Faktin e bën të ditur vetë drejtuesi artistik i shfaqjes, Blerim Narazani, njëkohësisht edhe drejtor i shtëpisë së kulturës së këtij rrethi. E konceptuar si "Hite Ballkanike" dhe e vlerësuar seriozisht nga organizatorët dhe debutuesit, ajo është pritur tepër ftohtë nga qytetari elbasanas. "Duke sfiduar burokracitë e shtetit për çeljen e fondeve, ne arritëm të organizojmë një shfaqje premierë me këngët më të arrira të trevës së Ballkanit duke ftuar në të emrat më të njohur nga vendi dhe trevat shqiptare, por ndihemi jo mirë, përderisa shikuesi ynë na ktheu "kurrizin" në këtë shfaqje, ka pohuar Narazani.
Në skenë do të ngjiteshin Mehdi Zena e Astrit Shëngjergji, Artan Bakiu nga Gjakova, gjer tek Irma Libohova e Sami Kallmi për të përfunduar te Valbona Floqi, që kthehej në skenën e Elbasanit pas 15 vjetësh emigrim. Por çuditërisht, në sportel nuk janë prerë më tepër se 60 bileta për këtë natë të vetme të shfaqjes. "Më vjen çudi që në shfaqje nuk erdhën as dhe një e treta e dashamirësve të Sami Kallmit, që mund ta kishin mbushur sallën në tri lartësitë e saj!" - ka pohuar sërish Narazani. Jo për vlerat dhe performancën organizative, por ndoshta për hir të humbjes së traditës së mbajtjes së festivalit të përvitshëm, të Festivalit të Këngës Qytetare në Elbasan, ky i fundit, duket se ka anashkaluar kënaqësinë e dy orëve të fundmuajit në teatrin "Skampa", që mbrëmë "administrohej" nga drejtuesit e Shtëpisë së Kulturës së rrethit. Ndërsa sot e në vazhdim, tradicionalisht, skena e këtij teatri "ngacmohet" nga maratona e këngës së rinisë qytetëse.
Marre nga : Gazeta Shqip











