Eksodi Gjermania shkurton procedurat per kerkesat e azilit

Eksodi, Gjermania shkurton procedurat per kerkesat e azilit

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hofman, ishin dje në pikën e kalimit kufitar të Morinës, në Kukës, për të parë nga afër masat e marra nga policia kufitare për ndalimin e shqiptarëve, të cilët largohen nga vendi në kërkim të azilit në zonën “Shengen”. Gjatë fjalës së tij, ministri Tahiri u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të mos largohen për të kërkuar azil në vendet e BE-së, pasi është e pamundur një gjë e tillë.

Ministri informoi se të gjitha agjencitë shtetërore po punojnë ndërkohë për të ndaluar çdokënd që abuzon me qytetarët, duke u premtuar udhëtimin në kërkim të azilit. Ndërsa ambasadori gjerman informoi se vendi i tij po tenton të shkurtojë procedurat për verifikimin e çdo emigranti që mbërrin atje, procedura që aktualisht zgjasin 2-3 muaj, por në fund të këtij procesi pothuajse çdo emigrant duhet të kthehet në vendin e tij.

Ministri Tahiri informoi dhe për një vizitë në Berlin ditën e hënë, pikërisht për të diskutuar mbi përshpejtimin e procedurave për rikthimin e shqiptarëve që tashmë kanë emigruar drejt Gjermanisë, por u është refuzuar azili.

Inspektimi në Morinë

“Kemi ardhur bashkë me ambasadorin gjerman në pikën e kalimit kufitar të Kukësit, në përpjekjen tonë të përbashkët me ambasadorin, por edhe me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, për të ndërgjegjësuar qytetarët shqiptarë të mos i hyjnë një aventure, duke u larguar nga Shqipëria për të gjetur azil në vendet e Bashkimit Evropian, sepse kjo është, në të gjitha rastet, tërësisht e pamundur. Që do të thotë të ndërgjegjësojmë qytetarët shqiptarë se, nisja e tyre me shpresën për të gjetur azil në vendet e Bashkimit Evropian është një përpjekje që më shumë shpenzon energjitë dhe paratë e tyre, sesa mund të hapë ndonjë rrugë për një të ardhme ndryshe”, deklaroi ministri. Ai shtoi se Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të ndjekur ngushtësisht këtë proces, duke aplikuar një proces intervistimi në të gjitha pikat e kalimit kufitar.

“Ne besojmë shumë fortë që garantimi i lëvizjes së lirë për qytetarët, të cilët duan ta përdorin këtë instrument në mënyrë të ligjshme, është domosdoshmëri të kalojë nëpërmjet ndalimit të të gjithë atyre që duan ta përdorin lëvizjen e lirë për qëllime abuzive. Nga ana tjetër qeveria në tërësi është angazhuar për të shkuar pas të gjithë atyre që abuzojnë me qytetarët shqiptarë, duke u premtuar padrejtësisht dhe në mënyrë kriminale udhëtim, me qëllim azil-kërkimi në vendet e Bashkimit Evropian”, theksoi ministri. Kjo, tha ai, vlen për agjencitë e udhëtimit, të cilat në rast se evidentohet një fenomen i tillë do të humbasin edhe licencën dhe do t’i nënshtrohen procedimeve penale, por edhe për të gjithë ata që shërbejnë si sekserë, duke marrë me mashtrim paratë e qytetarëve shqiptarë.

“Unë e kam biseduar me kolegët ministra të Bashkimit Evropian dhe të hënën kam edhe një vizitë në Gjermani për të takuar kolegun atje dhe për t’i kërkuar rishikimin e procedurave të rishqyrtimit të kërkesave për azil, në mënyrë që ato të jenë sa më të shkurtra dhe të mos shërbejnë si faktorë ftues ose tërheqës për qytetarët shqiptarë, në të gjitha rastet”, tha ministri. Edhe ambasadori Helmut Hofman përsëriti thirrjen që qytetarët shqiptarë të mos marrin rrugën drejt Gjermanisë për të aplikuar atje për azil.

“Muajt e fundit kemi konstatuar se pikërisht këtë gjë e kanë bërë shumë qytetarë shqiptarë. Më duhet ta ripërsëris edhe njëherë për ata shqiptarë që tentojnë të kërkojnë të lënë Shqipërinë për azil. Pasi për të gjitha rastet do të ndërmerren procedura të ndërlikuara të verifikimit të cilat në rastin më të përgjithshëm zgjasin 2-3 muaj. Jemi duke tentuar t’i shkurtojmë këto procedura, por gjithsesi në pjesën më të madhe, e dërrmuese të tyre, thuajse në të gjitha rastet, të gjithë këta shtetas do të duhet të rikthehen në vend”, tha ai. Ambasadori shpjegoi se, në Gjermani nuk ekziston e drejta e azilit ekonomik, prandaj është e kotë çdo largim për disa muaj që do të përfundojë me rikthimin në Shqipëri. Hofman falënderoi ministri Tahiri dhe qeverinë për bashkëpunimin e deritanishëm.

“Qeveria shqiptare është duke bërë atë çka ka në mundësitë e veta, pikërisht për të mbajtur nën kontroll këtë fenomen, qoftë edhe me ndalimin e daljes nga vendi. Apo edhe duke u përpjekur që të bjerë në gjurmët e të gjitha atyre sipërmarrjeve të cilët përpiqen të shfrytëzojnë fatin e trishtë të njerëzve për të fituar më tepër para”, tha diplomati. Sipas tij, është mjaft e rëndësishme që njerëzit të mbeten në Shqipëri për të ndërtuar të ardhmen e tyre.

Akuzat

Ministri i Brendshëm, Tahiri i ka cilësuar si abuzime publike deklarimet e ditëve të fundit të opozitës, e cila ka akuzuar qeverinë për largimet masive të shqiptarëve. “Unë nuk kam asnjë dëshirë të merrem me abuzimet publike lidhur me motivet pse kjo ndodh, por do t’i ftoja të gjithë të bëhen pjesë e punës sonë të përbashkët, për të ndaluar që qytetarët shqiptarë të humbin paratë e tyre duke iu dedikuar aventurave të tilla, të cilat nuk të çojnë asgjëkund”, tha ai.

Eksodi i shqiptarëve është diskutuar gjerësisht në seancën plenare të së enjtes, ndërsa opozita akuzoi qeverinë si përgjegjëse të kësaj situate. Kryeministri Edi Rama e konsideroi këtë “një keqkuptim të madh, nga njëra anë, i krijuar në raport me një nevojë të shpallur të Gjermanisë për rreth 45 mijë të huaj, por me profesione të caktuara dhe për arsye të caktuara të ekonomisë gjermane, në raport me nevojën, dëshirën, aspiratën e njerëzve për të kërkuar aty një jetë më të mirë. Nga ana tjetër, mbi këtë keqkuptim ka hyrë në veprim elementi kriminal dhe mjafton të shikojmë në vendet fqinje dhe kemi të njëjtën situatë”.

Leskaj në KiE: Varfëria, shkaku i emigrimit

Problemet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe varfëria, janë shkaku kryesor për emigrim. Deklarata është dhënë nga kryetarja e Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare te Këshillit të Evropës, Valentina Leskaj. Gjatë fjalës së saj në takimin e djeshëm të Asamblesë, Leskaj deklaroi se është i nevojshëm koordinimi për të gjetur zgjidhje afatgjata.

“Organizatat kriminale të trafikimit në Mesdhe po përdorin rrugët e vjetra por po krijojnë dhe rrugë të reja. Kontributi i përbashkët i vendeve evropiane është jetësor ndaj ka nevojë për zgjidhje të koordinuara, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, u shpreh Leskaj. Kryetarja e delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë në Asamblenë e KE-së, duke komentuar dhe deklaratat e ditëve të fundit, tha se ato nuk i shërbejnë zgjidhjeve.

“Sigurisht emigrantët janë pasoja, por ne duhet të adresojmë rrënjët e problemit. Çështja e emigrantëve nuk është thjesht çështje policimi kufitar, kontrolli i kufijve është shumë i rëndësishëm, por kjo nuk mjafton dhe nuk është një zgjidhje e qëndrueshme”, deklaroi ajo. Leskaj ka sugjeruar që të bashkëpunohet për një qasje të re politike për të evituar një problem të tillë.

“Një qasje të re politike, jo vetëm për politikat e refugjatëve, por për zgjidhje të qëndrueshme që integrojnë dhe programe zhvillimi dhe shtete stabël”, tha ajo gjatë takimit të Asamblesë së KiE-së, duke shtuar se vende si Greqia, Italia dhe Malta, të cilat po përballojnë fluksin kryesor, nuk duhet të lihen të vetme.

Meta, apel opozitës: Mos përdorni politikisht eksodin

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i bën apel opozitës të mos përdorë politikisht largimin e shqiptarëve në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa pranon se një ndër shkaqet e këtij largimi është edhe varfëria.

“Kjo situatë duhet kuptuar drejt dhe nuk duhet manipuluar apo përdorur për qëllime politike. Çdo retorikë që synon të nxijë realitetin dhe të evidentojë në ekstrem këtë fenomen, thjesht për qëllime të politikës së ditës, padyshim që synon të kontribuojë, qoftë edhe pa dashje, në nxitjen e këtij fenomeni dhe jo në dekurajimin e tij”, deklaroi Meta, gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Komiteti Drejtues Kombëtar i LSI-së. Kryeparlamentari pranoi se varfëria është një nga problemet e eksodit, prandaj sipas Metës, qeveria duhet të punojë për zhvillimin e vendit.

“Për shkak të krizës së zgjatur ekonomike në rajon dhe eurozonë, ka tendenca eksodi në drejtim të vendeve më të zhvilluara. Ky fenomen është manipuluar edhe nga organizata kriminale që duhet të goditen nga organet ligjzbatuese. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se varfëria nuk ekziston, përkundrazi. Është detyrë dhe përgjegjësi dhe e mazhorancës që drejton vendin të gjejë zgjidhet e duhura dhe të ndërmarrë politika të qarta për zhvillimin vendit dhe perspektivën e qytetarëve, sidomos në zona të cilat konsiderohen si të pafavorizuara. Qeverisja ka nevojë të përmirësohet dhe të jetë e hapur ndaj kritikave”, theksoi kryetari i LSI-së.

Ai u bëri apel qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve të grupeve kriminale që po përfitojnë nga situata e krijuar dhe që i shtyjnë në kërkojnë azil në vendet e BE-së. Më tej ai dha një përgjigje edhe për kritikët brenda mazhorancës, për punën 2-vjeçare të shumicës qeverisëse.

“Kjo mazhorancë është duke ecur në rrugën e duhur dhe ka ndërmarrë reforma shumë të rëndësishme që synojnë t’i japin fund informalitetit”, deklaroi kryeparlamentari. Në lidhje me zgjedhjet, kreu i LSI-së bëri apel për një fushatë pozitive, ndërsa theksoi se në këtë garë nuk janë 15 kandidatë të LSI-së por 61 kandidatë të aleancës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama