Statistikat ne Kosove me shume meshkuj se femra

Statistikat, ne Kosove me shume meshkuj se femra
Enti i Statistikave të Kosovës ka publikuar informacione statistikore për situatën gjinore sipas sektorëve të jetës ekonomike dhe sociale në vend.  Sipas të dhënave më të reja, përbërja e popullsisë sipas gjinisë është gati e njëjtë, por me një përqindje edhe pse të vogël shihet se Kosova ka më shumë meshkuj se femra. Në këtë publikim që është i pesti me radhë “Gratë dhe Burrat në Kosovë”, ka të dhëna statistikore më afatgjata, të krahasuara sipas viteve dhe ofrohen të dhëna të mjaftueshme, për analiza, krahasime. Sipas gjinisë, 28 për qind e popullatës është më e re se 15 vjeç, ndërsa gati dy të tretat (65 për qind) i përkasin grupmoshës 15-64 vjeç, grupmoshë kjo që njihet si ekonomikisht aktive.

Ndërkaq, shpërndarja e popullsisë sipas gjinisë është praktikisht e njëjtë në viset urbane dhe rurale, pasi 50.1 për qind janë meshkuj dhe 49.9 për qind femra në viset urbane, ndërsa 50.2 meshkuj dhe 49.8 për qind femra në viset rurale.  Nga të dhënat shihet se popullsia e Kosovës për çdo 100 lindje vajzash ka rreth 109 lindje djemsh, kurse mosha mesatare e martesës në vitin 2009 është 31 vjeç për burrat dhe 28 për gratë.

Analfabetizmi në Kosovë vazhdon të jetë çështje gjinore dhe e moshave. Femrat në përgjithësi janë më tepër se dyfish më analfabete se meshkujt (7.5 për qind krahasuar me 3.3 për qind në viset urbane dhe 11.3 për qind krahasuar me 5.5 për qind në viset rurale). Pjesëmarrja e grave në forcat e punës është gati sa gjysma e burrave. Në vite kjo përqindje është ulur nga 30 në 29 për gratë dhe nga 68 në 67 për burrat. Shkalla e papunësisë për vitin 2009 shënon 56 për qind për gratë, ndërsa për burrat 41 për qind. Ndër profesionet që ushtrojnë gratë më shumë janë shërbyese dhe teknike, ndërsa, burrat kryejnë gati të gjithat llojet e profesioneve.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama