Morati Sivjet titulli do jete nje shetitje per Juven

Morati: Sivjet, titulli do jetë një shëtitje për Juven

Masimo Morati nuk do ta ketë pasur shumë të lehtë që ta thotë atë fjalë, por duke qenë se tashmë është shndërruar thjesht në një tifoz, ish-presidenti zikaltër duket i dorëzuar: "Sivjet, titulli për Juventusin do të jetë thjesht një shëtitje". Një frazë e rëndë për një person që për 18 vite me radhë ka investuar fuqishëm dhe ka bërë beteja të ashpra kundër "Zonjës së Vjetër".

morati

Gjithsesi, tani që aksionet e tij në klub janë zero, emocionalisht ai është ftohur disi dhe në këtë mënyrë arsyeton në mënyrë më të qartë, të paktën duke kuptuar edhe analizën e tij të këtij fillimsezoni.

"Interi sivjet ka investuar mjaft mirë dhe kinezët po tregojnë se do të bëjnë gjëra serioze në skuadër. Por fakt është që largimi i Roberto Mançini dhe zëvendësimi i tij me Frank De Burin erdhi në një moment të keq, vetëm pak ditë përpara fillimit të kampionatit. Kjo nuk është diçka e vogël.

Pse u largua Manço? Unë mund të them vetëm që ajo ishte një lamtumirë e paralajmëruar prej kohësh, por vendimi i marrë prej Robertos dhe pa dyshim edhe drejtuesve të klubit erdhi shumë vonë. Gjërat mes palëve u komplikuan disi dhe papritur ndodhi ajo që të gjithë e dimë tashmë".

Në lidhje me drejtimin dhe të ardhmen e skuadrës, Masimo Morati beson se De Bur meriton kohë, pasi profesionalizmi i tij nuk vihet në diskutim.

morati

"I kam bërë vizitë Interit në ditët e kaluara dhe kam ndjekur edhe stërvitjen. De Bur më ka lënë një ndjesi shumë pozitive, duke treguar profesionalizëm të madh, por në të njëjtën kohë shoh edhe shumë lojtarë që dukeshin mjaft të ngurtë deri disa kohë më parë, që kanë gjetur një formë fizike dhe sidomos psikologjike ideale.

E di që tifozët nuk kanë mbetur të kënaqur nga paraqitja e skuadrës në këto dy ndeshje të para. Kjo është e kuptueshme sepse me blerjet e bëra premisat ndaj këtij grupi fantastik janë të mëdha. Por unë kam besim se brenda pak kohësh De Bur do të dijë të vërë në shina këtë skuadër dhe të gjithë ne do të dëfrehemi.

Është e kotë të shohësh renditjen pas dy javëve të para, sepse kampionati është shumë i gjatë dhe kohë për të rikuperuar dhe për të tentuar vendin e dytë ose të tretë ka pa fund".

JETON STAMOLLA



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama