INSTAT Me shume te ikur se te kthyer per here te pare qe nga 2007

INSTAT: Me shume te ikur se te kthyer, per here te pare qe nga 2007

Që nga 2014 trendi i emigrimit jashtë vendit është thelluar. Të ikurit në raport me të kthyerit janë 2 mijë më shumë se, ne vitin 2013. Sipas INSTAT më 2014 emigracioni neto shënoi -18046 persona në vitin 2013, ky tregues ishte -16414 persona vitin që shkoi, por që pritet të thellohet edhe më shumë këtë vit pas ikjeve masive sidomos nga qarqet e veriut.

Gjatë tremujorit të parë kanë kërkuar azil ekonomik në gjermani rreth 5 mijë persona dhe ikjet vijojnë në përmasa jo të zakonshme.

Emigracioni ka vazhduar të jetë një nga arsyet kryesore të rënies së numrit të popullsisë në Shqipëri gjatë periudhës midis dy censuseve të fundit 2001 dhe 2011.

Emigrimi në Shqipëri ka qenë fenomen i zakonshëm, i cili është ndërmarrë në shumicën e rasteve më shumë nga meshkujt sidomos në periudhën 1989-2001. Megjithatë dallimet gjinore në periudhën e ndërmjet dy censuseve të fundit 2001-2011 nuk janë shumë të theksuara. Sipas vlerësimeve indirekte të INSTAT gjatë kësaj periudhe rreth 481.000 shqiptarë kanë emigruar.

Censusi i fundit 2011, evidentoi edhe një fenomen të ri atë të migracionit të kthimit, i cili ndikoi në rritjen e migracionit neto dhe si rrjedhim uljen e ritmit të zvogëlimit të popullsisë. Sipas studimit të bërë nga INSTAT “Migracioni i kthimit dhe ri-integrimi në Shqipëri, 2013”, rezulton se gjatë viteve 2009-2013, numri i emigrantëve të kthyer është 133.544 persona . Ritmi i kthimeve është përshpejtuar pas vitit 2011 me rreth 1,5 herë për shkak të krizës ekonomike në Eurozonë dhe kryesisht në Greqi. Tek të kthyerit, janë meshkujt ata që dominojnë krahasuar me femrat.

Shqipëria në krahasim me vendet e tjera të Evropës, ka përjetuar një tranzicion demografik të vonë por intensiv (rënia e vazhdueshme e lindshmërisë dhe vdekshmërisë). Vdekshmëria filloi rënien e saj që nga vitet 1930, ndërsa lindshmëria qëndroi e lartë deri në vitet 1960.

Prandaj vendi përjetoi një ndër normat më të larta të rritjes së popullsisë në Evropën e pas luftës (mbi 2% në vit), duke sjellë një rritje të popullsisë nga 1,218 milionë në vitin 1950 në një maksimum prej 3,182 milionë në vitin 1989. Megjithatë pavarësisht strukturës së re moshore, popullsia pësoi rënie deri në 3,069 milionë në vitin 2001 dhe më pas në 2,097 milionë në vitin 2011, çka korrespondon me një rënie vjetore respektivisht prej 0,3% dhe 0,8%. Emigrimi dhe normat e ulëta të lindshmërisë janë faktorët kryesorë të kësaj rënie.

Që nga 1950 deri në 1990, popullsia e Shqipërisë ka përjetuar dekada të një rritjeje të shpejtë të popullsisë, edhe pse shpejtësia e kësaj lëvizje është ulur në mënyrë progresive. Lindshmëria ka qenë shumë më e lartë se në çdo vend tjetër të Evropës, edhe pse në rënie, ndërsa vdekshmëria pësoi një rënie të lehtë duke mbetur pothuaj në nivelet 16-17 mijë në vit; shkëmbimet me vendet e huaja me anë të migracionit ishin pothuaj zero dhe lëvizjet nga një rajon te tjetri në vend ishin shumë të kufizuara, karakteristike për një popullsi të mbyllur.

Ndryshimet në lindshmëri dhe emigracion kanë ndikuar shumë strukturën moshore dhe gjinore të popullsisë së Shqipërisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama