Ndryshon formula e Matures Shteterore

Ndryshon formula e Matures Shteterore
Ndryshon formula e llogaritjes së pikëve për aplikimin në shkollat e larta. Matura shtetërore e vitit që vjen do të aplikohet me rregulla tërësisht të reja. Ministria e Arsimit ka vendosur të ristrukturojë skemën e pranimeve, për shkak të kurrikulës që aplikohet për herë të parë në gjimnaze. Në të përfshihen veç kurrikulës bërthamë, edhe kurrikula me zgjedhje. Mbi bazën e tyre është bërë hartimi i listës së lëndëve të provimeve me zgjedhje, e cila ndryshe nga më parë, tani ka 27 alternativa. Atyre u shtohet edhe blloku i gjuhëve të huaja me 5 lëndë. Ministria e Arsimit publikoi dje udhëzimin për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore për vitin 2012. Sipas tij, maturantët si provime me zgjedhje do të kenë mundësi të zgjedhin domosdoshmërisht 2 lëndë.

Por, për herë të parë, atyre u jepet mundësia që në këtë grup provimesh të japin edhe një lëndë të 3-të me zgjedhje. Sistemi i kreditove është kushti kryesor. MASH ka përcaktuar numrin minimal të krediteve që duhet të kenë dy ose tre lëndët që do të jepen si provime me zgjedhje nga maturantët. Veç tyre, ata do të japin provimet e detyruara. Pra, ndryshe nga më parë, kur jepnin vetëm 4 provime, vitin që vjen në vartësi të prëgatitjeve, ata mund t’i nënshtrohen edhe një provimi të pestë. Për secilën nga lëndët me zgjedhje të listuar nga MASH, është vendosur edhe numri përkatës i krediteve. Gjuhët e huaja janë parë si prioritare dhe kanë numrin më të lartë të krediteve.

Kreditet dhe llogaritja e pikëve

“Maturantët e maturës 2012 duhet të zgjedhin lëndët për provimet me zgjedhje në mënyrë që shuma e krediteve e këtyre lëndëve të mos jetë më e vogël se 8. Numri i lëndëve me zgjedhje do të jetë 2 ose 3”, thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit. Sipas tij, kandidatët e maturës 2012, të cilët kanë dhënë provime me zgjedhje dhe janë vlerësuar me notë më të madhe se 4.5, mund t’i mbartin ato. Në qoftë se numri i krediteve të lëndëve të dhëna rezulton më i vogël se 8, atëherë kandidatët janë të detyruar të japin edhe një lëndë tjetër me zgjedhje për të plotësuar këtë kusht.

Çdo maturant mund të zgjedhë një ose dy gjuhë të huaja si provim me zgjedhje, me kusht që njëra të trajtohet si gjuhë e huaj e parë dhe tjetra si gjuhë e huaj e dytë, në përputhje me kreditet përkatëse, që janë 10 dhe 6. Sa i përket llogaritjes së pikëve, për herë të parë do të zbatohen dy formula. Kjo pasi maturantët do të kenë mundësi që në vartësi të dëshirës të japin edhe një lëndë të tretë me zgjedhje. Në tabelë gazeta publikon të plota këto formula dhe mënyrën si do të kryhet llogaritja. Sa i përket koeficienteve, në udhëzim jepen sqarimet përkatëse “Koeficienti 0.2 tregon që nota mesatare (M1), gjuha shqipe, letërsia (D1) dhe matematika (D2), kanë secila nga 20% të peshës së vlerësimit përfundimtar. Koeficienti 0.4 tregon që lëndët me zgjedhje në total, së bashku, kanë 40% të peshës së vlerësimit përfundimtar”, thuhet në udhëzim.

Sipas tij, shumëzimi me 5 në dy formulat e vendosura bëhet për efekt të referimit me pikët në maturat para 2012. Gjithashtu, janë përcaktuar edhe koeficientët për profilet e shkollave. Ato do të variojnë nga 1 deri në 1.4. Në total janë 5 koeficientë. “Koeficientët për lëndët me zgjedhje sipas programeve të studimit në IALP do të jenë gjithashtu 5. Përkatësisht, 1,1.1,1.2,1.3,1.4” ,thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit.

Shembujt dhe kreditet sipas lendeve
Për llogaritjen e pikëve:

Shënojmë me M,D1,D2,Z1,Z2 dhe Z3 përkatësisht pikët mesatare të shkollës së mesme,vlerësimet në lëndët e detyruara dhe në ato me zgjedhje
Shënojmë me K koeficientin e shkollës të përcaktuar nga IALP-të
Shënojmë me F1,F2, (F3) koeficientët e lëndëve me zgjedhje të përcaktuara nga IALP-të

Llogaritja e shumës E të pikëve të maturantit
1-Kur maturanti jep  2 provime me zgjedhje me formulën:

E2=(0.2 x(M+D1+D2)x K+ O.4 x (Z1XF1+Z2 X F2):2)X 100 x 5

Kur maturanti jep 3 provime me zgjedhje me formulën

E3=(0.2 x (M + D1+D2)X K+0.4X (Z1 x F1 + Z2 x F2 +F3 X Z3):3)x100 x5

Shembull:

K=1.4 M= 7.98 D1=7.70 D2=8.34
Z1=9.50,Z2=6.68,Z3=7.30,F1=1.3 F2=1.3 F3=1.2
E3=(0.2X(7.98+7.70+8.34)x1.4+0.4x(9.50×1+6.68x 1.3 +7.30X1.2):3)x100 x5)=10.318 x100 x 5=5159 pikë

Lëndët me zgjedhje
Nga kurrikula bërthamë:

Gjuhë e huaj e parë 10 kredite
Kimi 4 kredite
Fizikë 4 kredite
Biologji 4 kredite
Shkenca të tokës 2 kredite
Qytetari 3 kredite
Histori 5 kredite
Gjeografi 5 kredite
Ekonomi  3 kredite
Teknologji 2 kredite

Nga kurrikula me zgjedhje:
Letërsi e thelluar 5 kredite
Matematikë e thelluar
5 kredite
Fizikë e thelluar 2 kredite
Kimi e thelluar 2 kredite
Biologji e thelluar 2 kredite
Trashëgimi kulturore
4 kredite
Sociologji 2 kredite
Histori e thelluar 4 kredite
Gjeografi e thelluar 2 kredite
Psikologji 2 kredite
Filozofi 2 kredite
Ekonomi e thelluar 2 kredite
Teknologji e thelluar 2 kredite
Gjuhë e huaj e dytë
Angleze 6 kredite
Franceze 6 kredite
Gjermane 6 kredite
Spanjolle 6 kredite

Masterat, shtyhen afatet e aplikimit për kandidatët

Shtyhen afatet për aplikimet në masterat profesionalë dhe shkencorë. Ministria e Arsimit publikoi dje një udhëzim të dytë, ku janë vendosur datat e reja të regjistrimeve. “Aplikimet në programet e studimit të ciklit të dytë ‘Master profesional’ dhe ‘Master i shkencave’ do të bëhet pranë sekretarive mësimore, nga data 10.10.2011, deri në datën 30.10.2011, prej orës 8:00, deri në orën 18:00, ku kandidati duhet të paraqitet personalisht dhe të dorëzojë dosjen me dokumente”, thuhet në udhëzim. Sipas tij, dosja duhet të përmbajë fotokopjen e noterizuar të diplomës së ciklit të parë të studimeve të shoqëruar me listën origjinale të notave, dokument identifikimi dhe 2 fotografi. Po kështu, duhet një mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 2 500 lekë, paguar në Postën Shqiptare.

Veç tyre, është e domosdoshme edhe deklarata që vërteton se kandidati nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi të ciklit të dytë master. Pas shqyrtimi të dosjeve do të shpallen fituesit në ditët e para të nëntorit. Ata do të kenë 3 ditë kohë për regjistrimin përfundimtar. “Regjistrimi i aplikantëve në programet ku ata janë shpallur fitues të zhvillohet nga data 7.11.2011, deri në datën 10.11.2011, prej orës 8:00, deri në 18:00, pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të institucioneve publike të arsimit të lartë”, thuhet në udhëzim.  Për këtë vit akademik do të pranohen 15 284 studentë për të ndjekur studimet “Master” në universitetet publike. Për programet e studimit “Master i shkencave”, gjithsej do të pranohen 6676 studentë. Masterat profesionalë do t’i ndjekin 8898 persona. Masterat shkencorë do të zgjasin 2 vite akademike. Studentëve do t’u duhen të grumbullojnë në total 120 kredite. Ndërsa për masterin profesional duhen 90 kredite. Tarifat variojnë nga 72 000 lekë, në 252 000 lekë. Tarifa totale paguhet e njëjtë, si në rastet kur kohëzgjatja normale e programit të studimit është 2 vite akademike, ashtu edhe kur programi i studimit zgjat më shumë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama