Shkelzen Maliqi Raportet shqiptaro-serbe po normalizohen

Shkelzen Maliqi: Raportet shqiptaro-serbe po normalizohen

Këshilltari politik i kryeministrit Rama për çështjen e Kosovës në një intervistë ka komentuar atë çfarë prodhoi takimi i kryeministrit shqiptar me atë serb.

 

Z. Maliqi, vizita e kryeministrit serb në Tiranë ishte një përpjekje për t’u pajtuar pas acarimit të marrëdhënieve në Beograd apo erdhi natyrshëm dhe tashmë dy vendet janë futur në udhën e duhur, atë të integrimit në BE, duke lënë anash ndasitë e mëdha? 

 

Takimi solli një frymë pozitive për të ardhmen dhe dha të kuptojë se të dy vendet janë pro përmirësimit të raporteve, që për hir të së vërtetës kanë qenë të acaruar shumë vite dhe shpesh kanë qenë dhe të ngrira për shkak të situatës që dy popujt kanë kaluar. Nga ky takim duhet të veçojmë gatishmërinë e dy kryeministrave për përmirësimin e infrastrukturës së rrugëve. Pjesa më e madhe e autostradës në territorin e Shqipërisë dhe Kosovës ka mbaruar dhe tashmë dhe pritet të ndërtohet pjesa e mbetur në territorin e Serbisë, që fillon nga Nishi në kufi me Kosovën.

 

Për këtë pjesë foli dhe kryeministri serb, i cili theksoi se qeveria serbe do të ndërtojë autostradën nga Nishi shumë shpejt. Ndërtimi i këtij korridori do të jetë një urë lidhëse për ekonominë dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të dy vendeve. Me rëndësi është që tashmë është mënjanuar një lloj pengese që kanë zgjatur prej viteve mes dy qeverive dhe e shoh se po vendosen raportet normale në të gjitha fushat. Si në ato politike dhe në ato ekonomike, kulturore dhe sportive. Në raportet mes Shqipërisë dhe Serbisë kemi në mes dhe çështjen e Kosovës, këtu kemi shumë mospajtime dhe qëndrime plotësisht të kundërta.

 

Në lidhje me Kosovën, tonet e dy kryeministrave ishin të buta, por mesazhet e tyre ishin të njëjta me ato të 6 muajve më parë. Një njërën anë Vuçiç që thotë se Kosova dhe diçka më shumë se Kosova është Serbi, ndërsa nga ana tjetër kemi Ramën që prerazi thotë se për këtë çështje dy qeveritë kanë qëndrime të kundra. Deklarata e Vuçiç se diçka më shumë se Kosovë është Serbi a mund të cilësohet si provokim?

 

Nuk mund të them se ishte provokim, sepse ne e dimë se deklarata të tilla janë krejt të zakonshme për qeverinë serbe, ashtu si qeveria serbe e ka të qartë qëndrimin tonë në lidhje me çështjen e Kosovës. Nga deklarata e kryeministrit Vuçiç nuk kishte asgjë dramatike që mund të përbënte ndonjë gjë të re për ne. Duke parë se në këtë pikë nuk mund të gjejmë asgjë të përbashkët është munduar të lihet anash dhe të mos diskutohet gjatë. Tashmë Serbia dhe Kosova janë në dialog prej disa vitesh, që po ecën në mënyrë suksesshme me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

 

Të gjithë palët janë të vetëdijshëm se rregullimi i raporteve politike mes Kosovës dhe Serbisë sjell stabilitet në Ballkan dhe përshpejton procesin e integrimit për të gjithë vendet. Kjo vizitë vetëm sa vërtetoi se Serbia dhe Shqipëria, si dhe raportet shqiptaro-serbe janë boshti i stabilitetit të rajonit. Përmirësimi i raporteve shqiptaroserbe, normalizimi dhe intensifikimi i raporteve politike, ekonomike dhe të tjera, stabilizon rajonin dhe hapë perspektiva që do të ishin në dobi të të gjithë rajonit dhe Evropës në përgjithësi.

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama