Dy shqiptaret ne Dasmen e Figaros

Dy shqiptaret në  Dasmën e Figaros

Kohët e fundit në Bukuresht u zhvillua premiera e operës "Dasma e Figaros" bashkëproduksion i Operave të Bukureshtit dhe Timishoarës, spektakël i sponsorizuar nga Musiktheater i Vienës dhe Central & Eastern European Musiktheater, duke mbledhur një grup artistësh ballkanikë: soliste rumune nga Bukureshti, Timishoara, Kishinev dhe Vjena, pranë të ftuarve nga Bullgaria, Shqipëria, Serbia, Kroacia dhe Ukraina. Dirigjent ishte David Crescenzi (Itali), regjia i përkiste Aleksandër Radulescu, (Gjermani) ndërsa skenografia Adriana Urmuzescu (Rumani).

Një bashkim i përkryer i forcave të reja, duke u përpjekur që me shkëlqimin e ideve që sjellin risi, të përmbysë komoditetin tradicional të spektaklit të operës.

Regjisori përdor personazhet moxartiane me zhdërvjelltësinë e një kineasti të shekullit 21, duke theksuar të përjetshmin Eros, duke shumëfishuar situatat komike, duke shpejtuar ritmet dramaturgjike të Bomarshesë në një polimetri kontemporane, të mbështetur nga një skenografi dhe një virtuozitet i befasishëm, duke u nisur nga një replikë tapicerie baroke, e ndarë në 3 mure të lëvizshme të dubluara nga pasqyrat që ndajnë dhe bashkojnë situatat.

Ndërhyrja dhe mosndërhyrja e dritës na zgjojnë nga bashkimi teatral, të cilin e kemi marrë në mënyrë të pakushtëzuar, errësira në të cilën zhvillohet akti i fundit duke qenë një urë drejt të tashmes, që i transformon heronjtë moxartianë në kalimtarë të nxituar të shekullit tonë. Pjesëmarrja e dirigjentit në këngë, e suflerit në aksion janë gjëra të shijuara nga publiku, ndërsa lëvizja e vazhdueshme e fiksuar në të gjithë artistët është një vizualizim ideal i rrjedhës së muzikës moxartiane, që vesh në mënyrë mbretërore të gjithë spektaklin duke e përligjur si për inat të tendencave vulgare moderne.

Mënyra me të cilën interpretohet Moxarti në vizionin e këngëtarëve të rinj është shumë i rafinuar, romantik dhe modern në të njëjtën kohë me zëra të mbështjellë thellë me pasion, por duke lundruar në mënyrë të pavarur mbi fraza klasike elegante, duke arritur ta impresionoja njëkohësisht specialistin, melomanin dhe spektatorin që ndodhet "aksidentalisht" në opera.

Figaro (Ionut Pascu - një bariton me një barazi timbri të theksuar, të dubluar me një ndjenjë dramatike të mprehtë) është mbështetur nga afër me një shumëllojshmëri ngjyrash të të gjithëpushtetshmes.

Suzana-Laura Tatulescu (Vjena) një soprano shumë inteligjente në frazim dhe aksion me një timbër ideal për personazhin e saj.

Kontesha - Simonida Lutescu (Vjena) thekson në arien e saj "Dove sono i bei momenti" një klimë muzikore të spektaklit, duke realizuar një tingëllimin të mendimit të pastër moxartian, të përkëdhelur nga krahët e serafimit.

Një prezencë shumë e mirëpritur nga publiku ishte dhe shqiptarja Vikena Kamenica, në rolin e Kerubinos, si nga timbri i saj special i mezzosopranos së lartë, me një konsistencë të veçantë, i pasur në harmonike, por i vendosur në mënyrë perfekte stilistike me spektaklin, me anë të ndjeshmërisë të sinqertë romantike, e cila i transformoi ato 2 ariet e saj në triumfe. Ashtu dhe përmes gjallërisë të lojës skenike, e cila i siguroi simpatinë e përgjithshme.

Një prezencë të këndshme vokale dhe dramatike e kishte dhe bashkëpatriotja e saj, Erjona Gjyzeli, në rolin e Barbarinës, e cila fluturoi me lezet mbi të vetmen arie të trishtuar, të vogël të operës (Aria e gjilpërës) duke kaluar me anë të fisnikërisë të fjalës melodike, nëpërmjet një mobilizimi ekstrem të shprehjes (fryt i emocionit të brendshëm autentik) të vetmen situatë të vakët të vizionit regjisorial. Barbarina është pak e "zhubrosur" nga konti, duke kënduar gjilpërën si një e joshur dhe e abandonuar.

Në rolin e kontit Almaviva, Florin Simionca vizaton një personazh fisnik sa muzikal dhe dramaturgjik, mbase pak më i ngurtë se pjesa tjetër e kolegëve të tij.

Bartolo (Yurie Mainescu nga Moldova) dhe me Antonio (Vasile Chisiu) një trio komik i përdorur me sukses nga regjisori për të vënë pikën mbi i në dallgëzimet e shumëllojshme të aksionit.

Në rolin e Marcellinës - një tjetër mezzosoprano më dramatike, Andreana Asenova Nikolova nga Bullgaria, sjell një ngrohtësi timbrore të begatë sa në daljet solistike aq më shumë në ansamblet vokale, ku zëri kompleton në mënyrë perfekte harmoninë e përgjithshme(viola e pazëvendësueshme në kuartetin klasik). Doza simfonike në koordinimin timbror vokal ishte përshtatur me shumë dije nga dirigjenti David Crescenzi, i cili artikuloi dhe një uverturë moderne ashtu si regjia.

Në këtë mënyrë, spektakli i Operës Nacionale Rumune në Bukuresht duke bashkuar forca artistike ballkanike (në radhë të parë) i bëjnë homazh Moxartit në një shpirt modern, i vënë në lëvizje nga vetë kalimi i shekujve nga muzika e pastër e atij që lindi në Salzburg 250 vjet më parë.


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama