Jane Fonda Ne moshen 70-vjecare kam zbuluar se me duan

Jane Fonda: Në moshën 70-vjeçare kam zbuluar se më duan

Më 21 dhjetor të këtij viti, Jane Fonda do të mbushë 70 vjeçe. Aktorja, tashmë edhe gjyshe, e cila është nderuar me 2 çmime "Oskar" ("Një zile për inspektorin Klute", në vitin 1970 dhe "Duke u kthyer në shtëpi", viti 1978), me 42 filma pas krahëve, ka jetuar shumë jetë. Dy vjet më parë vendosi të dalë nga "pensioni" me komedinë "Vjehrra përbindësh", përkrah aktores Jennifer Lopez. Eksperienca e re e zbaviti aq shumë sa pranoi të luante një film tjetër, "Georgia rule", udhëhequr nga Garry Marshall, ku për herë të parë në karrierën e saj interpreton një gjyshe. Historia e saj lidhet paksa edhe me atë të meshkujve të shtëpisë së saj: babai i saj i rreptë, Henry, me temperament të kundërt ndaj imazhit besnik të kinematografisë; Roger Vadim, regjisori i sofistikuar francez, i cili e bëri një seks simbol me filmin "Barbarella" në vitin (1968), i cili u më pas u bë bashkëshorti dhe babai i vajzës së parë, Vanessa; Tom Hayden, një intelektual i krahut të majtë dhe aktivist politik, me të cilin pati djalin Troy Garity, tani aktor dhe Ted Turner, multimiliarder dhe konservator mongol.

Sot, në prag të 70 vjetëve, ajo është ende "beqare" dhe kur nuk punon, Jane Fonda udhëton për në fermën e saj në Nju-Meksiko, ku peshkon, kalëron, shkruan, mediton dhe ia dedikon kohën e paratë organizatës së saj për parandalimin kundër shtatzënisë mes adoleshentëve. Ajo erdhi në Hollivud krejt rastësisht, si këto ditë, për të promovuar filmin "Georgia rule", i cili do të dalë në kinematë amerikane më 11 maj. Lindsay Lohan është Rachel, një adoleshente rebele dhe e çrregullt, që gjatë gjithë kohës pi vetëm alkool, del natën (paksa si në jetën e saj reale), zihet me nënën ("Shtëpiaken e dëshpëruar" Felicity Huffman), e cila nga pamundësia për ta mbajtur vendos ta dërgojë të jetojë te gjyshja e saj, Georgia (Fonda). Georgia është një grua patriarkale, e cila e jeton jetën duke ndjekur rregullat e forta në fe dhe punë, komplet të kundërtën e mbesës.

Lindsay Lohan është shumë e përfolur për sjelljen e saj rebele, pikërisht si Rachel në film. Si ka qenë të punoje me të? Çfarë këshillash ju jepte?

Unë nuk jap kurrë këshilla, të paktën deri sa të m‘i kërkojnë. Dhe Lindsay nuk e ka bërë dhe jam munduar ta mbështetja. Është e shkëlqyer, por është vetëm 20 vjeçe, ende një fëmijë. Nuk e ka pasur privilegjin të ketë një familje, nuk ka pasur kurrë asgjë normale në jetën e saj, por ka qenë një kënaqësi për të, pasi që në moshën 12-vjeçare është bërë e famshme. Ka nevojë ta udhëheqë dikush, sepse është një talent i madh dhe ta mbash të gjallë shëndetin mendor në pozicionin e saj nuk është e lehtë.

 

Ju ka ndodhur edhe juve një gjë e tillë?

Unë jam bërë e njohur në moshën 20-vjeçare, jo kur isha 12 vjeçe dhe atëherë fotografët nuk të ndiqnin kudo si tani: është absurde, e paimagjinueshme kjo që ndodh. Për më tepër, babai im ishte shumë i fortë, ajo nuk e ka pasur këtë fat.


Si ndiheni në rolin e gjyshes, në jetën e vërtetë dhe në skenë?

Është një lloj si të kesh një shans të dytë. Të lejon të bësh dhe të japësh atë që nuk e ke bërë dhe dhënë herën e parë.


Dhe si nënë?

Georgia, personazhi im, jo vetëm që më ka mësuar të jem një nënë e mirë, por më ka mësuar edhe shumë gjëra të reja. Nuk është kurrë vonë, nëse fillon të provosh dhe t‘i mësosh fëmijës tënd se po kërkon të përmirësohesh. Fatmirësisht kështu ka qenë mes meje dhe sime bije.


Do të bëni filma të tjerë?

Shpresoj që po. Sigurisht për para, por edhe sepse kam zbuluar - e nuk besoj se është shumë vonë - se mund të zbavitesh duke punuar. Problemi është se zakonisht marr vetëm kopje të trishtuara. Ëndrra ime është një film që të tregojë 70 vitet e mia të xhirimeve, me lidhje të zjarrta erotike, por ndoshta duhet ta shkruaj vetë.


Në muajin dhjetor ju do të mbushni 70 vjeçe, ju tremb plakja?

Plakja është e vështirë për të gjitha femrat, pavarësisht asaj që bëjnë. Por unë asnjëherë nuk e kam quajtur veten të bukur, kështu që nuk e kthej kokën pas dhe të them: "O Zot, kam humbur bukurinë time!" Jam më e lumtur tani. Kam rrudhat e mia, kështu që preferoj dritën e një qiriri se sa të një llambe të zakonshme kur bëj dashuri. Kam hequr dorë nga seksi në plazh në mesditë, ku përveç kësaj, jam më mirë tani. Mësohesh duke mos kërkuar më perfeksionin. Jam 70 vjeçe dhe e plotfuqishme për moshën që kam: shpresoj që kjo t‘u japë një shpresë të gjitha femrave.


Nuk jeni shprehur shumë e kënaqur për luftën në Irak

Jo, jam përmbajtur, pavarësisht opinioneve të forta. Si nuk kemi arritur të kuptojmë se një luftë nuk merret aq lehtë. Vietnami nuk na ka mësuar absolutisht asgjë. Nuk kam folur deri tani, sepse mendoja se mund t‘i ofroja qeverisjes së Bushit mundësinë për të humbur vëmendjen nga lëvizja pacifiste. Por tani mjaft më, mendoj se ka ardhur momenti të dal hapur, pa u druajtur nga askush.

Biografia

Jane Seymour Fonda

Ka lindur më 21 dhjetor të vitit 1937, në New York City, Nju-Jork, SHBA. Lindur në 1937-ën nga martesa mes Henry dhe Frances Brokaw, Jane Fonda u transferua në Bregun Lindor në vitin 1948, ku ndoqi rrugën e babit të saj, i cili ishte thirrur në Nju-Jork për të interpretuar në Broadway komedinë teatrale "Mr. Roberts". Ajo jetoi me gjyshen e saj pranë Connecticut. Ndërsa studionte në Vassar, filloi të recitonte në disa spektakle universitare. Në fillim të viteve ‘50 e zgjodhi për të recituar përkrah tij në disa spektakle verore. Ishin dy komedi: "The Country Girl" dhe "The Male Animal". Më pas ajo vazhdoi studimet e recitimit në "Actor‘s Studio" të Lee Strasberg, duke i lënë gojëhapur të gjithë.

Ishte pikërisht ky momenti që emri Fonda filloi të hapte dyert e suksesit. Joshua Logan - një mik i vjetër i babit - e thirri për të interpretuar pjesën e një nuseje në një gjullurdi studentësh, "Në majë të këmbëve" ("Tali Story", 1960). Një dështim i mëvonshëm në Broadway, "The Fun Couple", e bindi që t‘i dedikohej kinemasë. Edhe një herë nuk do t‘i buzëqeshte fati. E thirrur për të interpretuar role modeste në filma mediokër, rolin e një prostitute në filmin "Zemra të pista" ("Walk on the Wild Side", 1962), të një gruaje të ftohtë seksualisht ("The Chapman Report", 1962), e një nuseje naive në filmin "Përshtatja martesore" ("Period of Adjustment", 1962) dhe të një falsifikatoreje në filmin "Dashuri të ndaluara" ("In the Cool of the Day", 1963) - ku filluan t‘i bëheshin shumë kritika. "Harvard Lampoon", një revistë e përjavshme satirike, arriti ta përcaktonte si "aktorja më e keqe e vitit". Megjithatë, kritikët dhe publiku filluan të kuptonin se kishte diçka tek ajo: atë lloj cilësie manietike që e bën interesante një aktore, cilido qoftë filmi që interpreton.

Sigurisht, ishte e sinqertë dhe inteligjente e dukej qartë se kërkonte të jepte maksimumin, duke dalë nga banaliteti i dialogëve dhe situatave. Më pas, fakti që ajo ishte një vajzë e bukur dhe seksi e lejonte karrierën e saj të ecte, duke veçuar këtu rezultatet fillestare të këqija në kinema, të cilat ishin pak inkurajuese. Është e kotë të pyesësh se çfarë do të kishte ndodhur me karrierën dhe jetën e saj, nëse nuk do të kishte pranuar të shkonte për të recituar në Francë, kur në vitin 1963, Rene Clement e thirri për rolin e protagonistes në filmin "Crisantemi for a crime" (Les félins), përkrah Alain Delon. Ishte, thoshin kritikët, takimi mes një sensualiteti të ftohtë dhe një erotizmi të akullt. Por, me atë film Jane Fonda u lançua si një seks simbol, ose më mirë si Bardo amerikane dhe vazhdoi karrierën e saj si një yll ndërkombëtar.

 


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama