Katër vjet më parë, albanologu Robert Elsie kur rrëfeu në një intervistë të gjatë për një mbret të mundshëm të shqiptarëve, Franc Nopçën, nuk përmendi aspak se përveç kujtimeve, kishte rënë në gjurmë të një koleksioni të pasur fotografik të baronit austro-hungarez. Janë rreth 100 foto të rralla, të cilat Elsie i ka hedhur në faqen e tij të internetit dhe nadha leje të botojmë për herë të parë në shtyp disa prej tyre. Ky është koleksioni i parë që albanologu ka marrë përsipër të prezantojë në faqen e tij, dhe janë foto që i përkasin kohës kur Shqipëria zbulohej nga të huajt. Ai i ka kushtuar një faqe më vete Franc Baron Nopçsa-s, albanolog, paleontolog, gjeolog (1877-1933) i cili udhëtoi në Shqipëri dhe në jug të Ballkanit (Bosnjë, Kosovë, Maqedoni, Serbi) midis vitit 1903 dhe Luftës së Parë Botërore.
Elsie bën një prezantim të fotografëve të parë që kanë kaluar në Shqipëri, duke përmendur të parin udhëtim në vjeshtë të vitit 1863 të albanologut Johan Georg fon Han i shoqëruar nga fotografi austriak Jozef Sekeli i cili mendohet të ketë bërë ndër fotografitë më të hershme të Shqipërisë.
Më pas ai jep një panoramë të fillimeve të fotografisë në Shqipëri me udhëheqës të tillë si Marubi në Shkodër dhe në Korçë me përfaqësues si Petro Dhimitrit (1861-1946), Kristaq Sulidhi, Vani Burda dhe sigurisht, pak më vonë, dhe liriku i fotografisë shqiptare i shekullit të njëzetë, Kristaq Sotiri.
Iniciativa që Robert Elsie ka marrë për të prezantuar të kaluarën e Shqipërisë nëpërmjet fotografive, nuk ka për qëllim "të ofrojë një prezantim sistematik të fotografisë shqiptare. Ajo paraqet thjesht disa koleksione, deri tani kryesisht të panjohura, të fotografisë të hershme për Shqipërinë dhe për shqiptarët." Për këtë udhëtim, një studiues si Elsie do të fillonte patjetër nga koleksioni i Baron Franc Nopça-s (e gjeni në adresën,www figurën të cilën ai e njeh shumë mirë.
Në pamje të parë duket sikur këto foto janë si shumë të tjera që kanë realizuar udhëtarë dhe albanologë gjatë udhëtimeve në Shqipëri. Por më në brendësi të kolesionit dallon se Nopça brenda kategorisë së madhe të Veriut shqiptar është ndalur në kategori të tjera, si luftëtarët, kleri, jeta e përditshme dhe arkitektonika e relievit. Nga këto të fundit "Kodaku" i tij sjell peizazhe të shkreta të Maleve të Munellës në Mirditë, të Malit të Jezercës, të Qafës së Pejës, në veri të Thethit, të Malit të Cukalit etj..
Është e rrallë kjo foto nga Shqipëria e fillimit të shekullit, të cilën po e përdorim si ilustrim kryesor. Nuk e kemi ndeshur shpesh këtë natyrshmëri burrash në Rajë, të zveshur krejt, me përjashtim kokës që duke përdorur rrëshekun, të lidhur krahëqafë, kalojnë nga njëra anë tjetrën të lumit Drin. Dy burrat duken familjarë përballë njeriut që po i fotografon dhe kanë një qëndrim si në hall, jo se janë lakuriq para një burri tjetër, por pse mbase nuk kanë për ta ushtruar kaq kollaj në një ardhmen këtë zakon.
Prania e klerit katolik është e dukshme në koleksionin e Nopçës. Një varg malësorësh që "kufizohet" nga mësuesi i fshatit dhe sigurisht nga prifti.
Cikli i fotografive në një okër asnjanëse të krijon ndiesinë se koha në këto anë është ndalur se kjo e shkuar është vërtet e shkuar. E njëjta ndiesi vjen edhe nga fotot në Mal të Zi dhe Maqedoni. Por Shqipëria zë vendin kryesor, sepse siç nënvizon dhe albanologu Elsie, Franc Nopça e njihte këtë më mirë se çdo austro-hungarez tjetër. "Kishte një shtëpi në Shkodër, të cilën e përdori si bazë për udhëtimet e shumta në malësinë e Shqipërisë së Veriut. Gjatë rrugës mori me vete jo vetëm pushkën por edhe një "Kodak" dhe bëri fotografi të rralla dhe magjepsëse të rajonit. Origjinalët e fotografive prej xhami ndodhen në Muzeumin Hungarez të Historisë Natyrore në Budapest."
Nopca ka qenë komandant i një njësie ushtarake të vullnetarëve shqiptarë si dhe, ka marrë pjesë në Kongresin e Triestes në vitin 1913 për zgjedhjen e një princi evropian për Shqipërinë, kur edhe ai paskësh qenë kandidat, por jo i rëndësishëm, pasi nuk gëzonte mbështetjen e Austrisë dhe të Fuqive tė Mėdha. Pas pavarësisë së Shqipërisë dhe pas Luftës së Parë Botërore, Nopca u tërhoq nga politika dhe jetoi në Vjenë dhe në Budapest. Botoi 186 punime, 54 të këtyre veprave janë për Shqipërinë dhe për kulturën shqiptare. Kryevepra e botimeve albanologjike e baronit ishte "Gjeologjia dhe gjeografia e Shqipërisë Veriore", i botuar më 1929, me 600 faqe. Si vepra klasike të tijat njihen "Shqipëria e Veriut katolike", 1907, "Shtëpi dhe orendi në Shqipërinë e Veriut katolike" 1912, "Shqipëria: ndërtime, veshje dhe vegla popullore e Shqipërisë së Veriut" 1925, dhe sigurisht kujtimet "Udhëtime në Ballkan: Kujtimet e Franz Baron Nopcsa" të cilat i Robert Elsie i siguroi në Bibliotekën Kombëtare të Vjenës.
Edhe kujtimet në gjermanisht albanologu i ka hedhur në faqen e tij të internetit. Ndoshta një ditë do të përkthehen edhe në shqip. Po aty gjen disa foto të vetë Nopça-s me kostum kombëtar shqiptar dhe Nopçan vërtet baron, me automjete të kohës.
Duke iu referuar letrës që ai ka lënë para vetëvrasjes, mendohet se shkak ka qenë gjendja e rrënuar financiare. Është një shënim i dhimbshëm dhe njerëzor të cilën po e ribotojmë: "Arsyeja e vetëvrasjes sime është sistemi im nervor i hallakatur. Arsyeja që vrava mikun dhe sekretarin tim afatgjatë, zotin Bajazid Elmas Doda, në tëmblën kur flente gjumë, dhe pa dijeninë e tij, është që unë nuk doja ta braktisja të sëmurë, të shkretë dhe pa para në botë duke qenë se ai do të kishte vuajtur shumë. Unë dëshiroj që trupi im të digjet."
Ky ishte fundi tragjik i Nopça-s, 55 vjeç dhe dashnorit të tij shqiptar 45-vjeçar në banesën e tij në Vjenë më 25 prill 1933.
Kujtimet
Prezantimi i parë i Nopçës me shqiptarët:
"Nga Shkupi vazhdova, siç thashë, për në Prizren. Aty më dhanë tre zaptije për të më shoqëruar gjatë udhëtimit për në Shkodër. Natën e parë e kalova nė Hanin e Brutit dhe, kur u nisa gjatë agimit të ditës tjetër, dikush nga një pyll më kapi me plumb në një kthesë të rrugës nga ana e djathtë. Fisheku shpuri kapelën time shumë afër kokës, por nuk u plagosa. Unë zbrita menjëherë nga kali, kërkova të mbulohem dhe doja të qëlloja edhe unë, por nuk pashë njeri... Pjesa tjetër e udhëtimit nga Ura e Vezirit deri në Shkodër kaloi pa incident."
Ekspedita e parë e madhe në verë të vitit 1905:
"Më bëri shumë përshtypje një ngjarje në luginën e Cemit afër urës së Tamarës në tokën e Kelmendasve. Unë kërkova në një shtëpi pak ujë për të pirë, por në vend të ujit, zoti i shtëpisë, që nuk e njihja fare, më dha një tas me dhallë, të cilën e piva deri në fund. Pas pirjes, erdhi në shtëpi vëllau i zotit të shtëpisë, edhe ky i panjohur nga unë, dhe, duke qenë se ishte vonë dhe ai ishte i lodhur nga udhëtimi, donte të pinte dhallën. Natyrisht gjeti tasin e zbrazur, dhe kur zoti i shtëpisë i shpjegoi atij kush e kishte pirë dhallën, ai nuk u mërzit fare, siç mund të mendohet. Përkundrazi, ai tha që ishte fat që kisha ardhur unë në shtëpi para tij, sepse përndryshe familja e tij nuk do të kishte patur çfarė t'i ofronte mikut dhe miku do të ishte i detyruar të vazhdonte rrugën i pangrënë."
Elsa Demo - Gazeta Shekulli











