Breza të tërë drejtorësh artistikë ishin përpjekur ta mbushnin plot sallën 1.200-vendshe të teatrit më të madh të Gjermanisë, das Deutsche Schauspielhaus Hamburg. Shkrimtari turk Orhan Pamuk ia doli kësaj pas asnjë problem. Salla e teatrit ku zhvillohej takimi me të ishte mbushur plot e përplot, deri në kariken e fundit.
Kjo orë letrare u zhvillua ndryshe nga ç'pritej. Shumë nga të pranishmit kishin ardhur për të mësuar më tepër për shkaqet që e kishin detyruar Pamukun ta shtynte këtë aktivitet, të tjerë për të dëgjura vlerësimin e tij për kaosin politik aktual në Turqi.
Për të gjitha këto shkrimtari 55-vjeçar nuk tha asnjë fjalë. Gjë që është e kuptueshme, sepse ai nuk ka dëshirë të shndërrohet në një hero tragjik të mosmarrëveshjeve me ultranacionalistët turq.
Mjaft domethënëse mbeten sidoqoftë fjalët e tij në cermoninë e dorëzimit të çmimit Nobel: „Djegia e librave apo poshtërimi i shkrimtarëve janë lajmëtarë të zinj kohërash të çmendura"
Më 19. janar ultranacionalistët turq vranë në mes të rrugës gazetarin armen Hrant Dink, mik i Pamukut. Më pas të arrestuarit e kërcënuan përmes kamerave televizive Pamukun duke i thënë "Orhan pamuk, thirri mendjes!" Kjo thirrje lidhej me një intervistë që kishte dhënë Pamuku, ku ndër të tjera kishte thënë "Në Turqi janë vrarë 30 000 kurdë dhe një milion armenë dhe askush nuk flet për këtë gjë. Pra më mbetet ta bëj unë."
Por nga këto nuk u përmend asgjë në teatrin e hamburgut Hamburger Schauspielhaus. E gjithë vëmendja iu kushtua librit të fundit të autorit "Stambolli".
„Fakti që kam lindur në Stamboll, i cili plaket dhe zbardhet i varfër dhe i rënduar nën hirin dhe gërmadhat e një një perandorie të shpërbërë, më duket ndonjëherë si fatkeqësi. Po një zë i brendshëm më thotë se në fakt, kjo është bekim."
Me këtë citat nga libri i Pamukut "Stambolli" ku autori ndërthur historinë e këtij qyteti me historinë e familjes së tij u hap ora letrare në Hamburg. Që të dyja historitë kanë të bëjnë me shpërbërjen dhe rënien, prandaj mërzia dhe plogështia e përgjithshme që karakterizon Stambollin - në turqisht 'hüzün' - zë një vend të gjërë në veprën e Pamukut.
"Fjala hüzün- shpreh një ndjenjë kolektive, fjala është për një humbje, humbjen e perandorisë osmane, e pasurive të asaj kohe. Njëkohësisht ajo karakterizon edhe ndjenjën e të jetuarit në kufi me perëndimin, atë ndjenjë që provon kur sheh se në anën tjetër gjendet vendet e pasura, kurse në këtë anë, ne që jemi të varfër." - e shpjegon Orhan Pamuk laitmotivin e librit të tij, e cila e përshkon atë si një mjegull e akullt.
Por në një takim të tillë nuk mund të shmangeshin pyetjet nota politike. Moderatori i këtij aktiviteti, Hubert Spiegel, gazetar i Frankfurter Allgemeinen Zeitung, donte të dinte, nëse Pamuku e shihte si kufizim etiketën që i vihet si ndërtues urash mes Lindjes dhe Perëndimit.
"Unë jam përpjekur t'i justifikoj këto epitete. Por ndërtimi i këso urave dhe shpjegimi i tyre nuk është detyra ime e vërtetë. Dhe po ashtu edhe pse nuk është detyra ime, unë prapë se prapë u përgjigjem pyetjeve që më bëhen në këtë drejtim, sepse nuk dua që Lindja dhe Perëndimi, feja islame dhe Evropa të kenë momarrëveshje me njera-tjetrën. Unë s'e dua këtë, sepse u përkas të dyja palëve.
Stacioni i udhëtimit letrar të Pamukut është edhe Berlini, ku atij do t'i akordohet edhe titulli doktor nderi i universitetit "Freie Universität Berlin".
Marre nga : DW-World











