Ulerima e fundit Me shpetoni se po vdes o ba cte bera!

Ulerima e fundit: Me shpetoni se po vdes, o ba c'te bera!

“Pashë një polic që ishte ulur në gjunjë dhe i kishte kapur kokën”

 

“O më vranë, ore më vranë, ooo, më shpëtoni!” Kjo frazë u dëgjua për pak sekonda afër Fakultetit të Shkencave të Natyrës, derisa u mek fare e në fund shteroi. Një nga rojat private të një godine aty pranë ishte ndodhur përballë skenës rrëqethëse. Duart vazhdonin t’i dridheshin dhe zërin e kishte jo fort të qartë, kur rrëfeu për gazetën “Shqip” atë çfarë i kishin parë sytë. Për shkak se nuk dëshironte të identifikohej burri rreth të 50-ave, thotë se nga të shtënat e njëpasnjëshme ishte krijuar një rrëmujë e madhe dhe qytetarët nisën të shpërndaheshin sa andej këndej, duke u përpjekur të shpëtonin kokën. Shumica ia mbathën në drejtim të rrugicave të ngushta mes përmes pallateve, të tjerë nëpër bare dhe pjesa tjetër kishin shtangur në vend, siç ishte edhe rasti i këtij dëshmitari. Roja thotë se pasi pushuan të shtënat me armë, një burrë që ishte shtrirë në tokë bërtiste me të madhe “Oooo, më vranë moreee, më shpëtoni moreee”. Ulërima siç duket nuk kishte dhënë efekt tek asnjë prej të pranishmëve aty, pasi dy të rinj ishin turrur tejposhtë bulevardit, në tentativë për t’u shpëtuar prangave. I plagosuri rëndë vijonte ulërimën dhe kërkesën për ndihmë, derisa një çast, pak para se të ndërronte jetë, i ishte kujtuar babai.

 

“O baaa të lashë vetë, o ç’më bënë o baaa, më vranë”, kishte thirrur ai kësaj radhe me zë më të ulët, derisa në fund nuk ishte ndier më asnjë lëvizje. Dëshmitari nuk e njihte këtë person dhe nuk mund ta identifikonte, por nisur nga mekanizmi i ngjarjes ka shumë mundësi të ketë qenë Mentor Lufi ose Genti Goxhaj, pasi këta dy persona u gjetën të vdekur përtokë, afër makinës tip “Tuareg”. Ai shton se kishte dëgjuar mbi 10 të shtëna me armë dhe më pas kishte parë disa të rinj të largoheshin. Të tjerë persona që kishin parë frekuenca të ngjarjes rrëfejnë për gazetën se të shtënat nuk ndalonin. Një shitës ambulant thotë se nga koha kur ishin dëgjuar krismat e deri në mbërritjen e ambulancës, e cila dërgoi në spital shtetasin italian, i cili u plagos, kishin kaluar të paktën 20 minuta. Ai shton se njëri nga të plagosurit rëndë kishte shenja jete dhe nëse do t’i jepej ndihma e menjëhershme, brenda pak minutave, mund të shpëtonte. Ndërkaq, fare pranë vendit të ngjarjes ndodhet një dyqan që ka aktivitet shitjen e luleve. Ky biznes gjendet në krah të shkallëve të maternitetit të ri, ndërsa shitësja është një grua rreth të 40-ave.

 

Ajo nuk pranon që t’i publikohet emri dhe teksa tregon disa nga momentet finale të ngjarjes, ngre edhe një herë celularin, për t’iu përgjigjur familjarëve se ishte mirë dhe nuk i kishte ndodhur gjë. “Në momentin kur nisën krismat unë isha brenda në dyqan. E para gjë që me erdhi ndërmend ishte një festë me fishekzjarrë. Këta studentët e Shkencave të Natyrës hedhin fishekzjarrë në çdo sezon kur mbarojnë shkollën”, thotë ajo. Më tej shitësja shton se e kishte kuptuar që diçka po ndodhte vetëm në momentin kur dëgjoi sirenat e policisë. “Aty dola jashtë menjëherë”, thotë ajo dhe teksa tregon me gisht kah vendit ku ende ndodhej i shtrirë një viktimë, shton se “pashë një polic që ishte ulur në gjunjë dhe i kishte kapur kokën”. Më tej, dëshmitarja shton se “dy djem të rinj, me fytyrë të imët, po vraponin për poshtë dhe policia i ndiqte”. Sipas saj, këta persona u arrestuan fare pranë vendit të ngjarjes.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama