lëshimin e një certifikate ose diplome profesionale.

Neni 32,3. Institucionet e arsimit të lartë dhe njësitë e tyre përbërëse rregullojnë veprimtarinë e tyre në rregulloret e tyre të brendshme, që hartohen dhe miratohen në përputhje me këtë ligj dhe sipas mënyrës së përcaktuar në statutin e institucionit të arsimit të lartë.

Neni 68, 3. Pranimet e studentëve në institucionet e arsimit të lartë në të gjitha programet e studimit bëhen me vendim të institucioneve, në përputhje me standardet shtetërore, të kapaciteteve akademike dhe infrastrukturore. Këto standarde verifikohen dhe certifikohen nga ministria përgjegjëse për arsimin, përpara deklarimit të kuotave të pranimit nga të gjitha institucionet e arsimit të lartë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama