Nje bojaxhi dhe miliarderi Pacolli duel per pikturat e Ibrahim Kodres

Një bojaxhi dhe miliarderi Pacolli, duel për pikturat e Ibrahim Kodrës

Piktori dhe bojaxhiu mund të njihen nga duart. Të dy i kanë të mëdha, me kallo, të mësuara që të kapin jetën për fyti. I pari ka qenë më parë i famshëm në botë dhe më pas i pranuar edhe në vendin e tij. I dyti, në arrati nga diktatura, botën donte, thjesht, ta njihte. Të dy ishin mësuar të përdornin furçat për të jetuar dhe ekzistencën e tyre e ngjyrosën me dendësinë kromatike të miqësisë. Pasi i shkrinë në holluesit e nostalgjisë, që le shënja të pashlyeshme tek njerëzit e Lindjes, kuptuan se ndryshimet e pakapërcyeshme ndërmjet pëlhurave dhe mureve mund të eliminoheshin me humanizmin reciprok, përtej fjalimeve të mëdha, në gjeste të thjeshta afekti. Piktori shihte, nga vetmia e mrekullueshme e një papafingoje, me pamje të gjerë mbi çatitë e Milanos, profilin e kaltër të maleve të Lombardisë dhe, ndoshta, në mendjen e tij, edhe largësi të tjera: Adriatikun, që lag Shqipërinë, ashpërsitë e një trualli të lashtë, trajtat e një nëne, që e kishte lënë jetim që kur ishte vetëm tre vjeç.


Nga ana e tij, bojaxhiu i thjeshtë dhe familja e tij, nga qetësia e një kopshti brenda një banese, të ngërthyer mes trafikut qytetës, pa horizonte të tjerë, veç atij të parajsës së vockël, që i ishte dhuruar nga famullia e zonës, nganjëherë i siguronin atij ngrohtësinë e afekteve të thjeshta, një drekë të mirë, verë të fortë. Kur vdiq piktori, vitin e kaluar, i vetmuar dhe pa lënë asnjë trashëgimtar, vendosi që testamentin e tij ta zbatonte bojaxhiu. Për këtë, i la atij shtëpinë, pasurinë, disa toka, fuqinë për të nënshkruar autenticitetin e pikturave të tij dhe detyrën për të krijuar një fondacion me emrin e tij në Shqipëri. Detyrë, të cilën tani bojaxhiu, që ndërkohë vazhdon të lyejë muret e shtëpive të Milanos dhe studjon darkave libra arti, po përpiqet të realizojë, jo pa vështirësi, duke u impenjuar, bashkë me të bijtë, për hapjen e një muzeu (të përuruar para pak ditësh në sheshin Lagosta) dhe pa prekur, me përjashtim kur një gjë e tillë kërkohet për interesat e Fondacionit, trashëgiminë e fituar, që llogaritet në rreth tre milionë euro.

 
Jetët e tyre ishin puqur në fillim të viteve '90. Piktori Ibrahim Kodra, në shtëpinë e tij në sheshin Lagosta po fantazonte mbi të ardhmen e tij, kur, një mëngjes pranveror, bojaxhiu Fatos Faslliu, që sapo kishte mbërritur në Milano, trokiti në derën e tij për të parë me sytë e vet diçka, që, për të, ishte një mit. Mendonte se do të kishte të bënte me një statujë, por, përballë tij, gjeti një njeri të butë dhe të gatshëm për ta ndihmuar. Folën me njeri-tjetrin në dialektin e banorëve të bregdetit durrsak e të kodrave të Tiranës, u mallëngjyen duke kujtuar Vendin e largët të Shqiponjave e vizitat më të fundit në të. Pas kësaj, filluan të takoheshin shpesh dhe, ngadalë, ndryshuan rolet.
"Familja e tij"


Piktori, në moshë të thyer dhe pak a shumë shëndetlig, vendosi ta trajtojë bojaxhiun, ndonëse më të ri në moshë, por plot energji, si "baba" dhe familjen e tij si të tijën. Shumë shpejt, bojaxhiu filloi ta thërrasë "djali im i madh", pak me të qeshur, pak me bezdi. Nga ana e tij, Kodra, me dashuri, e thërriste "baba". Kështu, vazhdoi për vite me rradhë. Në ato vite, Ibrahim Kodra konsiderohej si një legjendë e gjallë, "post-kubisti i fundit në botë", një nga artistët më të mëdhenj të shekullit të 20-të. Pikaso ua prezantonte miqve të tij si "Mon ami, peintre albanais, Kodra" (Miku im, piktori shqiptar, Kodra), ndërkohë që poeti Paul Eluard e përcaktonte si "primitivi i një qytetërimi të ri". Shkrimtari Montale e angazhoi për të bërë ilustrimet e një libri të tij, ndërkohë që për kolegun e tij Quasimodo, Kodra ishte si një vëlla.

 
Mbërritja në Brera
Kodra ishte lindur në Ishëm, fshat i vogël shqiptar, në vitin 1918. Ishte i biri i një kapiteni të marinës ushtarake, të cilin rrallë e shihte. Pasi u shkollua në oborrin e mbretit Zog, ku përfundoi studimet e mesme, Kodra ndoqi shkollën e artit. Më 1938, kur ishte 20 vjeç, falë një burse studimi, mbërriti në Milano, ku u regjistrua në Akademinë e Breras, për të mos lëvizur më prej andej. Bojaxhiu Fatos Faslliu, djali i një akovati nga Durrësi, të vrarë nga diktatura, ndërkohë, kishte përfituar menjëherë nga një hapje e ndrojtur e regjimit komunist shqiptar, më 1990, e ishte larguar nga vendi. Arriti që të tërheqë edhe gruan. Më pas, një natë, u kthye për të marrë edhe të birin, Sadriun, i cili, në atë kohë, ishte vetëm tre vjeç, nga kthetrat e regjimit, që e mbante peng në kthetrat e tij, në shtëpinë e gjyshërve. E mbështolli në pallton e tij dhe e hodhi përtej klonit të kufirit, saktësisht mbi një valixhe të madhe, të cilën e kishte hedhur atje pak më parë. "Në rini, isha marrë me basketboll", tregon ai. Mbërritën në stacionin e trenit të Goricias dhe, më pas, përsëri në Milano. E shoqja, Xhulieta, ishte shtatzënë e, pak më pas, lindi Raisën, me të mbërritur. Duke pyetur shoferët e taksive në stacionin hekurudhor të Milanos, Fatosi zbuloi se ku banonte piktori më i famshëm i Shqipërisë dhe u nis ta takonte. Kështu, filloi një histori e gjatë miqësie.

Bashkëjetesë e vështirë
Piktori vdiq në moshën 88-vjeçare, më 7 prill të vitit të kaluar. Bojaxhiu 50-vjeçar mësoi se ishte bërë zbatuesi i testamentit të tij. Me mundësinë për t'u kthyer në milioner, në jetën e tij u shtua edhe një motiv: nderimi sa më shumë i mikut të vdekur. Por, në histori, ka edhe të papritura. Kështu, në testament, Kodra kishte caktuar si të plotfuqishëm edhe një tjetër të birësuar, që, këtë herë, ishte një miliarder, tashmë në krye të një fondacioni në Zvicër. "Ta doni njeri-tjetrin si vëllezër", kishte shkruar ai. Por, dihet, vëllazëria është e vështirë për t'u menaxhuar, aq më tepër, kur një nga vëllezërit mban emrin problematik të Behxhet Pacollit, ish-burrit të Ana Oksës, një afarist shumë i fuqishëm shqiptar. Për të, jeta ka aromën e parasë. Për Fatosin, ajo mban erë bojë. Pacolli synon të fillojë menjëherë të shesë. Fatosi do të kishte dëshirë të ruante veprat e mjeshtrit. Nga lartësitë e qiellit, ndoshta, Kodra zbavitet duke i parë e duke bërë edhe retë po aq të padeshifrueshme e abstrakte, sa edhe pikturat e tij. Të përziesh të dy këto esenca, vërtet nuk do të ishte fare e lehtë.

Marre nga : Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama