Enveri ne pulle 100 dollare

Enveri në pullë, 100 dollarë

Përgatitet të hidhen në qarkullim edhe pulla kushtuar Azem Hajdarit

TIRANË – Po të ketë ndonjë gabim, ngjyrë të ndryshme nga simotrat e saj të së njëjtës seri, të jetë shtypur mbrapsht apo të ketë dalë me tirazh të vogël që në krye të herës, edhe më shumë e duan filatelistët. Janë thjeshtë pulla postare, por në drejtorinë e postave na tregojnë se ato në sytë e filatelistëve vazhdojnë të jenë gjithnjë e më të çmuara. Megjithëse ka pulla të shumta me imazhin e Enver Hoxhës, një e tillë nga ato të 60-ës, tani mund të kushtojë mesatarisht 100 dollarë, ndërsa "Vepra Industriale", një pullë e 1967-ës, është ndër më të kërkuarat nga filatelistët. Duket se edhe përmbajtja ka rolin e vet në këtë histori të çuditshme dashurie me copëzat e letrave ngjitur me pështymë mbi zarfe, ndërsa drejtori i Postës Arliqe Gorea shprehet se ato janë më shumë se sa objekte tërheqëse për filatelistët, sepse janë dokumente historike. Pikërisht për të rrëfyer këtë fakt, në Galerinë Kombëtare të Arteve do të hapet edhe një ekspozitë e madhe e historisë së pullës shqiptare.

Më 5 maj pulla jonë mbush 94 vjeç dhe ky është sebepi për të zgjuar nga arkivat pullat e kahershme, që nga ajo e para që daton më 5 maj të vitit 1913, tek ato pleqësisë së Shqipërisë së mesme, mandej tek pullat e Ahmet Zogut e Viktor Emanuelit, pa harruar dot pullat e Enver Hoxhës dhe të tematikave ideologjike e deri tek pullat e sotme që rehabilitojnë figurat e harruara nga regjimit, por blatojnë edhe ndonjë të gjallë si për shembull Nënë Terezën e cila është ndër të vetmet shqiptare që është bërë pullë në të gjallë të saj, pas viteve '90-të. Por me sa duket radha për t'u përjetësuar në pullë u ka ardhur edhe protagonistëve politikë të pas '90-ës, pasi në Drejtorinë e Postave na tregojnë se është propozuar që t'i kushtohet një seri e veçantë pullash edhe Azem Hajdarit. I njëjti propozim është bërë edhe për Adem Jasharin, ndërsa pritet miratimi për të vijuar procedurën e krijimit dhe shtypjes së imazheve të dy të konsideruarve heronj të ditëve të sotme.

Krahas Azem Hajdarit, në proces për t'u kushtuar pulla për herë të parë janë edhe dy perandorët romakë me origjinë ilire, Galerio Maksimiliani dhe Flavio Anastasi, ndërsa pritet që të miratohet vendimi për t'u kujtuar zyrtarisht nga shteti shqiptar me anë të pullave edhe shqiptarët e njohur jashtë Shqipërisë si aktori John Belushi, fotografi Gjon Mili, piktori Ibrahim Kodra dhe deri tek arkitekti shqiptar i mesjetës i njohur si Arkitekt Sinani. Megjithëse pullat shqiptare janë të mbushura me emra njerëzish, për herë të parë një e tillë do t'i kushtohet papës shqiptar, Papa Klementit të 13. Vetëm para disa vitesh në pullat zyrtare janë përjetësuar edhe disa nga gurutë e shqiptarizmës Gjegj Fishta apo Mit'hat Frashëri, ndërsa Nënë Tereza dhe Papa Gjon Pali i Dytë janë ndër të paktët të lartësuar në pullë që në të gjallë të tyre, pas Enver Hoxhës që ka edhe numrin më të madh të pullave.

Arqile Gorea

"Duam të ringjallim pullën shqiptare"

Drejtori i Postës Shqiptare, Arqile Gorea thotë se ekspozita që po përgatitet të hapet në Galerinë Kombëtare do të rrëfejë rrugën e pullës shqiptare që nga lindja e vet në 1913 e deri sot, por i mëshon faktit se ky aktivitet do të sjellë edhe një lobin të postave në rang ballkanik, sepse do të jenë të ftuar edhe specialistë e drejtues të postave të rajonit të Ballkanit për të diskutuar mbi problemet e përbashkëta. Në ekspozitën që do të hapet në GKA do të jenë të ftuar të ekspozojnë koleksione te tyre private edhe filatelistë të shumtë dhe duket se nuk do të mungojnë shitje-blerjet e pullave ndërmjet tyre.

Mbreti në pulla

Në fakt temat politike kanë mbizotëruar për një kohë të gjatë në pullat. Në vijim të një tradite edhe të vendeve të tjera, në pulla filloi të dukej përherë e më shumë portreti i mbretit, Ahmet Zogut, (në periudhën deri në 1939 shumica e pullave janë me fytyrën e tij), ndërsa gjatë pushtimit italian spikat shpesh fytyra e Viktor Emanuelit III.

Filatelistët e parë,

Sami Frashëri, Murat Toptani, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi

Filatelistët e parë shqiptarë i përkasin periudhës së Rilindjes sonë Kombëtare. Ndër ta do të janë rilindasit Thimi Mitko, Sami Frashëri, Ndoc Xhuxha e Murat Toptani, më vonë Luigj Gurakuqin dhe sidomostë mirënjohurin Lef Nosi,Ministrin e parë të Postave të shtetit shqiptar, që ka merita të veçanta në konceptimin dhe emetimin e pullave të para shqiptare. Në nderim të tij filatelia shqiptare ka një emision me portretin e Lef Nosit.

Pulla e parë, si lindi 94 vjet më parë

Me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, për vetë rrethanat në të cilat ndodhej administrata e Qeverisë së Ismail Qemalit, vazhduan të ekzistojnë postat osmane. Madje ishin po ata nëpunës, që deri në maj 1913, përdorën vulat dhe pullat turke. Gjërat hynë në normalitet duke filluar nga 5 maji i vitit 1913, kur u emetua dhe u vu në qarkullimpulla e parë kombëtare shqiptare. Madje në këtë kohë Postë Telegrafa ka qenë ministri e veçantë e drejtuar nga Lef Nosi. Qeveria e Ismail Qemalit i kushtoi vëmendje të veçantë veprimtarisë postare përgjithësisht dhe emetimit të pullave. pullash.

Emisioni i parë, ose pulla e parë, u realizua afro gjashtë muaj pas shpalljes së pavarësisë. Ajo nuk ishte e zakonshme, siç janë pullat aktualisht, por kishte formën e një vule në ngjyrë të zezë, me të cilën u shtypën gjithsej 2232 zarfe. Kjo pullë-vulë në zarfe me ngjyra të ndryshme kushtonte 1 grosh dhe u nxor në shitje në 11 qytete ku funksiononin zyrat postare të ngritura gjatë pushtimit osman. Ajo u vu në qarkullim më 5 maj 1913. Karakteristikë ishte edhe prerja e vulës nga zarfet origjinale dhe vendosja e qarkullimi mbi zarfe të tjerë, praktikë e njohur dhe e përligjurnga Ministria e Postave.

Të rrallat

Zarfat me vula ari

Filatelia shqiptare e periudhës 1913-1944 duket se ka qenë nga më interesantet.

Disa prej këtyre emetimeve janë bërë tejet të rralla: zarfat me vulë ari të pullave me fytyrën e Skënderbeut, zarfi me vulën e Zyrës së Financave të Elbasanit, zarfi me vulën e Tepelenës, zarfi me vulën e Beratit, emisioni gotik me mbishtypjen "Mbr . Shqiptare", pullat e Komisionit të Kontrollit Provizor të Korçës, emisioni i 19 marsit 1915 kushtuar ngritjes së flamurit në fortesën e Shkodrës, ato të pushtimit grek, italian dhe gjerman, sidomos emisioni i 14 shtatorit 1943, që spikat veçanërisht për shumëllojshmërinë e gabimeve..

Edhe Dollma me pullë

"Gjellë që gatuhet me të brendshmet e bagëtive, por dhe me mbushje me oriz dhe e mbështjellë me gjethe rrushi, fletë lakre etj." Dollma ka pullën e vet në koleksionin e pullave, ashtu si edhe gjellë të tjera tradicionale shqiptare si Byreçka trekëndore, që gatuhet me miell përzier me ujë dhe qe hapet ne pete te cilat mbushen me mish, veze, perime ose djathë, petë të cilat pasohen në mënyrë trekëndore, por edhe Çorba me mish e cila përgatitet me copa mishi te cilat kaurdisen me qepe, pak speca e erëza, shtohen dhe pak hudhra e uthull, pjatë karakteristike e zonës së Shkodrës.

Pullat për përvjetorë, si dikur

Quhet 60 vjetori i fitores mbi fashizmin. Në fakt duket sikur të jetë ideuar para '90, ndërsa është emetuar vetëm në 2005. Lidhet me 9 Maj 2005 kur në të gjithë botën u përkujtua fitorja e përbashkët e popujve kundër nazifashizmit.


Belina Budini - Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama