Robert Shvarc burri i perfytyrimeve

Robert Shvarc, burri i përfytyrimeve

Njerëzit që jetonin shumë afër tij, do të mësonin se përkthyesi i librave të tyre të preferuar kishte jetuar aq afër tyre, vetëm atëherë kur afishet me portretin dhe emrin e tij do të vendoseshin në cepa pallatesh, siç vendoseshin zakonisht. Robert Shvarc, përkthyesi që nuk denjonte të qortonte sa herë që një botim i ndonjë poezie të tij nuk kishte dalë ashtu siç duhet të gazetë, kishte jetuar aty, në një apartament të thjeshtë, si pjesa më e madhe e shqiptarëve të atyre viteve, dhe kishte mundur të ndiqte pasionin për librat.

Katër vjet më pas, pikërisht sot, ajo lagje nuk ka ndryshuar shumë. Shumë pak njerëz mund të sjellin ndërmend burrin e shkurtër me një veshje të rregullt, por emrin e tij askush nuk mund ta harrojë. Ai të shfaqet gjithnjë bashkë me përfytyrimin tënd me librat e dashur, si Markez, Remark, Cvajg, Shiler, Hajne etj., të cilat ai i solli në gjuhën shqipe me përkushtimin më të madh. Të flasësh për Robert Shvarc edhe në një përvjetor të trishtë, siç janë gjithnjë përvjetorët e vdekjeve, nuk mjafton. Kontributi i tij është i pakrahasueshëm në gjigantët e letërsisë që solli në shqip. Miqtë dhe ata që e kanë njohur nga afër, mund të flasin më tepër për njeriun e urtë dhe të ditur Shvarc.

Ndërsa rrëmojmë në shtypin e kohës, për të gjetur diçka më tepër mbi thëniet dhe atë çfarë ky njeriu i njohur i letrave tona ka bërë në vite, trishtohemi me thëniet e tij. Përkthyesi, që solli në shqip Remark, që kaloi vite të tëra për ta sjellë me të njëjtën ndjesi si origjinali të "Harkut të triumfit", nuk mundi të shkelte asnjëherë Parisin. Kohë më parë teksa kishte përcjellë të atin për në banesën e fundit, i biri rrëfente se Parisi ishte një ndër pengjet që mori me vete Robert Shvarc. "Ka ëndërruar shumë për atë qytet, shumë herë, por nuk shkoi dot", shprehej kohë më parë Edvini.

Në Shqipërinë postkomuniste, një përkthyes i kalibrit të Shvarc nuk pati asnjëherë mundësinë të merrte avionin dhe të kalonte kohë të tëra në Parisin që kishte ëndërruar… Por lexuesit e "Harkut të Triumfit", ata që gjithnjë e më tepër kërkojnë t‘i rikthehen këtij libri edhe pasi e kanë lexuar njëherë, nuk kanë si ta mendojnë se burri që e ka përkthyer me aq pasion, nuk i njeh rrugët e qytetit të njohur të kulturave. Por, përkthimi është një eksplorim nëpërmjet përfytyrimit edhe në rrugët që nuk ke shkelur, dhe Shvarc i dinte mirë rregullat e përkthyesit. Nuk do të thotë të kesh jetuar gjatë në Gjermani për të përkthyer Hajnen, të cilin ai e ka sjellë në shqip me perlat e krijimtarisë së tij. Ndaj dhe Parisi, edhe pse ai donte aq shumë ta vizitonte, nuk mund të kushtëzonte punën e tij për një përkthim të përsosur. Mjeshtri nuk mund të gabonte, ai i dinte mirë teoritë e përkthimit…

Parisi është vetëm një peng i përkthyesit të madh, mijëra të tjerë ndoshta dhe të vegjël ai i mori me vete, katër vjet më parë kur i rrethuar nga njerëzit e tij më të dashur mori rrugëtimin e përjetshëm. Rasti i Shvarc na rrëfen se ndonjëherë pamundësia për të pasur gjërat që duam na e bën më të bukur rrugën e përfytyrimeve, dhe kjo i jep përkthimit më shumë akses. Dhe ai ishte një burrë i mbushur me përfytyrime, të vetmet që nuk e braktisën asnjëherë, kudo. E vetmja vepër që ai la në dorëshkrim ishte "Eksodin", një roman i cili rrëfente për historinë e origjinës së tij hebreje. Por, libri mundi të vinte i plotë në shqip vetëm pak kohë pasi ai kishte mbyllur sytë nga i biri, i cili përmbushi kështu një nga shqetësimet e të atit, pak para se të shkonte.

Eksodi ishte emri i anijes, me të cilën, një grup hebrenjsh të internuar nga anglezët në Qipro, arratisen në vitin 1947 dhe pas shumë pengesash shkelin në Tokën e Premtuar, në Palestinë. Ky roman historik ishte më tepër se një përkthim, pasi rrëfente diçka më tepër për origjinën e tij. Dashnor i madh i gjuhës shqipe, Shvarc do të ishte i vetmi përkthyes në ato vite, kur përkthimet ishin më të kërcënuara se asnjëherë nga masiviteti, i cili bënte apel për të ruajtur gjuhën shqipe. Përkthyesi, që e shihte profesionin e tij si një pasion, që nuk mund ta bënte kushdo, duke iu referuar përkushtimit me të cilin ai e bënte, nuk mund të duronte dot variantet që vinin në shqip të autorëve të ndryshëm të huaj nga përkthyes amatorë. Ai e vlerësonte gjuhën shqipe në masën më të lartë të një vlerësimi. Ai shprehej kështu kohë më parë: "Me përkthimet e mia, u kam treguar popujve fqinjë se gjuha shqipe është një nga më të vjetrat dhe më të pasurat. Nuk ka asgjë të papërkthyeshme në gjuhën shqipe, përderisa janë përkthyer vepra unike si "Iliada" e Homerit, "Komedia hyjnore" e Dante Aligerit etj. Gjej rastin t‘u bëj thirrje gazetarëve dhe gjithë të rinjve të ruajnë këtë gjuhë si identitet të kombit, për më tepër tani kur shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit rrezikojnë të harrojnë gjuhën e tyre".

Por këto fjali që Shvarc i ka thënë vite më parë, vazhdojnë të qëndrojnë ende si një apel për të gjithë ata që tentojnë të merren me libra.

Por Shvarc mundi të merrte një pjesë të lavdisë së tij, gjatë kohës kur ishte gjallë. Më 26 maj të vitit 1995, ai u nderua nga Presidenti gjerman, Roman Hercog, me titullin "Kryqi i Meritës", e njohur si dekorata e parë e Gjermanisë për vendet e Lindjes. Në muajin shkurt të vitit 2003, me rastin e 70-vjetorit të tij të lindjes, kryetari i Bashkisë, Edi Rama, i dorëzoi përkthyesit Robert Shvarc, titullin "Qytetar nderi i Tiranës", ndërsa në mars të këtij viti u nderua me titullin e lartë "Mjeshtër i Madh", nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, titull të cilin në fakt ia kishte akorduar në dhjetor të vitit 2003.

Gjithçka që pulsonte në trupin dhe mendjen e burrit të njohur me emrin Shvarc përfundoi katër vjet më parë, por gjithçka ai la pas do vijojë ta mbajë gjallë për vite të tëra emrin e tij...


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama