Jo se muzikës shqiptare në vitet e shkuara i kanë munguar këngët që si temë kryesore kanë pasur dashurinë, një shembull është legjenda Vaçe Zela me këngën ‘Djaloshi dhe shiu’, por vitet e fundit, muzika, pa marrë parasysh zhanrin, të cilit i përket, është e dominuar nga tekste që i dedikohen dashurisë, madje mund të konstatohet se dominohet nga tekste që përmbajnë në vetëvete një dramë.
Vëmendjen time e tërhoqi kënga ‘Llokum’ e këngëtares nga Shqipëria, Rovena Stefa, e cila ndër të tjera në tekstin e saj fare qartë, i këndon të dashurit të saj, që në këtë rast e asocion me një ‘llokum’, ndërsa për veten thotë se ‘nëna e ka rritur atë si vajzë, vetëm për këtë djalë llokum’.
Apo këngëtari Blero, i cili nëpërmjet këngës ‘Fotografia’ i këndon një dashurie të përfunduar dhe që në mungesë të partneres tashmë mban në dorë një fotografi, të cilën ‘e lan me lotë’.
Një rast tjetër është këngëtarja Soni Malaj. Një ‘ndarje dashurie’ duhet të ketë qënë e vështirë për të, përderisa siç këndon edhe në këngën ‘Ndarja’, ‘shpirti i thyhet kur sheh ata dy sy’… dhe kur ‘lotët ende nuk i janë tharë’.
Por duket se ajo i ka ‘justifikuar’ ato lotë të tekstit, pasi kënga e saj, ashtu si edhe shumë të tjera të ngjashme me të, u bë nga më të dëgjuarat dhe u konsiderua si një hit.
Në një lokal të Shkupit pata mundësinë që të bisedoja me DJ-in, i cili në ato momente ishte duke luajtur këngë shqiptare, që dukej se kishin ‘rrëmbyer’ zemrat e disa vajzave aty pranë.
“Kërkohet më shumë muzikë aktuale shqiptare. Pavarësisht që shumë këngë janë të kopjuara, ato që kërkohen janë këngët që në qendër kanë dashurinë, dhimbjen e tradhëtinë dhe shumë pak i kushtohet vëmendje muzikës së mirëfilltë”, shpjegon DJ-i.
Pak vuajtje e mbuluar me muzikë dhe sukses i garantuar për këngëtarët. Por edhe një plotësim i dëshirës së publikut, që i pëlqen ato.
“Disa prej tyre janë të prekshme, ndërsa disa duket se janë të vjedhura me tekste të përshtatura. Shumica e këngëve kanë temë kryesore dashurinë, vuajtjen, xhelozinë, tradhëtinë.
Në një farë mënyre kjo reflekton edhe realitetin shqiptar, që mbizotërohet nga këto fenomene. Por gjithsesi unë i pëlqej këto këngë”, thotë për BBC-në një vajzë që po shijonte një kafe të shoqëruar me tingujt e muzikës shqiptare.
Ndërsa një tjetër, duke qeshur shprehet: “Tekstet e muzikës shqiptare më pëlqejnë në përgjithësi dhe i dëgjoj. Por ka edhe nga ato këngë me tekste të tilla si ‘më la, të lashë, ma theve zemrën, gjysma e zemrës mbeti gjallë, e gjysma vdiq’.
Mund të them se në shumicën e rasteve e gjej veten në këto këngë, sidomos në ato vajtuese dhe sakatuese për shpirtin.”
Por pavarësisht gjendjes së këngëtarëve, të cilët kur vendosin të dalin në tregun muzikor, preferojnë këngët ku dashuria dhe drama janë temë kryesore, ata duket se kanë të drejtë për këtë zgjedhje.
Pasi është vetë publiku që i përkrah këto këngë.
Marre nga : BBCAlbanian











