Paci pjese e rrefimeve te artit italian

Paçi, pjesë e rrëfimeve të artit italian

Ai nuk e ka parë Italinë, apo Romën, qytetin ku tashmë është vendosur si një vend ku mund të jetë i qetë ekonomikisht dhe të jetojë i lirë me pikturën. Vetë angazhimi i tij në një mori evenimentesh të rëndësishme të arteve në vendin fqinj, rrëfen se Ardian Paçi kërkon të flasë nëpërmjet punëve të tij, edhe në vendin ku tashmë jeton, pavarësisht se ai nuk është vendi i tij. Arti flet njësoj, pavarësisht origjinave që artistët kanë. Artisti nga qyteti i Shkodrës tashmë është pjesë e artistëve që kanë ekspozuar në muzeun e artit bashkëkohor në Romë "MAXXI" e quajtur "Apokaliptikë dhe të integruar: Utopia në artin e sotëm italian". Ekspozita është hapur më 29 mars dhe do të qëndrojë e hapur deri më 1 korrik. Mënyra se si këta artistë perceptojnë momentin në të cilin ndodhet arti në vendin e tyre është filozofia e kësaj ekspozite. Rreth 80 vepra, ku dallojnë fotografi, vizatime, video, skulptura dhe instalacione,

paraqiten arritjet më të fundit të 24 artistëve aktivë në Itali, apo edhe italianë që krijojnë jashtë vendit të tyre. Mediat në Itali e kanë quajtur interesant titullin e ekspozitës, që sipas organizatorëve është huazuar nga një tekst i Umberto Eco-s të publikuar në vitin 1964. Pavarësisht kohës kur Eco ka hedhur këtë ide, idetë mund të argumentohen apo analizohen në kohë të ndryshme. Vetë mënyra se si këta 24 artistë kanë operuar mbi këtë temë, të lë të kuptosh se asnjëherë debatet nuk mund të përfundojnë në kohë dhe se ato mund të zgjaten pafundësisht.

Eco individualizonte dy kategori sjelljesh kundrejt kulturës së

masës. Referimi është i dyfishtë: si tregues i përgjithshëm (ngase të gjithë artistët kanë lindur në dhjetëvjeçarin e publikimit të librit) dhe si çelës leximi. Sipas kuratorit të ekspozitës, Paolo Colombo, "Ky emërtim nuk posedon lehtësinë e një loje, por është një ftesë për publikun që të mos i bashkohet

në mënyrë absolute njërit apo tjetrit kualifikim të artistëve pjesëmarrës".

Gati dy javë pas hapjes, ekspozita është vizituar nga një sërë njerëzish, të cilët gjejnë në këto vepra reflektime mbi ide të hedhura kohë më parë, por ashtu si vetë Eco vazhdojnë të jenë bashkëkohore. Artistët me të cilët është bashkangjitur edhe artisti shqiptar, Adrian Paçi, janë: Simone Berti, Botto & Bruno, Pierpaolo Campanini, Monica Carocci, Alice Cattaneo, Paolo Chiasera, Sarah Ciracì, Francesco De Grandi, Elisabetta Di Maggio, Giuseppe Gabellone, Giovanni Kronenberg, Andrea Mastrovito, Sabrina Mezzaqui, Diego Perrone, Luisa Rabbia, Pietro Roccasalva, Pietro Ruffo, Andrea Salvino, Elisa

Sighicelli, Patrick Tuttofuoco, Nico Vascellari, Francesco

Vezzoli e Carlo Zanni.

Muzeu "Maxxi" është një ndër vendet më të njohura në Itali për ekspozita të artistëve. Colombo është shprehur se kjo ekspozitë është fryt i një analize të thellë që ata i kishin bërë teorisë së Eco-s.

 

Marre nga Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama