Në këtë aktivitet marrin pjesë personalitete të shquar ndërkombëtarë, si virtuozi Ernst Kovacic, i cili luan me një violinë të Giovanni Battista Guadagnini të vitit 1753. Kompozitorë të njohur si Krenek, Cerha,Essl, Furrer Holloway, Staud etj., etj kanë shkruar vepra enkas për të. Ai këtë radhë ka pranuar ftesën për të ardhur në vendin tonë. Gjatë gjashtë netëve publiku, do të njihet me një repertor të larmishëm, me vepra të kompozitorëve të epokave të ndryshme, si Scarlatti, Teleman, Hendel, Bach, Brahms, Schubert, Stravinsky, Stockhausen, Hauer. Në programin e natës së parë është përzgjedhur edhe një pjesë nga kompozitori bashkëkohor shqiptar, Hajg Zacharian. Por, ngjarja më e madhe e kësaj mbrëmjeje është se për herë të parë, do të luhet në vendin tonë vepra e kompozitorit bashkëkohor Staud "Towards" dhe "Brighter". Staud është i pranishëm në Durrës.
Në mbrëmjet në vijim do të ketë të tjera vepra premierë për vendin tonë, të cilat interpretohen nga instrumentistët më në zë të Austrisë, që vijnë për herë të parë në Shqipëri, të tillë si pianistët: Harald Ossberger dhe Michael Lipp. Gjithashtu do të jenë dhe muzikantët shqiptarë që kanë kryer studimet jashtë vendit si Jusuf Beshiri, Emi Alicka, Isida Pronjari, Daorsa Dervishi. Përveç pjesëve me muzikë serioze ka një mbrëmje enkas për muzikën folklorike ku do të interpretohen pjesë të repertorit folklorik austriak nga violinisti Rudolf Pietsch, një etnomuzikolog i shquar i shkollës vjeneze, i cili prek për herë të dytë vendin tonë dhe është një simpatizant i Shqipërisë. Qysh në fëmijëri ai ka lexuar libra për historinë shqiptare, dhe i impresionuar prej tyre dhe realitetit shqiptar, gjithnjë është përpjekur të krijojë kontakte me vendin tonë. Po në këtë mbrëmje për nder të të ftuarve austrikë, marrin pjesë artistë shqiptarë si Ethem Qerimi dhe Fatos Qerimi dhe grupii mirënjohur polifonik "Jehona labe".
Nata finale e "Mozaik 2007" i kushtohet pantomimës. Protagonist i saj do të jetë George Wacks nga shoqata ndërkombëtare "Hunda e kuqe e kllounit".
Duke parë që ky projekt ka në bazë shkëmbimin kulturor në kuadër të procesit të integrimit europian të kulturës shqiptare, gjatë një jave do të realizohen dhe workshope, të cilat do të udhëhiqen nga muzikantët e pranishëm.
Dy ideatoret e aktivitetit, Emi Aliçka, e cila ka mbaruar studimet për piano në Universitetin e muzikor të Vienës dhe regjisorja Driada Dervishi, i hynë kësaj pune me dëshirën për të riafirmuar Durrësin si një kryeqender të shkëmbimeve shqiptare me Perëndimin, si dhe për të treguar kapacitetet e këtij qyteti për administrimin e veprimtarive me karakter ndërkombëtar. "Performanca e këtij aktiviteti le të jetë shenja e parë e performances së nje qyteti të ri që ngrihetpërmbi kulturën e rëndomtëtë pub-eve e diskotekave",- thonë ideatorët.
Ky projekt u mbështet nga Ministria e Marrëdhënieve Europiane dhe Ndërkombetare Austri, Ministria shqiptare e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ambasada Austriake në Tiranë, Bashkia Durrës. Ka kontribuar për realizimin e kësaj ideje dhe ish-ministrja e Arsimit dhe Kulturës së Austrisë Elisabeth Gehrer, ide që me këmbënguljen dhe dashamirësinë e personaliteteve të kryeqendrës së muzikës austrike, u kthye në projekt madhor, të cilin do ta shohim të mishëruar nga data 6 deri në 12 maj.
Marre nga : Gazeta Shekulli











