Vladimir Milcin ngjit ne skene dramen e Stefan Çapalikut

Vladimir Milçin, ngjit në skenë dramën e Stefan Çapalikut

Në vargun e gjatë të shfaqjeve të tij të suksesshme, veçohen dy shfaqe të famshme, “Kopshti i vishnjeve” dhe “Dervishi dhe vdekja”.
Këto ditë të fundprillit, Milçin me një staf të zgjedhur prej tij shqiptaro-maqedonas, synon të shënojë një sukses të ri në Teatër me veprën e dramaturgut shqiptar, Stefan Çapaliku, “Ballkan Ekspres”. E quajtur nga autori lojë dramatike, shfaqja e mbështetur mbi këtë vepër pritet të shënojë premierën e saj në fund të muajit, maj në Qendrën Teatrore të Fëmijëve (CTC), në Shkup.


“Ballkan Ekspres”, e mbështetur në motivet e një përralle mesjetare ruse, është një prej teksteve që pati premierën në vitin 2005 në Tiranë, si produksion i Teatrit Kombëtar për Fëmijë, me regji të Alfred Bualotit. “Ballkan Ekspres”, gjithashtu u përkthye në bullgarisht në vitin 2006.


Vladimir Milçin po punon me një staf miks shqiptaro maqedonas, ku skenografia do jetë e Krste Xhidrov, kostumet nga Marija Popuçevska, muzika prej Marjan Neqak. Teksti do interpretohet nga aktorë të rinj shqiptarë. Në rolin e Njeriut do të interpretojë Xhevdet Jashari, në rolin e Ujkut, Hismet Ramadani, në rolin e Dhisë, Miradije Osmani, ndërsa personazhi Lakër, nga Mirlinda Saifi. Sipas producentit të kësaj shfaqjeje, Refet Abazi, kjo shfaqje është zgjedhur nga këshilli artistik i këtij teatri për projektin “Forum Teatër”, i cili presupozon që në mbarim të premierës të organizohet një diskutim i hapur mes artistëve dhe audiencës.
Por çfarë ngërthen në vetvete “Ballkan Ekspres”? Dramaturgu Stefan Çapaliku, thotë se është bazuar në një përrallë të famshme, një rebus matematikor që fëmijët e gjithë botës e mësojnë nëpër shkolla.

“E aktualizoj këtë përrallë me situatën e postkomunizmit ballkanik, ku sfida në mendjen e çdo ballkanasi ishte ikja, braktisja e vendit të tyre, qoftë edhe me një varkë, që zë vetëm dy vetë”, - thotë Çapaliku, ndërsa shpjegon se dëshira për ikje dhe pamundësia reale për ta braktis vendin, bëhet bazë e konfliktit dramatik. Sipas tij, përralla vetë sugjeron atmosferën e të jetuarit në një shoqëri konfliktuale. Aty shfaqet dhia me ujkun, lakra me dhinë…, një përballje konfliktuale, pasqyra më e qartë e marrëdhënieve ballkanike. Teksti ka një qasje drejt estetikës postmoderne. Është e mbështetur mbi hipertekstualitetin. Në vepër janë përdorur edhe fragmente nga Hamleti i Shekspirit, prej së cilës është marrë personazhi i fantazmës. Kësisoj teksti mbetet një pjesë e tentativave eksperimentuese të dramaturgut, i cili beson se kështu e pasuron traditën dramaturgjike shqiptare me një tipologji të re. Pikërisht për këtë natyrë, vepra është zgjedhur prej këshillit artistik të CTC në Shkup, si pjesë e projektit “Forum Teatër” dhe i është rekomanduar regjisorit të madh, Vladimir Milçin, i cili e ka pëlqyer së tepërmi dhe nuk ka hezituar të nisë punën për vënien e saj në skenë.

Sipas Abazit, CTC trajton në repertorin e saj vepra që i mundësojnë shikuesve të konfrontohen me këndvështrimin që kanë ndaj shoqërisë. “Vepra e Çapalikut, për shkak të strukturës dhe problemit që trajton, është e afërt me atë që ne e kemi si mision të teatrit”, - thotë Abazi, duke shtuar më tej se struktura e dramës e ofron mundësinë që publiku të jetë një variant hiperaktiv dhe bashkëpjesëmarrës me aktorët në skenë.
E vlerësuar prej tij si një dramë me vlera të mirëfillta bashkëkohore edhe në dramaturgjinë që shkruhet në radhën e dramaturgëve shqiptarë, “Ballkan Ekspres”, siç thotë Refet Abazi, pritet të shënojë një surprizë teatrore për jetën artistike të Shkupit.


Admirina Peçi - Gazeta Shqiptare

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama