Azili ambasadori gjerman Po ikin edhe ata me paga te larta

Azili, ambasadori gjerman: Po ikin edhe ata me paga te larta

Gjatë një seancë dëgjimore të organizuar në Komisionin e Jashtëm, Hoffmann tha se i është ngritur shqetësim nga pronari i një kompanie gjermane në Shqipëri, i cili i ka thënë se nga stafi i tij janë larguar rreth 50 punonjës për azil, edhe pse kishin një rrogë dhe pozicion të mirë pune.

Ai ka apeluar ndaj politikanëve që të bëjnë çmos që të kthejnë shpresat e shqiptarëve dhe veçanërisht te të rinjtë, të cilët, sipas tij, janë të mendimit se në Shqipëri nuk ka të ardhme.

Diplomati gjerman ka folur dhe për problemet që hasin investitorët e huaj në Shqipëri, duke kërkuar që të shmanget roli i të fortit që bëjnë bizneset shqiptare për të nxjerrë jashtë loje investitorët e huaj. Për Hoffmann, problem kryesor mbetet Reforma në Drejtësi që, sipas tij, nuk do të jetë kuptimplotë pa nisur nga ndëshkimi i gjyqtarëve të korruptuar.

PËR AZILKËRKUESIT


“Për azil kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria, ka pasur edhe njerëz, të cilët kishin punë të mirë, dhe që paguheshin relativisht mirë. Pronari i një kompanie gjermane, që ka punësuar rreth 800 persona, më ka thënë, i frikësuar dhe i zemëruar, se rreth 50 persona nga stafi i tij janë larguar në Gjermani për të kërkuar azil dhe këto ishin persona me pozicione pune të paguara relativisht mirë. Ndaj, nuk është çështje varfërie ekstreme, thjesht njerëzit mendojnë se duhet të largohen.

E di që në vend ekziston, mes të rinjve, një ndjesi shumë e përhapur, që në Shqipëri nuk ka një të ardhme për ta dhe kjo ka ardhur si pasojë e një eksperience të fituar në vite. Këshilla ime shumë modeste do të ishte të gërmoni pak më thellë në atë çfarë duhet të ndryshojë rrënjësisht për t’u dhënë njerëzve ndjesinë shumë të rëndësishme të shpresës, në vend të akuzave dhe pretendimeve politike partiake ndaj njëri-tjetrit…

Do e keni parë, përmes medias, që kemi filluar të kthejmë shumë azilkërkues shqiptarë. Procesi i kthimit të tyre ishte i domosdoshëm dhe u përshpejtua shumë për shkak të fluksit shumë të madh që kishim dhe vazhdojmë të kemi me refugjatë nga Siria, Iraku, Afganistani dhe vende të tjera. Do t’i kthehem sërish kësaj çështjeje. Shpresojmë që lajmi i kthimit të përshpejtuar të azilkërkuesve shqiptarë do të përhapet shpejt dhe kjo të bëjë që njerëzit të kuptojnë se është humbje kohe dhe parash të tentojnë me rrugën e azilit”.

PROBLEMET ME INVESTIMET


“Sundimi i ligjit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për investimet e huaja dhe unë jam pyetur gjithmonë nga investitorë potencialë, duke m’u drejtuar më këtë pyetje: Zoti ambasador, duhet të pres që njerëzit të më pyesin, pak a shumë haptas, për t’ju bërë atyre një nder apo favor?

Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme në përgjithësi në vend, sepse i bën njerëzit të kenë shumë e shumë mëdyshje. Është shumë e rëndësishme për të trajtuar investitorët ekzistues e të huaj, në mënyrë korrekte dhe për të shmangur atë që unë do ta quaja sjelljen prej të forti të konkurrentëve vendës, të cilët përpiqen të mbajnë konkurrentët e huaj jashtë lojës.

Unë nuk jam duke folur në lidhje me rastet teorike. Unë do të them gjithashtu se diçka nuk shkon me marrëveshjen e tyre koncesionare, e cila është lidhur nga qeveria e mëparshme, kur ajo zgjidhet shpejt dhe në mënyrë transparente dhe nuk janë të angazhuar në atë që unë i quaj ato fushatë largimesh për të bërë kompanitë të ikin nga qytet.

Vetëm mos harroni se lajmi negativ hapet shumë shpejt dhe unë nuk dua të vihem në një pozicion si një ambasadë, ku unë me të vërtetë nuk mund të justifikoj për të rekomanduar Shqipërinë si një vend për investime…”

REFORMA NË DREJTËSI


“Sigurohuni gjithashtu se Reforma në Drejtësi të jetë kuptimplotë. Ne nuk jemi edhe kaq shumë të impresionuar nëse ka vetëm ndryshime në ligj apo rregullore, të cilat quhen reforma.

Ajo që ka rëndësi është zbatimi i reformës. Për ata që flasim gjermanisht, ka një shprehje gjermane që shpreh këtë: pastroni gëzofin, por mos më njomni. Kjo do të thotë se, nëse ju kërkoni që të bëni Reformën në Drejtësi, ajo pa dyshim që duhet të jetë kuptimplotë. Nëse kjo procedurë nuk fillohet nga gjyqtarët e korruptuar, unë nuk mendoj se kjo reformë është kaq kuptimplotë në Shqipëri.

Nëse Presidenti, Kryeministri, ministri i Drejtësisë, lideri i opozitës dhe praktikisht cilido me të cilin unë flas, vazhdon të thotë se korrupsioni është një problem i madh në Drejtësi, atëherë ky nuk mund të jetë rasti që gjyqtarët të mbeten të paprekur. Dhe në një mënyrë, kjo duhet vërtet të fillojë…”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama