Devijimi potencial i ujrave te lumenjve Vjosa dhe Radika

Devijimi potencial i ujrave te lumenjve Vjosa dhe Radika

Kërkesa e Maqedonisë për financimin prej Bankës Botërore e projektit të devijimit të ujërave të lumit Radika për ndërtimin e një HEC-i në Likovë realisht krijon një problem, i cili ka ose mund të ketë pasoja të shumta dhe të gjithanshme për njerëzit, mjedisin, për integritetin e ekosistemit për të tre shtete dhe për zhvillimin në përgjithësi në trevat përreth e më gjerë

Një çështje tjetër e hapur, që pret trajtimin dhe zgjidhjen e duhur në përshtatje me legjislacionet e Shqipërisë, Maqedonisë, vendeve të tjera përreth, parimet themelore dhe normat e së drejtës ndërkombëtare është ajo që lidhet me lumin Radika dhe pellgun e tij ujëmbledhës. Ka kohë që në media po flitet për projekte ose për nisje punimesh në rrjedhën e këtij lumi, për shkelje të normave juridike, për cenim të interesave jetësore të banorëve të zonave përreth si dhe të shteteve fqinjë etj.


Sipas disa burimeve zyrtare të informacionit, u njoftua se në fillimin e vitit të kaluar (2014), Banka Botërore (BB) po shqyrtonte kërkesën e Maqedonisë për financimin e projektit të devijimit të ujërave të lumit Radika për ndërtimin e një HEC-i në Likovë. Dokumenti i BB titullohet: Lukovo Pole Water Regulation and Renewable Energy Project (LPREP). Projekti parashikon ndërtimin e një hidrocentrali të ri me fuqi 5 MW, me digë dhe rezervuar, me kapacitet prej” 39 milionë m³ ujë dhe rritjen e volumeve të furnizimit me ujë në tre hidrocentrale ekzistues, në kaskadën e Mavrovos. Për këtë, sipas projektit do të merret një sasi mesatare prej 2 m³ ujë në sekondë nga baseni kullues i Adriatikut, në lartësinë 1500 metra mbi nivelin e detit dhe do të devijohet në basenin kullues të Egjeut, duke u derdhur në lumin Vardar, i cili është lumi më i madh dhe më i gjatë në Maqedoni, që buron pranë fshatit Vërtok afër Gostivarit, përshkon pothuajse gjithë territorin e saj, hyn në teritorin grek në Polykastro dhe Axioupoli dhe derdhet në Detin Egje, në perëndim të Selanikut.


Energjia elektrike totale e prodhuar nga hidrocentrali i ri dhe nga rritja e prodhimit në hidrocentralet ekzistues, pritet të arrijë në 160 milionë kWh në vit. Diga e projektuar është 320 kilometra e gjatë dhe 70 metra e lartë. Kostoja e projektit është përllogaritur në rreth 80 milionë euro. (Sipas Gjergj Erebara Gazeta Shqip, 23 Janar 2014). Autoritetet maqedonase në vitin 2012 kanë kryer procedurat e konsultimit publik dhe hartimit të vlerësimeve të ndikimit në mjedis.


Pellgu ujëmbledhës i lumit Radika gjendet në zonën e Dibrës, në Maqedoni, në pjesën perëndimore të saj, në koordinatat gjeografike 41°33.1´ - 20°37.3´. Sipërfaqja e përgjithshme e tij, sipas buletinit hidrologjik jugosllav të vitit 1954, të cituar nga studiuesit shqiptarë, është F = 866 km2 në urën e Gorenickit. Vendmatja e tij hidrometrike, Ura e Boskovit, me kuotë 592.24 m mbi nivelin e detit, është hapur në vitin 1958. Burimi i parë i lumit Radika është përroi Crni Kamen, që del nga shpatet veriore të malit Vraca, në jug të vargmaleve të Sharrit. Ai ka një gjatësi prej 67 km dhe përmendet sidomos për pastërtinë e ujit. Sipas studiuesve të fushës, prurja mesatare shumëvjeçare e lumit të Radikës është rreth 25 m3/s.


Pellgu i Radikës dhe lumi me të njëjtin emër kontribuojnë në prurjet mesatare vjetore të lumit Drinit, i cili rrjedh në një gjatësi të konsiderueshme në territoret shqiptare. Heqja e dy metrave kub ujë për sekondë ose 63 milionë m³ në vit (sikurse thuhet në dokumentacionin e BB), do të pakësojë sasinë e ujërave që mbërrijnë në hidrocentralet shqiptare (Fierzë, Koman, Vau i Dejës dhe Ashtë) të ndërtuara në lumin Drin. Në këtë mënyrë, sipas specialistëve, do të pakësohet potenciali prodhues energjetik i Shqipërisë me rreth 50-60 milionë kWh në vit.


Devijimi i Radikës, pa respektuar normativat bazë juridiko-ndërkombëtare të përdorimit dhe të shfrytëzimit të ujrave të pëbashkëta, do ta privojë Shqipërinë dhe komunitetet rajonale gjatë rrjedhës së Drinit nga prurje të konsiderueshme ujore. Shqipëriamund të vihet përballë pasojave dhe të papritura të tjera me karakter ekonomik, social, mjedisor etj. Prandaj, projekti i Likovës nuk mund të zbatohet pa marrëveshje ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Greqisë. Ky është një detyrim juridiko-ndërkombëtar që buron nga një varg akte për të cilat do të flitet në vijim.
 
Qëndrime konfuze nga burimet informative të Tiranës dhe të Shkupit


Informacionet zyrtare me burim organet kompetente shqiptare lidhur me çështjen në fjalë janë disi konfuze dhe krijojnë përshtypjen se, me kujdesin tej mase të shtuar të maturisë që tregojnë për të mos krijuar qejfmbetje në Shkup, shtojnë shqetësimet dhe hamendjet në publikun e gjerë dhe veçanërisht te banorët e zonave që mund të preken. Në organet e ndryshme të medias në Tiranë qarkullon një dokument që shprehet se qeverisë shqiptare i ka mbërritur nga qeveria e Maqedonisë kërkesa për dhënien e lejes për devijimin e Radikë. Ministria e Ekonomisë thotë se çështja është diskutuar me autoritetet maqedone në kuadër të shqetësimeve të popullsisë, por pohon se nuk ka kërkesë zyrtare për leje për devijimin e kësaj sasie uji. Ndërkaq, në dhjetorin e vitit 2013, Ministria e Jashtme ka raportuar në mbledhjen me dyer të mbyllura të Komisionit të Jashtëm në Kuvend, ku zyrtarë të lartë të Ministrisë së Jashtme kanë njoftuar se janë ngritur grupet e punës ndërqeveritare për të negociuar me shtetet fqinje, Greqinë dhe Maqedoninë, për problemet eventuale që mund të krijohen nga devijimi i Vjosës në Greqi dhe i Radikës në Maqedoni. Ish drejtoresha e drejtorisë së traktateve dhe të drejtës ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme, ka shpjeguar se “Ministria e Punëve të Jashtme është në ndjekje të problematikës së krijuar qoftë me komunitetin e Dibrës së madhe, për çështjen e një projekti të cilin qeveria maqedonase e ka miratuar nga ana teknike për ndërtimin e një hidrocentrali në Fushën e Likovës. Ideja është se duke qenë se burimet natyrore nuk janë të mjaftueshme në këtë zonë, është menduar që të merren pesë degë të lumit Radika dhe të çohen në 3 kanale të nëndheshme drejt fushës së Likovës”. Drejtoresha sqaroi se kjo çështje është paraqitur nga pala maqedonase gjatë takimit të zhvilluar më 26 nëntor të vitit 2013, ndërmjet ministrave përkatës të të dy vendeve, Gjiknuri dhe Saraçini. Palët kanë diskutuar mbi bazën e disa elementëve paraprakë të projektit, që u paraqitën nga autoritetet maqedonase. Pala shqiptare është e mendimit se devijimi i një prej burimeve të lumit Drin i Zi nuk do të jetë i madh, por kjo do të vlerësohet nga komisionet ndërqeveritare. Zyrtarja e MPJ ka vënë në dijeni deputetët e Kuvendit se  “ është çështje ditësh që të komunikojmë në mënyrë diplomatike me palën maqedonase, për të bërë mbledhjen e komisionit ndërqeveritar të ujërave dhe ky është i vetmi instrument ligjor, i cili do të shërbejë për diskutimin e të gjitha problemeve që mund të lindin mes dy shteteve dhe kryesisht problemi kryesor që kemi aktualisht është çështja e devijimit të lumit të Radikës dhe të ndikimit që do të ketë në Drinin e Zi, sepse realisht nga informacionet që kemi për momentin, mendohet që nuk do të ketë ndikim shumë të madh, por kjo është një çështje që ekspertëve u takon ta vlerësojnë realisht sesa do të jetë, duke parë në mënyrë më të detajuar vetë projektin dhe se çfarë parashikon ai”.


Saraçini, është shprehur me të njëjtin argument të MPJ shqiptare se projekti nuk do të ketë ndikim ndërkufitar, sepse nga pikëpamja teknike lumi i Radikës ka 17 m³ prurje në sekondë, ndërkohë që mendohet se do të devijohet vetëm 2 m³ në sekondë!!! Ministri Gjiknuri ka mirëpritur faktin që kjo është ngritur si çështje per diskutim dypalësh dhe është rënë dakord që të vlerësohet nga ana teknike ky projekt.
Kryeministri shqiptar Edi Rama ka shkruar në adresën e vet në “Twitter”: “Lumi Radika, shumë zhurmë për asgjë! 1. S’ka projekt 2. S’ka gjasë të ketë fillim të njëanshëm 3. S’ka shans të lejojmë prekjen e interesit tonë!”


Konfuzioni dhe paqartësia janë të pranishme edhe në Maqedoni, në mjediset zyrtare, politike dhe ato të shoqërisë civile. Informacionet që përcillen nga organet përkatëse shtetërore maqedone nuk të lejojnë të krijosh një ide të plotë mbi atë çka është projektuar dhe vendosur që të ndërtohet. Ndonjë ministër deklaron se do të merren 2 m³ ujë/sek, dikush tjetër pohon se nuk do të kryhet asnjë veprim pa u dëgjuar dibranët dhe se do mbrohet ekosistemi dhe biodiversiteti. Ndërkohë mijëra njerëz në rrethinat e pellgut të Radikës, në qytete të tjera brenda Maqedonisë dhe madje edhe jashtë saj si në ShBA, Europë, kanë protestuar kundër realizimit të projektit. Mbi 100 shkencëtarë dhe ambientalistë të njohur kanë nënshkruar një peticion në të cilin kërkojnë anullimin e projektit. Në 24 qershor 2014, përfaqësues të shoqatës mjedisore Riverwatch kanë depozituar pranë zyrave të Bankës Botërore në Vienë një peticion të nënshkruar nga 77,930 persona, kundër financimit të HEC-eve mbi lumin Radika. Megjithatë, projekti i njërës prej veprave të prashikuara për t’u ndërtuar në ujrat e këtij pellgu dhe të kaskadës së Drinit, HEC-i në Boskov Most, përkundër ndalimeve nga normat juridiko-ndërkombëtare, paralajmërimeve të ekspertëve ndërkombëtarë, protestave në Maqedoni dhe në Shqipëri, është në fazën përfundimtare dhe gati për fillimin e ndërtimit. Ai do të ketë një kapacitet prej 70 megawat. Investitorët ndërkombëtarë kanë avancuar procedurat për të nisur nga puna, BERZH-i ka aprovuar paraprakisht projektin, IFC po shqyrton dhënien e kredisë për HEC-in në Lukovo Pole.


Në këtë mjedis informativ të mjegullt, në fundin e muajit janar 2014, kryeministri maqedonas Gruevski, me sa duket për të zmbrapsur presionin e qarqeve të politike, sociale, ambjentaliste etj, deklaroi se hidrocentrali i Likovës nuk do të ndërtohet nëse krijon probleme në rajon dhe në mjedis.
Nga ana e vet BB afirmon se Maqedonia, Shqipëria dhe Greqia do të duhet të japin leje për realizimin e këtij projekti, sepse ai ka potencial për të shkaktuar ndikime të rëndësishme negative në mjedis nëse nuk menaxhohet mirë. “Gjatë periudhës së operimit [projekti] do të shkaktojë devijimin e ujit nga rrymat dhe përrenjtë në sipërfaqe nëpër kanale dhe tunele, do të ndryshojë hidrologjinë vendëse dhe do të shkaktojë devijim ujrash…”
Është evidente që realisht ekziston një problem, i cili ka ose mund të ketë pasoja të shumta dhe të gjithanshme për njerëzit, mjedisin, për integritetin e ekosistemit për të 3 shtetet dhe përzhvillimin në përgjithësi në trevat përreth e më gjerë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama