Une kengetarja qe dua te behem gazetare kritike

Unë këngëtarja që dua të bëhem gazetare kritike

Por, sapo përmend muzikën, sytë i shkëlqejnë dhe menjëherë bëhet më serioze. Sepse muzika është serioze për të, është gjithçka ajo do dhe bën në jetën e saj. Ndaj ajo shprehet se i duhet të punojë shumë dhe shumë, që të jetë në një proces përmirësimi të vazhdueshëm. E aq më tepër, që ajo synon të shkojë përtej të kënduarit një ditë, të mbërrijë në analizën e kritikën e muzikës, e bindur se ka bagazhin e duhur për ta bërë një gjë të tillë, aq më tepër pasi të mbarojë shkollën për Muzikologji. Është kjo Kamela Islamaj, këngëtarja që prej kohësh shfaqet në “Top Show”. Por, cila është pika e saj e parë e takimit me muzikën, ku e sheh veten ajo në të ardhmen, si është jeta e saj jashtë muzikës? Për këtë e më shumë flet vetë Kamela, në një intervistë dhënë për “Tirana Observer”.
Cila ka qenë pika e parë e takimit me muzikën?
Unë kam filluar pianon që në moshën 6 vjeç, kur isha në shkollën e muzikës në Korçë. Pastaj, në moshën 8 vjeçe fillova të këndoja nëpër aktivitetet muzikore shkollore. Pastaj, në vit të tretë të shkollës së mesme kam marrë pjesë në “Ethet e së premtes”, arrita deri në dhjetëshe dhe pastaj u skualikova. Aty dhe spikata si këngëtare. Ajo ishte trampolina që unë u transferova në Tiranë. Fillova punë duke kënduar nëpër pabe me grupe të ndryshme deri sa gjeta një grup timin. Kështu filloi gjithçka.
Si përfundove në “Top Show”?
Unë kam ndërruar shumë grupe dhe në një ndër këto grupe ka qenë dhe Dori (Dorian Gjoni). Nga ai dhe më ka ardhur oferta për të kënduar në “Top Show”, por nuk është se ia vura veshin si fillim. Mua më kishte propozuar edhe Albani, pasi ai vinte gjithnjë në vendet ku këndoja unë.
Ti këndon gjithnjë live në “Top Show”, sa e vështirë është të mbartësh një ritëm të tillë në mënyrë të vazhdueshme dhe sa kohë përgatitesh për repertorin e radhës?
Ne na jepet tema në mëngjes. Ndërkohë që nga ora 11:00 e deri në orën 16:00 bëjmë përzgjedhjen e repertorit që përshtatet me temën. Atje pastaj kemi një orë kohë për të bërë prova. Në fillim ishte shumë e vështirë, por pastaj mësohesh. Ka raste kur është e vështirë, pasi s’del koha për të mësuar tamam këngët dhe i këndon në mënyrë mekanike. Ashtu siç ka dhe këngë që të ngjisin dhe ecin shumë mirë.
Sa varet performanca ose impenjimi yt nga lloji i stilit të këngëve që duhet të këndosh?
Unë përpiqem që të gjitha llojet e këngëve t’i bëj sipas mënyrës time. Por sidoqoftë, mua më duket eksperiencë shumë e bukur, sepse nuk të jepet gjithmonë mundësia të këndosh këngë të vjetra. Për shembull, njëherë ka qenë një temë shumë e bukur, tema e këngëve italiane. Aty kam kënduar disa këngë të Minës dhe ishte me të vërtetë kryevepër. Mina më pëlqen shumë, por më parë nuk kam pasur asnjë informacion për të.
Cilët këngëtarë shqiptarë ju pëlqejnë?
Vaçe Zela më pëlqen, Lindita Theodhori, edhe Mariza Ikonomi më pëlqen. Elton Deda është një nga kompozitorët dhe këngëtarët e mi të preferuar. Edhe Redon Makashi deri diku, edhe Eneda Tarifa. Nuk e di, ka plot. Nuk është se këtu s’ka artistë, por kanë një problem, janë “këngëtarë pa identitet”. Çfarë këndojnë tani nuk e këndojnë pastaj. Kjo është dhe arsyeja pse unë mbase nuk kam dalë me diçka timen. Sepse unë dua të dal me diçka dhe t’i qëndroj besnike. Jo të dal tani me “rhythm and blues” dhe pastaj të kaloj tek regatoni.
Kjo është arsyeja e vetme pse nuk keni publikuar një këngë apo album tuajin?
Po. Sepse, në momentin që të dal, dua të dal me diçka timen, që të më dëgjojnë dhe të thonë “kjo është Kamela”. Por edhe duhet thënë se unë jam shumë njeri indiferent dhe nuk u bie pas shumë gjërave. Në momentin që unë kam shumë punë i lë si në hije gjërat.
Për çfarë studion aktualisht?
Unë studioj në Akademinë e Arteve të Bukura, dega Muzikologji, aktualisht jam në vitin e parë. Zgjodha këtë degë sepse unë kam qenë pianiste, gjithashtu edhe këndoj, dhe dega më e përshtatshme mu duk Muzikologjia. Duke pasur eksperiencë në dy fusha dhe me bindje mund ta them se kam bagazhin e duhur për të dhënë kritika. E pse këtë bagazh mos ta thelloj më tepër, duke mësuar teorinë e duhur. Pastaj ne si popull jemi shumë të aftë të kritikojmë dhe unë thashë “pse të mos e bëj këtë gjë me shkollë” (qesh).
Ku dëshiron ta shohësh veten në të ardhmen, për sa i përket muzikës?
Ëndrra ime është që të jetoj si këngëtare “forever”. Por nuk e di çfarë mund të ndodhë, sepse edhe unë njeri jam. Plani im ka qenë që të bëj një kurs gazetarie dhe më vonë të vazhdoja për gazetare, kritike muzike, sepse nuk ka shumë në Shqipëri. Por nuk e di se sa do të ecë, sepse unë jam njeriu që edhe bëj shumë plane edhe s’bëj asgjë.
Si është Kamela jashtë muzikës?
Nuk ka Kamela jashtë muzikës. Në çdo moment unë jam duke kënduar ose duke kënduar me vete një melodi, ose ma jep truri e filloj e improvizoj diçka. Mund të dukem pak “skizofrene”, për shembull, kur më shohin në rrugë, sepse jam gjatë gjithë kohës me kufje. Kjo sepse në shkollë nuk kam kohë të studioj materialet e punës dhe jam kudo me kufje duke mësuar këngët. Ndërsa kështu në përgjithësi unë jam njeri shumë i hallakatur. Nuk e di se ça do bëj pas tre minutash.
Cili është komplimenti më i bukur që ke marrë kur ke kënduar në “Top Show”?
Përveç radhës së fundit kur ishte Hysni Zela, i cili më komplimentoi, ka qenë një rast tjetër kur Gjergj Leka më ka thënë një herë “je më e mirë se Parashqevi Simaku”. Njerëzit që vijnë aty gjejnë gjithnjë një gjë të mirë për të thënë, por nuk i thonë në televizion. Dhe kjo është gjë e bukur, e për momentin më bëjnë të ndihem shumë mirë. Por pastaj filloj e mendoj, se unë kam shumë punë për të bërë, unë duhet të punoj shumë, nuk duhet të më bëjnë kaq shumë komplimente etj., etj.
Kush është kritiku juaj më i madh?
Motra. Motra ime ka mbaruar violinë dhe ajo është personi që më kritikon çdo tre minuta, por unë jam edhe shumë autokritike dhe nuk duhet të jem aq shumë.
Po prindërit sa të kënaqur janë me karrierën tënde muzikore?
Unë në fakt do të doja t’i falënderoja shumë ata, pasi s’i kam falënderuar asnjëherë publikisht që më kanë mbështetur dhe që më kanë ndihmuar të jem kjo që jam.

Biografi

Kamela Islamaj ka lindur në qytetin e Korçës më 8 qershor 1987 në qytetin e Korçës. Ajo ka filluar të luajë në piano që në moshën 6 vjeçare dhe më pas në moshën 8 vjeçare ka filluar të këndojë në aktivitetet shkollore. Ka studiuar për piano në shkollën e mesme të muzikës “Tefta Tashko Koço” në Korcë. Më pas ajo ka konkurruar në “Ethet e së premtes”, ku dhe është evidentuar zëri i saj. Kjo pjesëmarrje ka shërbyer si trampolinë për karrierën e saj muzikore. Ajo ka filluar të këndojë me grupe të ndryshme në pabe kur mori ofertën për t’u bërë pjesë e “Top Show”. Aktualisht studion në vitin e parë në Akademinë e Arteve të Bukura në degën e Muzikologjisë. Në të ardhmen përveç këngës ajo synon të marrë përsipër dhe rolin e kritikes muzikore.

 

Blendina CARA - Gazeta TiranaObserver


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama