Biondet ne shesh per te protestuar

Biondet, në shesh për të protestuar

Ndaj, për këtë arsye, në qytetin e tretë më të madh në Rusi, aty ku në mars kishte "sfiduar" kortezhi madhështor i organizuar nga ish-kampioni i botës në shah, Garry Kasparov, i njohur edhe si kundërshtari më i madh i Putin, gjithçka kishte përfunduar me dhunë dhe shkopinj gome ndaj edhe një tjetër kërkesë e Kasparov-it për një manifestim të dytë, u ndalua. Por, për marshimin e biondeve javën e kaluar nuk pati asnjë problem. Burrat i pëlqejnë gratë, por në Rusi nëse je bionde, ke më shumë probleme...

Protesta

Ndoshta është kjo arsyeja kryesore që biondet ruse arritën deri në atë pikë sa të organizonin në Nizhni Novgorod, qyteti i tretë më i madh në Rusi, një marshim proteste të biondeve "që nuk janë dakord", të frymëzuara nga manifestimet e famshme anti-Putin. "Sfilata", siç ishte e lehtë për t‘u parashikuar, ka ngjallur interesin dhe mbi të gjitha një pjesëmarrje të konsiderueshme të burrave, të cilët ndoshta i janë bashkuar vargut të gjatë për të krijuar "miqësi".

Policë, spektatorë, të kënaqur

Ndërkohë duket se policia ka mbyllur një sy, meqenëse të gjitha protestat e llojeve të tilla në Rusi nuk janë të lejuara. E fundit e organizuar në mars në të njëjtin qytet nga "Një tjetër Rusi", federata e udhëhequr nga ish-kampioni i botës në shah Garry Kasparov, u shty dhe shumë prej protestuesve u goditën me shkopinj gome nga repartet speciale të policisë. Po ashtu edhe protesta që organizata donte të zhvillonte më 28 prill u ndalua nga autoritetet, siç shkruan e përditshmja ruse "Novie izvestia". Po si shpjegohet e gjitha kjo? Protesta të njëjta, por masa të ndryshme? Apo ndoshta autoritet preferojnë biondet?

Barsoletat

"Kohët e fundit ekziston moda e protestave për çdo gjë për të cilën nuk jemi dakord, kështu që edhe ne vendosëm të bëjmë një të tillë kundër steriotipeve të shoqërisë kundrejt biondeve. Pothuajse të gjithë na konsiderojnë si femra jo intelektuale, budallaçka, por askush nuk ka të drejtën të na ofendojë", shpjegon Anna Saizeva, organizatorja kryesore e kësaj iniciative. Në të vërtetë, kundër biondeve, që në Rusi janë një realitet dhe një modë sunduese, qarkullojnë barsoleta që i vënë në lojë, barsoleta të ngjashme me ato që qarkullojnë edhe për policët. Me pak fjalë, barsoleta të tipit: "E dini se përse dy bionde zihen kur hipin në motor? Sepse të dyja duan të rrinë afër dritares", apo "Dy bionde zihen se si shkruhet vendi: Iran apo Irak"?

"Pse një bionde e lëpin gjithmonë orën e saj? Sepse tik-tak ka vetëm dy kalori".

"Përse japonezet janë populli më i mençur në botë? Sepse nuk kanë asnjë bionde". "Pse biondet nuk dinë të shkruajnë numrin 11? Sepse nuk e dinë se cili 1 duhet shkruar i pari...". "Çfarë kanë të përbashkët një bionde dhe një shishe birre? Të dyja janë bosh nga qafa e lart".

"Një bionde shkon në dyqan dhe pyet shitësin: - Më fal, sa kushton ky televizori? Shitësi përgjigjet: Nuk shesim për biondet. Të nesërmen ndryshon ngjyrën e flokëve dhe kthehet përsëri në dyqan dhe pyet përsëri: Më fal, sa kushton ky televizori? Shitësi përsëri: Nuk shesim për biondet. Atëherë vajza i thotë: Më fal, po nga e di që jam bionde? Dhe shitësi: Sepse ky nuk është televizor, por furre me korrent".

"Dy bionde u bënë gati, të veshura, të ngjeshura për të vajtur në klub. Dalin përjashta edhe ndalojnë një taksi. Kur futen brenda, i pyet shoferi: Ku do vemi vajza? Këto të habitura shikojnë njëra-tjetrën edhe thonë: Çfarë...? Do vijë edhe ky me ne"?

"Si e dallon që një bionde ka qenë në kompjuterin tënd?

Mbi mouse do gjesh kaçkavall".

Gjithmonë objekt talljesh, biondet ruse janë përpjekur të hedhin poshtë gjithçka me sloganin si: "Flokë të verdhë, mendje të kthjellët", apo "Biondet nuk janë pa tru, janë po aq të zgjuara sa edhe brunet".

Përkrahje e ulët

Megjithatë, pjesëmarrja ishte ndryshe nga sa mendohej. Vetëm pak bionde natyrale kishin marrë pjesë në manifestim, por kronikat tregojnë për një numër të konsiderueshëm burrash rusë që iu bashkuan vargut të gjatë, duke treguar një interes të madh "për këtë kategori grash".

Origjina e paragjykimeve ende nuk dihet, edhe pse biondet në Rusi janë po aq të shumta në numër sa edhe brunet. Traditë historike? Ndoshta. Biond ishte pushtuesi antik finlandez, por biond ishte edhe rusi indigjen, me pak fjalë, biond është edhe Putin. Biondja si një stereotip i pa zgjuarsisë, ndoshta ka shumë mundësi që në Rusi të jetë rezultat i përzierjes me globalizimit dhe vonesës kulturore, sepse barsoletat për biondet në realitet qarkullojnë në të gjithë botën. Megjithatë, paragjykimet dhe barsoletat mbi biondet, sipas gojëdhënave, duhet ta kenë origjinën nga vendet anglosaksone dhe për më tepër i detyrohen kinemasë amerikane të viteve ‘50 dhe ‘60. Por biondja, si e tillë, domethënë si teveqele, si qesharake, si simbol i krevatit, si femër më e gatshme vetëm për t‘u dëfryer, është në derivat hollivudian që në kohët e vjetra.

Biondja amerikane është Marilyn Monroe: më shumë se 100 mijë të tjera si ajo. Po ashtu, biondja nëse është nordike, është më e sofistikuar: Anita Ekberg, Ingrid Bergman, Marlene Dietrich, madje edhe Scarlett Johansson. Nëse je brune, më mirë të jesh italiane: Sofia Loren, Gina Lollobrigida, Claudia Cardinale, Monica Bellucci. Por asgjë nuk ka rëndësi, sepse bionde nuk është veçse ngjyra e flokëve. Askush nuk mund t‘i klasifikojë si bionde ose brune njerëz si: Kate Moss, Carla Bruni, Emmanuelle Beart, Brigitte Bardo. Biondet nuk kanë të tillë veçse flokun, sepse për zgjuarsi janë të njëjta me brunet, apo kokëkuqet. Ndaj nuk ka asnjë arsye përse duhet t‘i paragjykojmë.

 

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama