Universitetet si kane ndryshuar piket per 20 deget me te kerkuara

Universitetet, si kane ndryshuar piket per 20 deget me te kerkuara
Pragu i pikëve për të fituar universitetin ka pësuar ndryshime nga viti në vit. Këto lëvizje të pikëve të fituesve të fundit në programe të ndryshme studimi kanë të bëjnë në radhë të parë me fluksin e kërkesave, për të vijuar studimet në këto degë, sikurse edhe me nivelin e maturantëve në provime, Kështu, një vit më parë, të dhënat zyrtare të Agjencisë së Pranimit në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë (APRIAL) evidentuan se nga viti në vit ka një diferencë të madhe pikësh, sidomos kur bëhet fjalë për degët më të kërkuara nga të rinjtë, ndërkohë që këtë vit vihet re një thyerje e këtij “trendi”. Për shembull, në programin e studimit Administrim-Biznes të Fakultetit Ekonomik pranë Universitetit të Tiranës ka një diferencë prej 400 pikësh në rritje, nga viti 2007 deri në vitin 2009, ndërkohë që në vitin 2010, në pragun e pikëve për të fituar këtë degë janë shtuar rreth 100 pikë.

I njëjti fenomen ka ndodhur edhe me degët Punë Sociale dhe Psikologji, Drejtësi, Shkenca Politike të Universitetit të Tiranës, ku megjithëse gjatë tre viteve të para pragu i pikëve ka pasur trend rritje, në vitin 2010 ai ka ardhur në ulje. Për këto arsye, specialistët e APRIAL-it shpjegojnë se cilët janë faktorë që ndikojnë në parashikime të gabuara të përzgjedhjes së degëve dhe të llogaritjes së pikëve. Sipas tyre, është vënë re se nga eksperienca e krijuar në këto katër vite të Maturës Shtetërore, vetë maturantët, duke iu referuar rezultateve të viteve të kaluara si dhe duke shfrytëzuar gjithë informacionin e ofruar nga Ministria e Arsimit dhe APRIAL kanë bërë një llogaritje paraprake të pikëve. Për të bërë këtë, maturantët janë bazuar në rezultatet individuale të njohura prej tyre, që janë nota mesatare e shkollës së mesme, rezultatet e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje.

Por, sipas specialistëve, disa nga informacionet më të rëndësishme që ndihmojnë në procesin e llogaritjeve paraprake, për të bërë një përzgjedhje optimale programesh studimi preferencialë janë tabelat me pikët e fituesit të fundit, rezultatet e maturantëve në provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje, ndryshimi i koeficienteve të shkollave, si dhe koeficienteve të lëndëve me zgjedhje. Duke marrë si shembull vitin 2009, specialistët shpjegojnë se në procesin e konkurrimit për pranimin në universitetet publike, për vitin akademik 2009-2010, një pjesë e mirë e maturantëve, për të plotësuar Formularin A2 morën parasysh edhe pikët e fituesit të fundit në vitet paraardhëse, kryesisht ato të një viti më përpara.

Mirëpo, ky tregues sipas tyre nuk rezultoi aq efektiv dhe konkretisht në tabelën që vijon jepen pikët e fituesit të fundit në 20 degët më të kërkuara në vitin 2010, të publikuara në vitet 2007-2010. Siç shihet, në programin e studimit Administrim-Biznes të Universitetit të Tiranës, i klasifikuari i fundit në këto vite ka një diferencë prej 400 pikësh në rritje nga viti në vit për shkak të disa treguesve.

Së pari, specialistët përmendin rritjen e numrit të konkurrentëve nga viti në vit. Ndaj sipas tyre, ky është një fakt i rëndësishëm që maturantët duhet ta marrin parasysh para se të bëhen llogaritjet paraprake. Ndërkohë që një faktor tjetër i rëndësishëm, që duhet të merret parasysh para se të bëhen përzgjedhjet e degëve dhe llogaritjet paraprake janë edhe rezultatet që kanë arritur maturantët në provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje. Nga analizat statistikore që janë bërë është vënë re se në vitin 2009, rezultatet e arritura në përgjithësi në të gjitha provimet kanë qenë shumë më të larta se ato të viteve paraardhëse.

Kështu, duke bërë një krahasim nga baza e të dhënave për dy vitet 2008-2009, vërehet se për Maturën Shtetërore 2008, vetëm 43 maturantë arritën që në vlerësimin e tyre t’i kishin notat më të larta se 9, kurse në vitin 2009, numri i maturantëve që kanë arritur rezultate të tilla është 224, pra 5.2 herë më i madh se në vitin 2008.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama