Këtë vit, për këtë temë pjesëmarrja ishte shumë e madhe, në të u paraqiten rreth 1000 artistë nga 87 vende të botës, si dhe u sollën rreth 4 mijë krijime. Në këtë veprimtari mori pjesë edhe Agim Sulaj, piktor shqiptar me banim në Itali. Puna e tij e titulluar "Puna, çelësi i çdo arritjeje" u nderua me çmimin special "The Best European Union". Juria e pati shumë të vështirë të shpallë fituesit - thotë ndër të tjera - kryetari i saj, Andre Nollet, ( karikaturist i njohur dhe pedagog i vizatimit në Akademinë e Arteve të Bukura në Anverse) - për këtë arsye ne ishim të shtrënguar të bënim shumë seleksionime. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve morën pjesë shumë të ftuar e dashamirës të artit.
I ftuar nderi ishte zoti Herman De Cro, president i Parlamentit të Mbretërisë së Belgjikës. Gjatë takimit me piktorin Agim Sulaj, ai foli me shumë dashuri për Shqipërinë, si edhe mbi takimet e kryera kohët e fundit me zyrtarë të lartë të saj. Organizuesi i Bienales, Rudy Geysens, foli me tepër emocion për të rejat e konkursit të këtij viti, ku më kryesorja ishte ngritja e qendrës ndërkombëtare të karikaturës, një godinë kjo e pambaruar ende plotësisht, por tepër impresionante për nga madhështia dhe arkitektura. Në fund të veprimtarisë, u shpallën fitues: Ludo Goderis - Belgjikë
Pol Leurs - Luksemburg, Ior Pachtchenko - Rusi, Agim Sulaj - Itali, Edd Uluschak - Kanada, Luc Vernimmen - Belgjikë, Alfons Vos - Belgjikë, Zhang Jia Xue - Kinë. "Jam shumë i gëzuar që veprat e mia ( së bashku me ato fituese të Bienales 2005 të edicionit të kaluar ) do të jenë pjesë e Qendrës së Karikaturës, "Euro-Kartoenale" - u shpreh piktori Agim Sulaj. Ndërkohë, ceremonia e çeljes për publikun e gjerë, do të fillojë në muajin qershor, së bashku me përurimin e ekspozitës së artistit të madh Mordillo.
Marre nga Gazeta Shqip











