Korabi ne hall per sulmues klubi pret nje uruguaian

Korabi në hall për sulmues, klubi pret një uruguaian

Korabi qëndroi pushim dy ditë pas miqësoreve që zhvilloi javën e kaluar. Lojtarët janë kthyer në vendet e tyre, teksa shumica banojnë në Tiranë.

korabi mergjyshiSot, skuadra do të niset përsëri drejt Peshkopisë për vazhduar stërvitjet deri në fund të gushtit.

Deri më tani Korabi ka bërë një merkato të fuqishme, por ajo ka mbetur në mes, pasi ende nuk është bërë e mundur gjetja e një futbollisti sulmues dhe mungesa është ndjerë mjaft në të gjitha ndeshjet miqësore që ka zhvilluar kjo skuadër.

Për pasojë, e gjithë vëmendja e stafit drejtues dhe atij teknik është përqendruar te gjetja e njeriut gol, që ende nuk po arrin ta zëvendësojë asnjë prej atyre që kanë ardhur për provë, pranë këtij klubi, ish-sulmuesin e sezonit të kaluar Sindit Guri, i cili u largua nga ekipi i Korabit kur klubi ishte në fazën konfuze të krijimit të skuadrës.

Por me sa duket dibranët janë të zhgënjyer nga tregu i brendshëm dhe janë në kërkim në tregun e huaj, ku një uruguaian (nuk bëhet i ditur emri i tij) do të jetë nga e hëna në provë ku do të shihen aftësitë e tij teknike e individuale, por dhe intuita e tij për të shënuar.

Kujtojmë se për këtë post janë afruar edhe 2 të huaj të tjerë, por që janë larguar për shkak të mosrënies dakord me ofertën e klubit dibran.

Kështu fillimisht është larguar Popoviç dhe më pas edhe sulmuesi Nigerian që pati ardhur për provë te Korabi, Abraham Adelajo, i cili ka vendosur largimin e tij nga Shqipëria.

Duke qenë se oferta nga Dubai ia ka prishur mendjen lojtarit, ai nuk e ka hedhur firmën me dibranët edhe pse këta e kishin kërkuar për të nënshkruar kontratën.

Abrahami ishte paraqitur mjaft mirë dhe tekniku Mërgjyshi ishte shumë pranë afirmimit të tij. Por vonesa ka bërë që lojtarit nigerian t'i vijnë oferta më të mira dhe përfundimisht ka vendosur largimin e tij nga Korabi dhe nga Shqipëria për të shkuar në Dubai.

Abdulla Dushku



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama