Prokuroria e mbylli une nuk e mbyll kurre! Do tju provoj te gjitheve qe nuk po genjej

'Prokuroria e mbylli, une nuk e mbyll kurre! Do t'ju provoj te gjitheve qe nuk po genjej'
Sot ajo eshte 16 vjeç. Tri dite me pare kemi qendruar me te dhe me nenen e saj per rreth 5 ore per te regjistruar kete rrefim te gjate. Ne apartamentin e tyre ne Tirane. Kemi botuar me pare deklaraten e prokurorise qe dosja mbyllet per mungese provash. Kemi botuar intervisten me regjisorin Bombaj  dhe botimin e librit te tij mbi kete ngjarje. Sot vendosem te botojme kete rrefim te vajzes qe pretendon se eshte perdhunuar qe ne moshen 10 vjec. Nuk dime kush genjen. Dime qe genjeshtari nuk jep kurre detaje. Sidoqofte, sikur edhe nje perqindje e vogel e atyre qe thote, te jete e vertete, ky eshte nje skandal nga me shokuesit.

PJESA I

Si është dita jote.. Emri yt është i përfolur për shkak të akuzave dhe kundër akuzave me regjisorin e njohur Leonard Bombaj..

Kam ditë të zakonshme si çdo gjimnaziste. Por fatkeqësisht e shkuara është tani pjesë e jetës sime dhe sado që të mundohem ta harroj, ajo është brenda meje.

Në shkollë a dihet historia jote?

Fatmirësisht në shkollë të gjithë sillen mirë me mua. Deri më tani nuk kam hasur asnjë problem. Askush nuk më vlerëson për atë që kanë dëgjuar po për atë që jam.

A është e lehtë të harrosh atë çfarë ka ndodhur?

Nuk është e lehtë aspak. Kur jam vetëm gjithmonë qaj por këtë kurrë nuk e bëj para syve të prindërve të mi.  Nuk besoj se do ta harrojë ndonjëherë këtë pjesë të jetës sime.

Artin e keni lënë mënjanë?

Nëqoftë se për 5 vjet jam dhunuar, psikologjikisht dhe fizikisht e kam duruar vetëm prej artit. Fakteqësisht kjo histori doli dhe tashmë  po hidhet baltë dhe mbi mua, mbi familjen time. Arti është një ëndërr e imja dhe unë po ju them se kurrë nuk mund të heq dorë prej saj.

E mbani mend si keni shkuar për herë të parë në shkollën e artit?

Si nuk më kujtohet. Ka qenë fillim i muajt maj isha vetëm 8 vjeçe. Atë ditë nuk ka qënë Leonardi në shkollë, por ka qenë zyshë Ana. Faktikisht dy muajt e parë kam qenë shumë e ndrojur dhe më pas kam filluar të aktivizohem më tepër dhe të shfaqja talentin tim. Pas kësaj kohe zyshë Ana i sugjeroi Leonardit  që të më shikonte sepse sipas saj isha vajzë me talent.

Performuat për profesor Leonardin?

Pas dy muajsh kursi të gjithë fëmijët, 15 veta ishim,  krijuam një shfaqje përpara prindërve dhe grupit artistik. Aty unë kisha një monologun tim që ishin shkëputur nga disa skenare amerikanë. Monologu im quhej “Unë jam vajzë e mirë”. Ky ka qenë momenti që  u vendos se unë  kisha të ardhme artistike. Leonardi filloi të miqësohej me familjen time dhe unë u përzgjodha që të shkoj dhe në një audicion të filmit  “Gjoleka  i biri i Abazit”.  Nuk u mora në film për shkak se personazhet vajza të filmit nuk kishin moshën time por nga regjisori u thanë fjalë shumë të mira për mua.

Ju thatë se pas këtij momenti  ka filluar miqësia mes familjes suaj dhe Leonardit. Profesori e kishte zakon të miqësohej më prindërit e fëmijëve të grupit?

Nuk e di, mbase po. Por  në grupin tim këtë miqësi kaq të ngrusht ai e krijoi vetëm me prindërt e mi. Leonardi kërkoi të afrohej me familjen time për t’u treguar se çfarë vajzë të talentuar kanë, dhe siç ua thashë familja ime e mirëpriti.

Për sa kohë ka vijuar marrëdhënia juaj profesionale?

Fillimisht gjithçka shkonte mrekulli. Unë u  përzgjodha edhe  në rolin kryesor të një shou që e transmetuam në televizionin shtetëror. Unë isha në rol një shkencëtare që krijonte, dhe pas dy vitesh shkollë në kursin e artit, ky ishte roli im i parë i rëndësishëm. Pas kësaj ka filluar të ndryshoj gjithçka. Menjëherë pas shfaqjes unë kisha dhe një intervistë. Pasi e përfunduam Leonardi më thotë se do të më çonte ai në shtëpi. Kjo ishte hera e parë që e bënte. Më tha se i kishte thënë babait tim se do të më çonte ai, dhe në fakt ne përfundojmë në shtëpinë e tij.

Atë ditë keni qenë vetëm ju?

Jo kemi qënë grup, por Leonardi më mori veçmas, me argumentin se kishte folur me prindërit e mi. Në fakt, pas dy vitesh që ai hynte dhe dilte në shtëpinë time babi dhe mami i besonin verbërisht. Po ashtu dhe unë. Po filloja të shihja se mundi im në prova po jepte rezultat. Po dilja në televizor dhe isha bërë imazhi i shkollës së artit.

Ç’ndodhi në shtëpinë e Loenadrit?

Unë  isha fëmijë,  nuk e dija atekohe as ku ndryshonte mashkulli nga femra. Në shtëpi jam sjellë normalisht deri sa sjellja e Leonardit ndryshoi krejtësisht. Nuk ishte më ai profesori që  njihja unë prej dy vjetësh. Aty më ka përdhunuar. Më ka rënë të fikët dhe kur jam përmendur kam parë vetën time të zhveshur.

Mbani mend detaje të kësaj ngjarje?

(qan) Ne fakt nuk është gjë e bukur të flas  për këtë. Nuk dua ta kujtoj kurrë më atë ditë..

Ju joshi me diçka, pije, cokollata?

Jo, jo me cokollata. Me fjalë duke më thënë që asgjë e keqe s’do të ndodhte. Fillimisht nuk kam kuptuar asgjë. Leonardi hoqi bluzën dhe unë nuk ia mora për keq. Pastaj më mori për dore duke më çuar në  dhomë.

Në cilën dhomë?

Në dhomën e gjumit të tyre. Më ka tërhequr dhe aty jam trembur se ka filluar të më zhveshë…

Keni bërtitur? Ju ka dëgjuar kush?

Po, në momentin që ai ka tentuar të më heqë pantallonat kam qarë, i jam lutur të më linte. Po s’di kush më ka dëgjuar. Di që  kam filluar të ulëras.

Ç’ndodhi më pas?

Mbi komo kishte një shishe ujë dhe fillimishtë më ka lagur në trup. Filloi të më prekte me duar (e ndërpret rrëfimin duke qarë)

Atë ditë ka ndodhur penetrim fizik?

Po, por për mua ishte një makth i vertetë, nuk po kuptoja asgjë. Ndjeja dhimbje dhe kam patur gjakderdhje. Për disa momente kam humbur ndenjat.

Po Leonardi ç’po bënte në këto moment?

Po përpiqej të më qetësonte mua. Më thoshte shëëëët  nuk është asgjë… (qan)

Mban mend çfare të ka thënë më pas?

Me thoshte “Dëgjo Ajs, tani ne do të mbajmë një sekret të dy bashkë. Këtë nuk do ia themi askujt, as kujt. Ndryshe jeta jote merr fund. Së pari do të ndërpritet arti, nuk do të dalësh nëpër televizora, babai jot do të futet në burg. Të gjithë do të tallin.. Pasi babai jot do të futet në burg.. Nuk ka kush kujdeset për ty. Këto i ndodhin të gjitha gocave….”I kam premtuar se s’do t’i tregoj askujt. Ai më ndihmoi të vishesha, dhe më ka cuar  në shtëpi. Gjatë gjithë kohës nuk fliste, për atë çfarë ndodhi por për projektet artistike dhe të ardhmen e bukur që mua më priste.

Leonardi u ka sjellë deri në derën e shtëpisë?

Po. Unë sapo kam hyrë kam parë mamin dhe shkova në dhomën tjetër ndërsa Leonardi ndenji duke biseduar me babain dhe nuk e di se për cfarë kanë  folur.

Po ju folët atë natë me prindërit tuaj?

Jo. Jam shtrirë në krevat dhe s’kam guxuar të shoh asnjë me sy.

Të nesërmen.. Çndodhi? Shkuat në kurs?

Unë nuk shkoja çdo ditë në kurs por tre herë në javë.

Ju më thatë që jeni regjistruar në maj në kurs dhe keni qenë 8 vjeç.. Kur ka ndodhur kjo ngjarje.. Sa vjeç ishit kur ndodhi ngjarja?

10 vjeçe. Marrëdhënia ime me Leonardin  për dy vjet, deri në tetor të 2005, ka qenë normale. Gjatë kësaj kohe, nga 2003 kur jam regjistruar, Leonardi u përpoq të zinte  miqësi  më familjen timë ndërkohë që unë i përkushtohesha në maksimum artit.

Pas kësaj ngjarje, kur u takove sërish me Leonardin?

Pas disa ditësh, por ai u soll sikur nuk kishte ndohur asgjë. Më pyeti si isha me shëndet. Më merrte veçmas dhe më thoshte : “Do bësh ashtu siç e lamë ëë, të rri i qetë personi?”  E  unë që i përgjigjesha po presor rri pa merak. Unë në atë kohë  nuk e dija çfarë kishte ndodhur me mua. Dija që vetem nuk doja të përsëritej kjo gjë por jo se e dija se ishte gjë e mirë apo gjë e keqe. Madje  deri në moshën 12 vjeçe nuk e kam ditur si të tillë, si marrëdhënie seksuale atë që bëri profesori me mua.

Po kur e kuptove?

Si?

Kur e kuptove qe kishte ndodhur dicka e rende me ty?

Në shkollë. Ne në këtë moshë bëjmë lëndën e edukatës seksuale. Në këtë kohë kam menduar për veten, po unë si jam. A jam e virgjër?  Dhe pas kësaj i jam drejtuar Leonardit për të ditur si jam.  E pyes: A nuk quhet marrëdhënie seksuale ajo që të ke bërë me mua? Seriozisht Leonardi pati disa çaste depresioni duke humbur kontrollin. I binte vazhdimisht  timonit të makinës  dhe më thoshte çfarë janë këto që thua. Unë nuk jam pedofil. Ti je muza ime. Unë të kam trajtuar  ashtu siç duhet trajtuar një vajzë si ti.  Dhe duhet të kesh sa më shumë eksperinca kështu që të lutem të mos ta dëgjoj më nga goja jote këtë gjë. Dhe unë s’kam guxuar ta pyes më kurrë. Por deri sa unë kam mbushur 13 vjeç le të themi historia jonë u harrua. Nuk më ngacmonte, dhe mes nesh ishte ajo  marrëdhënia mes profesorit dhe nxënësit. Asgjë më shumë se kaq.

PJESA II

Sillej njesoj Leonardi me fëmijët e tjerë të grupit?

Jo. Ai tregonte një kujdes shumë të madh për mua, duke shkuara deri në ekstremitet. Më shoqëronte gjithkund vetë. Babit i thoshte rri i qetë.. Prindërit e mi i besonin Leonardit, ai ishte njeriu që më hapi dyert e artit. Pastaj duke qenë se Leonardi nuk po më ngacmonte më dhe unë nuk doja as ta kujtoja atë që kishte ndodhur. Deri sa gjërat filluan të përsëriten.

Si të përsëriten?

Sapo u kthyem nga Kroacia, aty ishim në një aktivitet që zgjati 5 ditë. Në këtë veprimtari shfaqja jonë u vlerësua shumë dhe filluan të shkruajnë gazetat për suksesin tonë. Në atë shou muzikal mora çmim dhe komplimente nga regjisorë të huaja që ishin aty. Leonardi më thoshte: “Ajs u rrite, Ajs po kap majat”. Mua më pëlqente jeta që po bëja në atë kohë. Isha e kërkuar. Isha imazhi i një shkolle, ç’mund të doja më më shumë si fëmijë që isha. Por gjithçka mu kthye në një makth të vërtetë.

Çfarë ndodhi?

Sapo jemi kthyer nga Kroacia Leonardi më vjen dhe më merr në shtëpi duke i thënë babit se do të bisedonte më mua për disa projekte. Unë kam qenë në vend të parë të makinës. Kam pas veshur një palë pantallona të shkutra duke shkuar për në lokal filloi të më fërkojë tek këmbët duke më thënë: Ajs, Ajs të thashe se je më e mira, shiko se çfarë shkruajnë gazetat për ty. Të pata premtuar që do të bëja aktore të madhe. Ajs ke arritur majat, duhet të coj më lart por kjo do të arrihet vetëm në bashkëpunim me njëri- tjetrin. Dhe vazhdonte më ngacmonte me dorë.. Faktikisht tani  e dija çfarë mund të ndodhte. Ia kam marrë dorën dhe ia vendosa tek marshi duke i thënë- Rrofsh presoro. Bashkë do të bashkëpunojmë gjatë gjithë kohës. Atë ditë më ka përmënduar se çfarë ka ndodhur me ne kohë më parë. Se do të donte atë që kishte ndodhur tre vite më parë ta bënte tani. Më tha se i kishte lindur një dëshirë dhe ndjenjë e madhe për mua. Ai e quante mardhënien tonë shpirtërore dhe se unë nuk duhet të flisja me askënd. Ju luta ta mbyllnim këtë muhabet,  por ai insistonte. Pasi e kundërshtova duke i thënë se ai ishte vetëm profesori im tha – Ok. Harroje. Unë sot doja që të ishte dita jonë e bukur por ti je mosmirënjohëse.. Këtë fjalën “mosmirënjohëse” ma thoshte gjithmonë. Pastaj më çoi në shtëpi.

Të mënjanoi nga shfaqjet pas kësaj?

Jo. Filloi gjithnjë e më tepër kujdes ndaj meje dhe të më bëntë komplimenta. Ti je e bukur.. Po rritesh.. Ke trupin më të mirë. Bëhej edhe xheloz. Ja po të shikon dhe ai djali, ja si të shikojnë të gjithë.

Por në shkollën e artit a kishit probleme?

Jo. Në këtë kohë u realizuar një reklamë televizive dhe jeta ime artisitke ime artistike nuk pat asnjë shkëputje përvec bezdisjes që kisha nga Leonardi..

Që do të thotë?

Ta nxinte jetën. Nuk guxoja të futesha në makinën e tij. I thoja mamit që të mos shkoja në kurs me Leonardin apo mos të më sillte më ai sepse tashmë isha rritur. E lusja mamin që të ikja me motrën… (kthehet nga mamaja dhe thotë: “ma më fal..” – shën.im)… Tani mami dhe babi ia hedhin fajin vetes me atë që ka ndodhur… Me babin ai sillje si profesori që do të më garantonte të ardhmen mua. Ishte shok me babin. Nuk kisha rrugë tjetër, por vazhdoja ta refuzoja Leonardin për bezdisjet. Dhe gjithmonë bëheshin të njëjtat biseda mes meje dhe atij. Po ndonjë djalë a të ka parë? Të ka ngacmuar njeri, mjafton të ma thuash se shkoj e kap unë ti vetëm më thuaj- më thoshte. U bë jashtëzakonisht i fiksuar. Që nga korriku i 2008 e deri në mars të 2010 u bë i përshtirë sepse gjatë gjithë kohës më fliste për trupin tim, për vithet e mia, për gjoksin tim, për sytë, për gjithcka.

Dhe deri në 2010 nuk ka ndikuar kjo marrëdhënie e vështirë te projektet tuaja të përbashkëta në art?

Po për shkak të refuzimit që unë i bëja vazhdimisht filloi duke më thënë: Po unë për çfarë po të mbajë, për çfarë po kujdesem për ty, thjeshtë të më përqafosh? I jam lutur duke qarë që mos ngatërro jetën private më artin. I jam lutur që vetëm mos të më largonte nga skena. Atë kohe ai mori një vajzë tjetër në grup, Xhesin. Më thoshte se edhe atë do ta rriste, do t’i mësonte artin ashtu siç bëri me mua. Unë fillova të kem shumë ankth. Kisha vite që jepja maksimumin tim. Kisha duruar gjithcka për hirë të skenës dhe tashmë atë që kisha më shumë frikë Loonardi po më kërcënonte që do të më linte jashtë. Nuk dija çfarë të bëja.

Po pse nuk u tregove prindërve për çfarë po të ndodhte?

Jo askujt. Kisha frikë. Nuk doja të flisja më askënd sepse kisha frikë. Po të flisja një zot e di çdo të bënte babi. Do i hapja namin vetes sime dhe sinqerisht mendoja se nuk do të shkonin gjërat deri aty.

Po gjatë kësaj kohe kishe filluar shoqëri me të tjerë, përveç atyre miqve që kishe në kurs?

Po, gjatë kësaj kohe isha njohur me Arkimed Lushën. Në 2009 për herë të parë kam folur me Arkimedin (Stresin) për të realizuar një këngë tonën. Kjo ide më kishte përshirë krejtësisht dhe më dukej mënyra më e mirë që të shkëputesha një herë e mirë nga Leonardi. Stresin unë e pashë si një rrugë për t’u larguar përfundimisht nga Leonardi pa rënë në sy të prindërve. Këtë bashkëpunim e pashë si rrugën më të mirë për të shpëtuar veten time.

Vijmë në mars të  2010… Keni deklaruar në prokurori se ka ndodhur sërish dicka me Leonardin  në këtë kohë…

Atëherë ai po fliste për një projekt që do të realizonte. Gjatë kthimit në shtëpi më thotë: Ajs mos të të vijë keq se ata të Digitalbit nuk të duan. Do të spostohesh pak që të jeshë larg ekranit për ca kohë. Mundohu t’u përkushtohesh mësimeve për momentin. I them se po e bënte të gjithë këtë për shkak se unë refuzoja të shkoja në shtrat më të. Më thotë nëse unë do ti afrohesha dhe do të isha një shpirt binjak me të sëbashku do të ecnim shumë më përpara.

Për çfarë bënte fjalë projekti?

Ishte një muzikal për Dixhitalbin, ose kështu më tha. Besoj se ky ishte i sajuar se nga njëra anë më thoshte se Dixhitalbi nuk më paranonte dhe nga ana tjetër thoshte se ata më kërkonin për disa foto që donin ti kishin me mua për arkivë. Ishin dy gjëra kaq të kundërta. Por atë kohë unë nuk kam dyshuar.

Dhe ju pas kësaj pranuat të kryenit marrëdhënie seksuale?

Po. Këtë herë me pëlqimin tim. Kam lënë një ditë shkollën. Në shtëpi ai u justifikua se mua më kërkonte Dixhitalbi për të bërë ca foto. Ndërkohë që ne kishim rënë dakort vetëm një herë do të kryenim seks.

Dhe ku shkuat?

Në një hotel, rrugës për në Elbasan, në hotel … (thotë emrin e hotelit – shën.autores) Aty ishte vëndi që kishte zgjedhur

Dhe çfarë ndodhi aty…?

U përpoq të improvizonte gjëra aty. Kishte marrë fjongo të kuqe. Më lidhi duar me fjongo, si dhe sytë. Përpiqej të ishte i ëmbël me mua. Në hotel jam futur nga ana e pasme ku ka disa shkallë. Ai më tha që unë të prisja aty dhe ai do të merrte celësin tek sporteli. Jemi futur në dhomë në kat të dytë. Pasi më lidhi me fjongo të kuqe filloi të më zhveshë. Në këtë moment dëgjoj një zile telefoni. Leonardi që thoshte se kush je? Përse me numër të panjohur? Kë ke xhiruar? Kush je? Dhe pasi mbylli telefoni filloi të ulëras. Më akuzoi mua se u kam thënë njerëzve të tjerë për atë çfarë po bënim. Filloi duke më sharë me fjalorë shumë të ndyrë dhe më qëlloi me shpullë.  – Çohu, vishu, më ulëriti.

Po çfarë kishte ndodhur?

Dyshonte tek unë. Sado që i thoja që kurrësesi nuk mund t’i hapja namin vetës dhe se unë po pranoja të kryeja marrëdhënie me të, nuk bindej. Atë ditë më çoi në shkollë.

Pas kësaj kur u ritakuat me Leonardin?

Vazhdoi  të vinte në shtëpinë time duke u justifikuar me faktin e miqësisë me babin. Pyeste çfarë kisha mësuar, dhe si po shkoja me përgatitjet e mia. Në sytë e prindërve më trajtonte si kalama dhe nga kjo sjellje askush nuk dyshonte për asgjë.

U ritakuat?

Pas dy javësh. Ai më thotë se duhet ta fillonim aty ku e lamë se telefonata mund të ishte një shaka që ka rastisur në një moment jo të përshtatshëm. Ai u qetësuat totalisht. Vendosëm sërisht që të shkonim në të njëjtin hotel. Kësaj radhe, ishte pasdite. Nuk u mundua fare të organizonte atmosferë apo të tregohej i sjellshëm. Mori vetëm redbull. Nuk kam qarë, por ka qenë e tmershme.

Kjo i qetësoi marrdhëniet mes jush?

Po, por unë nuk isha më e qetë. Tashmë as nuk mund ta kundërshtoja më. Leonardi filloi të më bënte biseda të frikshme. “Ajs mund të ndodhë që babi jot ta marri vesh lidhjen tonë dhe unë jam i vdekur pas kësaj, por po ndodhi gjë ai do të futet në burg, ti do të mbetesh vetëm. Ne tashmë jemi një- më thoshte.

Po pse duhet të përmendej babai në këtë bisedë?

Leonardi e dinte që babi ishte pika ime e dobët. Ndoshta gjithë kjo histori nuk do të ndodhte dhe unë u kërkoj 100 herë familje prindërit e mi, po mos bënte një presion të tillë që në fillim.

Po në aktivitetet artistike tuajat çndodhi?

Me jepte skenare për të lexuar ku më premtonte që unë do të isha aktore.

Ndërkohë çfarë ndodhte midis jush?

Gjatë kësaj kohe pothuajse ne kishim mardhënie të rregullta. Pas hotelit ai filloi të përdorte shtëpinë e tij.

Sa herë keni qënë aty?

Shumë herë. Nga marsi e deri më më 22 korrik 2010 ne kemi patur marrëdhënie të shpeshta seksuale. Përveç shtëpisë kemi shkuar dhe jashtë Tirane, në Llogara. Kjo përkoi me një ekskursion të shkollës sime. Mua më tha që mësueses ti thoja që kisha shfaqje ndërsa prindërt e mi e dinin që isha në Borsh. Kam ikur me Leonardin që në mengjes. Rrugës kemi ndalur vetëm në Orikum ky unë kam ngrënë një akullorë e më pas kemi shkuar në Llogara. Kjo ishte hera e parë që ai ka qëndruar gjithë natën me mua. Tek gruaja u justifikua se kishte takuar pesë shokë fëmijërie dhe do të rrinte atë natë në Vlorë ndërkohë që atë natë ka ndenjur me mua. Atë natë jam sëmurur dhe ne jemi detyruar të largohemi nga hoteli që në orën 6 të mëngjesit se unë kisha temperaturë të lartë. Më solli direkt e në shtëpi.

Si është e mundur që e mbani mënd datën 22 korrik?

Sepse ishte hera e parë që Leonardi më ka rrahur fizikisht dhe se atë ditë atij i ka ikur gruaja në Kanada. Atë datë e gjithë familja e Leopardit është nisur për në Kanada. Ndërkohë ai kishte folur me babin se do të na ndihmonte. I kishte premtuar se do të plotësonte dokumentat për mamin që ishte e punësuar në kompaninë e tij. Ne donim të merrnim një kredi bankare. Ai i kishte thënë babit që të shkoja unë të merrja vërtetimin e mamit në shtëpinë e tij. Unë kam shkuar tek shpia e Nardit. 10 ditë më parë kishim vendosur që ishte hera e fundit mes nesh. Por ai më detyroi të ulesha në kolltuk dhe vjen pranë meje. Filloi të më përkëdhelte. Më tha prapë që ajo do ishte hera e fundit. Unë u ngrita të ikja dhe ai më thotë: S’ke marrë dokumentin akoma si do të ikësh.. U stepa. Ajo kredi vërtetë na duhej. Filloi prapë duke më prekur. U ndjeva keq sepse po përdortë nevojën tonë kësaj  here dhe u shkëputa .. Aty më përplasi pas murit dhe filloi të më gjuante. Kam hapur derën e jashtme dhe kam dalë e shkatërruar.. Gjëja e parë që kam mendur isha të dilja para një makinë dhe të vdisja. Mora Arkimendin në telefon duke ju lutur që të më takonte.

Çfarë mendove që mund  të bënte Arkimedi për ty?

I tregova gjithë historin time. I kam propozuar Arkimedit të shkonim tek shtëpia e Leonardit dhe ai ta detyronte që Leonardi të merrte tim atë në telefon. Arkimedi më thotë se këto gjëra nuk bëhen vetëm dhe se më e mira do të ishte të shkonim në polici. Pasi unë nuk kam pranuar të shkoj në polici ai ka thirrur një shokun e tij dhe ne shkuam në shtëpinë e Leonardit. E vërteta është se para djemve ai ka pranuar se ka kryer marrëdhënie seksuale me mua, madje u propozoi atyre një pakt. Ai tha se brenda një jave do të ikete në Kanada dhe se do të telefononte tim atë. Dhe kështu u vendos aty.

Hetuesit  thonë që Arkimed Lusha i rrëmbëu makinën Leonardit..

Të nesërmen unë do të shkoja me pushime në Vlorë, Orikum dhe ishte rënë dakord në shtëpi që mua të më çonte Leonardi. Për këtë fakt, unë thashë t’i merrnim makinën e në këtë mënyrë ai s’kishte si ti thoshte tim ati se do më çonte në Vlorë… Pas kësaj, unë jam larguar dhe nuk di më se çfarë ka ndodhur mes tyre. Isha e kënaqur që Leonardin nuk do e shihja më në shtëpinë time dhe as nuk do të më shqetësonte më.

Pas kësaj dite e ke takuar më Leonardin?

Po e kam takuar, gjatë pushimeve në Orikum.

Pse?

Sepse ma kërkoi ai. Më datë 23 korrik unë u nisa, më coi babi. Më 1 gusht unë kisha shfaqje në Vlorë. Taulant Çaçollari, drejtori artistik merr në telefon burrin e tezes dhe i thotë se Ajsi duhet para shfaqjes se do të më jepte një skenar të ri që ta mësoja. Unë shkoj në Vlorë shumë orë para shfaqjes. Takoj Taulantin dhe i kërkoj skenarin. Taulanti në vend që të më jepte skenarin nis e më bën një bisedë se Leonardi nuk është mirë, se cfarë janë ca cuna që i kanë marrë makinën, i kanë marrë lek. Nuk dija asgjë për lekët. Në sy të tij kam marrë Arkimedin në telefon dhe e pyes nëse kishte marrë para apo jo. Ai më thotë se nuk kishte marrë asgjë por e vërteta është se unë pas datës 22 korrik nuk kam pasur mundësi ta takojë Arkimedin. Por nuk besoj se ai të ketë marrë para. Taulanti më thotë se do ishte më mirë ta mbyllnim këtë histori.. U tremba. U ndjeva keq kur më thanë dhe historinë e parave. Mendova mos ti ngatërroja më keq punët. Besova edhe se Taulanti do më ndihmonte dhe do të gjenim një zgjidhje. Me Taulantit rash dakort që do bëja gjithçka që të mbyllej kështu kjo histori.

E më pas cfarë ndodhi?

Jam takuar në Taulantin dhe më jep një fletë të shkruar për ta lexuar dhe firmosur. Teksi ishte që unë duhet të kërkoja falje Leonardit për sjellje të pakëndshme dhe që unë doja të hakmerrsha ndaj tij sepse ai kërkoi të më përjashtonte nga kursi. Ky ishte teksti dhe unë pranova të filmohesha me argumentin që të mbyllej ky pakt mes nesh.

Por pasi realizove këtë vidio filloi gjithçka të shkojë në rregull?

Jo. Taulanti më thotë se Nardi nuk ka pranuar videokasetën. E merr atë në telefon gjoja për ti kërkuar një nder që të më falte mua. Taulanti i thotë se ishte në Vlorë me mua dhe se doja unë të flisja me të. Çuditërisht gjëndej në Vlorë edhe Leonardi që vjen për 5 minuta të na takojë. Dëgjo- më thotë- më kanë vënë 20 mijë euro gjobë për fajin tënd. Më thotë se unë isha mos mirënjëhëse për gjithçka që ai kishte bërë për mua. Në sy të Taulantit i kam kërkuar të thoshte se çfarë më kishte bërë dhe kam filluar të qajë. Ai tha: Normal të më provokosh 24 orë çfarë duhet të bëjë unë? Po si do ia bësh ti? Asgjë nuk fiton nëse më sulmon mua, kështu që më mirë e bëjmë kështu. Të kujtohet skenari që të kam dhënë. Unë ty do të bëjë aktoren kryesore, të jap një shumë të madhe parash dhe ti të sillesh sikur asgjë nuk ka ndodhur. Ok – i them në rregull do e bëj edhe këtë. Mendova se gjithçka do të mbyllej kështu. Pas kësaj gjithçka po shkonte mirë, deri në fillim të shtatorit.

Pse cfarë ndodhi?

Kishim shfaqje në Burrel. Në prag të shfaqjes Taulanti më thotë se e kishte marrë im atë në telefon duke i kërkuar që unë mos të marrja pjesë në shfaqe. Taulanti më thotë se babai im dinte gjithçka tashmë. Më thënë të drejtën u tmerrova. Po prisja gjithë ankth babin që ishte nisur nga Tirana. Por babi vjen dhe më thotë – Eja shpirti i babait se nuk e kë vendin këtu ti. Nisemi për t’u kthyer në shtëpi dhe babin e marrin në telefon nga policia. I thonë se duhet të paraqitej aty se kishte një denoncim për të nga Leonard Bombaj. Im atë i thotë që do të paraqitej sapo të vinte në Tiranë. Babai më con në shtëpi, ndërkohë që shkon në polici për të sqaruar situatën. Im atë nuk po kthehej dhe unë i kam kërkuar të vijë në shtëpinë tonë xhaxhai. Më 5 shtator kam shkuar në polici dhe kam bërë denoncim kur kam thënë gjithçka sa po ju them juve.

Çfarë ndodhi në polici?

Në prani të prindërve dhe të psikologëve unë kam rrëfyer gjithçka që po ju them. Ata menjëherë kanë arrestuar Leonardin dhe nis një tmerr i vërtetë për një vitë nëpër institucione në fundin e së cilës dosja mbyllet.

Si ndihesh që e kanë mbyllur dhe thonë nuk ka prova?

E zhgënjyer. Të gjithë më thonin se besonin në tmerrin tim por ama asgjë nuk ka ndodhur. Përkundrazi tashmë dëgjoj dhe akuza që denoncimi im është bërë për hakmarrje. Për këto njerëz kam vetëm një pyetje? Vertë mendoni se jam aq e çmëndur sa që unë të trilloja një histori kaq të tmerrshme për vetën time? Ti bëja vetes time një njollë të zezë që do të më ndjekë gjithë jetën. Vërtetë do të mund ta bëja këtë nëse unë nuk do të përjetoja një tmerr të tillë per vite të tëra…??

Çfarë prisje të ndodhte pas hetimeve?

Prisja që më në fund të vërtetohej kush është Leonard Bombaj dhe ai të ishte në qeli për atë çfarë ka bërë me mua. Por unë këtë histori, edhe pse prokuroria e ka mbyllur hetimin, deri sa të jem gjallë nuk do të mbyll. Tashmë nuk kam më askujt ti fshihem. Familja ime tashmë di gjithçka. Une do t’ju dëshmojë të gjitheve kundërtën. Që gjithçka që po them është e vërtetë…

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama