Miqte e perfytyruar te femijeve

'Miqte e perfytyruar' te femijeve

Çdo tru është krijuar për të përfytyruar apo fantazuar. Truri i fëmijës është në gjendje të fantazojë në një mënyrë të pabesueshme, njësoj si mund të idealizojnë artistët e mëdhenj krijues. Ai dallohet për një gjendje dëlirësie, ku të gjithë shprehen se po përpiqen të kthehen.

Në trurin e fëmijës, fantazimi i miqve të përfytyruar është një proces i ngjashëm me atë të përdorur nga shkrimtarët e mëdhenj të përrallave, si Luis Kerrëlli dhe Antoine de Saint Exupery, shkrimtarët e romaneve, si Dikensi e Dostojevski; producentët dhe krijuesit e filmave të pavdekshëm dhe mishërimet e përjetshme të Uollt Diznejit e të miqve të tij të përfytyruar: miushi Miki, Bambi, rosaku Donald dhe Hajavatha; nga mendja e vitit, Xhin Rodënberri, krijuesi i Star Trek dhe miqtë e tij të përfytyruar: kapiteni Kërk, Uhuri, zoti Spok, Borgu, Skoti, Zhan-Luk Pikardi, Uorfi. Madje, këta të fundit janë bërë “miqtë e përfytyruar” të dhjetëra milionë të rriturve, shumë prej të cilëve e shkojnë jetën e tyre duke imituar fantazitë e këtyre personazheve.

Përse i ndihmojnë “miqtë e përfytyruar” fëmijët:


    Zgjerojnë përmasat e përfytyrimit të fëmijës.

    I sigurojnë fëmijës personazhe të vërteta, që mund të sjellin larmi në jetën reale.

    Shërbejnë si shokë me të cilët fëmija mund të diskutojë gjërat e veta intime.

    Miqtë e përfytyruar, si kafshët shtëpiake, gjithnjë kuptojnë.

Miqtë e përfytyruar sigurojnë shoqërim të vërtetë, jo thjesht të imagjinuar. Kërkimet tregojnë se truri vepron njësoj, në të gjitha nivelet e tij (molekular dhe muskulor), si ndaj pamjeve të vërteta të përftuara nga syri në botën e jashtme, ashtu edhe ndaj pamjeve të përftuara nga imagjinata.

    Ato e ndihmojnë fëmijën të jetë i lumtur me mendimet e tij; njëkohësisht zhvillon inteligjencën krijuese, inteligjencën vetjake dhe atë ndërvetjake.

    Nxitin te fëmija besimin në vetvete, siç bëjnë gjithmonë miqtë e mirë.


Si duhet të veprojë një prind në raste të tilla?

Mirëpritini miqtë e përfytyruar në rrethin tuaj familjar, madje duke shkuar deri aty sa të vendosni karrige shtesë në tryezën e bukës. Nëse keni fëmijë më të rritur, që kanë shumë të ngjarë të tallin fëmijën dhe miqtë e tij të përfytyruar, përpiquni t’u shpjegoni se ndoshta edhe ata kanë pasur dikur, kur ishin më të vegjël, ndonjë mik të tillë. Ndonjëherë, bëni përpjekje që t’i bashkohen fantazisë, njësoj siç ndodh me zanën e dhëmbëve ose Babagjyshin e Krishtlindjeve.

Kur fëmija juaj, drejtpërdrejt apo tërthorazi, ju njeh me miqtë e vet të përfytyruar, bëjini pyetje pozitive e zhbiruese, si: “Po miku yt ka motra, vëllezër, miq apo kafshë shtëpiake?” Pyetje të tilla shpesh zbulojnë thesare me personazhe të shumta të fantazisë. Shpeshherë, fëmija i sajon vetë personazhe të tilla, për të cilët shumë nga autorët e librave më të shitur do të ishin të gatshëm ta këmbenin fatin e tyre me ta! Kjo ju krijon një tjetër mundësi që të mbani shënim ose të regjistroni aftësitë gjeniale të fëmijës suaj; në të njëjtën kohë, nxiteni të bëhet, gjithnjë pa e detyruar, shkrimtar dhe tregimtar. Shumë nga përrallat më të lexuara, si “Liza në botën e çudirave” etj., kanë qenë pasoja të artit rrëfimtar të familjes.

Thënia e Shekspirit, “Gjithë bota është skenë teatri”, gjen mjaft vend në botën e brendshme të përfytyrimit të fëmijës suaj. Lëreni fëmijën të bëhet mbrojtës, producent, regjisor, aktor dhe shikues.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama