Lotaria amerikane Shqiperia kampione aplikimesh

Lotaria amerikane, Shqiperia kampione aplikimesh

Statistikat zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit bëjnë të ditur se nga viti 2012 deri në vitin 2014, numri i shqiptarëve që kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane, ka ardhur duke u rritur.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, në vitin 2012 aplikuan për në SHBA 122 mijë e 567 shtetas nga Shqipëria, në vitin 2013 kjo shifër shkoi në 171 mijë e 362, ndërsa në vitin 2014 u regjistruan plot 198 mijë e 625 shqiptarë.

Për vitin 2015 ende nuk ka statistika zyrtare, pasi tetori i vitit 2015 kur edhe u kryen aplikimet për të jetuar në SHBA, do të pasqyrohet në statistikat e vitit fiskal 2016.

Nga statistikat, duket se Shqipëria është lidere në mesin e vendeve fqinjë, për numrin e aplikantëve. Duke bërë një krahasim shohim se nga Maqedonia në vitin 2012 aplikuan 18 mijë e 669 persona, një vit më vonë 21 mijë e 565 persona dhe në vitin 2014 aplikuan 33 mijë e 730 vetë. Serbia ka një kulm në vitin 2013 me 33 mijë e 510 persona shifër që ra në vitin 2014, me 27 mijë e 385 aplikantë. Nga Rumania aplikuan 60 mijë vetë në vitin 2012, dhe 72 433 vetë në vitin 2014. Bullgarët që duan të largohen në SHBA ishin 91 mijë e 179 në vitin 2014. Interesante janë shifrat që vijnë nga Greqia, vend për të cilin kryeministri Rama thotë se është vendi i origjinës së shumicës së azilkërkuesve shqiptarë. Në vitin 2012 nga Greqia kanë aplikuar vetëm 8103 persona, një vit më vonë 11 mijë e 35 vetë, ndërsa në vitin 2014 aplikuan 10 mijë e 990 grekë.

Me shifrat e aplikuesve, Shqipëria është në të njëjtin nivel me Algjerinë, e cila gjithësesi vjet ka patur 300 000 aplikues më pak. Edhe vende të tilla si Siria e Afganistani kanë me pak se ¼ e numrit të aplikuesve të Shqipërisë, ndërsa na e kalon vetëm Gana, vend nga i cili vjet kanë aplikuar 1 milion e 729 mijë 979 persona.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama